Ndërlidhjet

logo-print

EKIPI I UNITETIT NUK PRET REZULTATE KONKRETE NGA TAKIMI NË VJENË


Albana Isufi

Anëtarët e Ekipit tëUnitetit udhëtuan sot në Vjenë për të marrë pjesë në takimin e nesërm me treshen negociuese, në kuadër të bisedimeve shtesë mes Prishtinës e Beogradit.
Anëtarë të Ekipit të Unitetit nuk presin të ketë rezultat konkret nga ky takim, meqë vetë bisedimet shtesë sipas tyre kanë qenë të panevojshme. Presidenti Fatmir Sejdiu para shkuarjes ka thënë se takimi i nesërm do të kontribuojë në përshpejtimin e procesit të zgjidhjes së statusit final. Ai ka siguruar se Ekipi i Unitetit do të japë maksimumin për të përfaqësuar mandatin dhe vizionin e vet. “Është një proces shtesë që realisht nuk është dashur të ndodhë si i tillë, por jemi këtu, prandaj ne do të bashkëpunojmë me bashkësinë ndërkombëtare për të përfunduar sa më shpejt. Presim që në fund të këtij procesi të arrihet qëllimi ynë, që është shumë i qartë, pavarësia e Kosovës”, tha Sejdiu.
Kryeministri Agim Çeku, nga negociatat e nesërme, të cilat i konsideron si të pakuptimta dhe të panevojshme, pret që tresha megjithatë ta kuptojë qartë pozicionin e palës kosovare dhe parime kryesore nga të cilat, kosovarët thonë se nuk do të heqin dorë. “Ne presim që treshja ndërkombëtare ta kuptojë shumë qartë pozicionin tonë, presim që treshja ndërkombëtare t’i respektojë të arriturat e deritashme në këtë proces, të udhëhequr nga presidenti Ahtisaari dhe presim gjithashtu që ata të kuptojnë seriozisht kërkesën tonë që ky të jetë fundi i procesit, Pas 10 dhjetorit ne duhet të lëvizim drejt njohjes së pavarësisë së Kosovës”, tha Çeku. Ndërkaq, lideri opozitar Hashim Thaçi në një takim me gazetarët të mbajtur gjatë ditës ka thënë se në bisedimet e nesërme me treshen negociuese në Vjenë, politika kosovare do ta paraqesë nevojën e zgjidhjes së statusit final të Kosovës. Kreu i PDK-së Hashim Thaçi ka siguruar se Ekipi i Unitetit nuk tërhiqet për asnjë çast nga synimi për pavarësinë e Kosovës. “Kemi shpresë dhe besim të plotë se do të jemi në gjendje si Kosovë unike, e përgatitur, që të prezantojmë domosdoshmërinë për statusin e Kosovës. Prandaj, e di se ky proces ka qenë i ngadalshëm, ndonjëherë edhe frustrues. Por, në asnjë moment pala kosovare nuk do të tërhiqet dhe nuk do ta humbë drejtimin në të cilin edhe jemi nisur, me qëllimin për të realizuar pavarësinë e plotë, respektimin e integritetit territorial të vendit dhe njohjen ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës sa më shpejtë që të jetë e mundur”, ka thënë Thaçi. Ai ka hedhur poshtë idetë mbi ndarjen e Kosovës, duke thënë se një gjë e këtillë nuk është ngritur fare për diskutim në bisedimet për statusin.
Lideri i ORA-s Veton Surroi, beson se takimi i nesërm do të jetë bazë për vendosjen e një platforme evropiane ku do të sqarohej pozicioni i Kosovës dhe Serbisë si shtete të pavarura.
“Besojmë që në këtë proces garanci është që të vendoset platforma evropiane për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, e platforma evropiane do të thotë si mund t’i ndihmojnë në të ardhmen shtetet e pavarura të Kosovës dhe Serbisë njëra-tjetrën për të mundësuar integrimin në BE. Kjo është çështje kryesore e cila shërben si ombrellë, në mënyrë që të inkuadrohen të gjitha çështjet tjera”, tha Surroi. Ndryshe, edhe pse njihen si bisedime mes Prishtinës e Beogradit, delegacionet e dy vendeve nuk do të takojnë nesër njëra-tjetrën, por do të komunikojnë nëpërmjet treshes ndërkombëtare.
XS
SM
MD
LG