Ndërlidhjet

GASHI:"KOSOVA DO TË SHPALLË PAVARËSINË, ME APO PA MIRATIMIN E KS-SË"


Alush GASHI,shef i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Gash, delegacioni i Kosovës do të zhvilloj nesër një takim me Treshen ndërkombëtare. Andaj rrjedhimisht, çka prisni ju nga kjo fazë shtesë e negociatave, siç po quhet?

ALUSH GASHI
Delegacioni i Kosovës i është përgjigjur ftesës së bashkësisë ndërkombëtare për vazhdimin e përpjekjes për këndelljen e Serbisë në kuptim të një realiteti se një Kosovë e pavarur e demokratike do të jetë një fqinjë e mirë për Serbinë dhe një Kosovë e tillë do t’i garanton të gjitha të drejtat njerëzore kombëtare për pakicën serbe në Kosovë, të drejta që do t’i mundësojnë një jetë me dinjitet. Pala kosovare është shumë e ndërgjegjshme, serioze në përkushtimin e vet që ta argumentoj para bashkësisë ndërkombëtare, por edhe të jetë e zëshme që të dëgjoj edhe Serbia, se ne jemi të interesuar, me përkushtim të plotë, që të jetojmë në fqinjësi të mirë.

RADIO EVROPA E LIRË
Dje, shefi i diplomacisë holandeze kërkoi që Prishtina e Beogradi të dalin me opsion e ide kreative, duke mos përjashtuar asnjë opsion, pra edhe ndarjen e Kosovës. Sa konsideroni se ka ende vend për opsione e ide tjera, krahasuar me Pakon e Ahtisarit?

ALUSH GASHI
Nga këndvështrimi im si deputet, ne e kemi shumë të qartë se cili është mandati i ekipit kosovar. Ne e kemi miratuar një rezolutë dhe të cilës i qëndron besnik Ekipi i Unitetit. Delegacioni mund të bashkëbisedoj me bashkësinë ndërkombëtare në shikimin e mundësive për bashkërendim të zbatimit të propozimit të Ahtisarit për një Kosovë të pavarur e sovrane, tekst i cili për ne është një kompromis shumë i dhimbshëm, por i pranueshëm dhe ai të filloj të zbatohet pas njohjes së shtetit të pavarur e sovran. Këto propozimet e ndryshme për mua janë lojëra pa kufi për të cilat delegacioni i Kosovës nuk ka mandat dhe për aq sa kam njohuri, delegacioni është shumë i ndërgjegjshëm në fushëveprimin e vet dhe në perceptimin e zbatimit të vendimeve të Kuvendit të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Ndërkohë ka paralajmërime nga Ekipi Negociues se nëse bashkësisë ndërkombëtare nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, atëherë menjëherë pas 10 dhjetorit do ët ketë nisma edhe për shpalljen e njëanshme të pavarësisë. Si deputet dhe shef i Grupit më të madh parlamentar sa konsideroni se një ide e tillë do të mund të konkretizohet në Parlamentin e Kosovës?

ALUSH GASHI
Po përshkrimet lidhur me shpalljen e pavarësisë së Kosovës janë të ndryshme, por substanca është e njëjtë. Kosova është në një bashkërenditje të veprimeve në baza ditore me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian. Me çfarëdo formë që do të vjen përfundimi i statusit të Kosovës, Kuvendi i Kosovës duhet dhe do ta shpallë pavarësinë e saj. Edhe nëse propozimi i Ahtisarit pranohet nga Këshilli i Sigurimit, Kuvendi duhet ta shpallë dhe kërkoj njohjen ndërkombëtare, por edhe nëse nuk ekziston vullnet në Këshillin e Sigurimit që kjo çështje të lehtësohet po ashtu Kuvendi i Kosovës do ta shpallë pavarësinë, dhe do të kërkoj njohjen ndërkombëtare. Kështu që nga këndvështrimi im nuk është në pyetje veprimi unilateral, por shpallja e pavarësisë së Kosovës në Kuvendin e Kosovës do të ndodhë si puna më normale dhe do të kërkon njohje ndërkombëtare të pavarësisë së vendit tonë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Gashi, në anën tjetër cilat konsideroni se mund të jenë rreziqet dhe pasojat e zvarritjeve eventuale ët statusit edhe pas 10 dhjetorit?

ALUSH GASHI
Në kohën të cilën jetojmë është e papranueshme që të mos ketë qartësi të plotë të statusit të një vendi. Pengesat në njohjen e pavarësisë së vendit tonë, janë bërë pengesa të zhvillimit të gjithmbarshëm të vendit tonë, si në kapacitetet njerëzore dhe atyre ekonomike dhe komunikimeve qoftë brenda apo jashtë. Ne jemi për një kohë tepër të gjatë peng i zhvillimeve përreth Kosovës dhe mendoj se liria dhe pavarësia e vendit tonë do të jetë kontribut për paqe e stabilitet, për jetë dhe zhvillim më të mirë e të qëndrueshëm, jo vetëm të Kosovës por edhe të fqinjëve të saj.

RADIO EVROPA E LIRË
Është paralajmëruar dhe mbajtja e zgjedhje të lira për sivjet. Sa konsideroni se këto zgjedhje mund të interferojnë në procesin e statusit?

ALUSH GASHI
Çështja e mbajtjes së zgjedhjeve të lira në vendin tonë, ashtu si edhe në vendet tjera, ëshët çështje e bashkërendimit të punëve të partive politike të atij vendi. Unë për veten time mendoj se Kosova ka ardhur në atë fazë të zhvillimeve demokratike që nuk i nevojiten më zgjedhje të organeve të përkohshme. Kosova duhet t’i ketë organet e veta sovrane. Organe sovrane të cilat do të zgjedhen në një Kosovë të pavarur e sovrane.

RADIO EVROPA E LIRË
A do të thotë kjo zgjedhje pas statusit?

ALUSH GASHI
Për veten time jam i bindur që Kosova ka kapacitete të mjaftueshme që t’i ketë zgjedhjet me institucione sovrane, që të ketë zgjedhje ku Kosova ka kushtetutë, ku Kosova është shtet dhe ku Kosova do të vendos për fatin e vet. Jo të organizohen zgjedhje përsëri për organe vetëqeverisëse të përkohshme, dhe pastaj sërish pas disa muajve zgjedhje tjera. Ne nuk kemi nevojë shumë që të merremi me vetveten. Ne kemi nevojë që vizionin e deklaruar publik të partive parlamentare, por edhe partive tjera që ndërkohë janë formuar për zhvillim të ekonomisë së tregut, për raporte të mira me fqinjë, për bashkëngjitje të Kosovës në familjen e vendeve të lira e sovrane, por jo institucionalizimin e organeve të përkohshme me një mandat të ri të fituar.

INTERVISTOI ZIJADIN GASHI
XS
SM
MD
LG