Ndërlidhjet

VJENË


Në Vjenë ka përfunduar takimi ndërmjet Ekipit Negociator të Kosovës me treshen ndërkombëtare në përbërje Wisner, Ischinger dhe Kharchenko.
Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në këtë treshe, Wolfgang Ischinger para takimit tha se është "optimist realist se mund të arrihet progres". Duke u përgjegjur në një pyetje lidhur me nivelin e përfaqësimit të Kosovës dhe Serbisë, zoti Ischinger tha se kjo është çështje e Prishtinës dhe Beogradit, por përfaqësimin e Kosovës në nivelin më të lartë "e shohë si shenjë të interesimit të jashtëzakonshëm në Prishtinë për ti zhvilluar këto bisedime me treshen në nivelin më të lartë". Ai u shpreh se "absolutisht nuk ka problem me delegacionin të cilin Beogradi ka vendosur ta dërgoj". Pasdite treshja ndërkombëtare takohet me delegacionin e Serbisë. Delegacioni i Kosovës ishte i kryesuar nga presidenti Fatmir Sejdiu ndërsa ai i Serbisë ka dy bashkëkryesues: ministrin e jashtëm, Vuk Jeremiq dhe ministrin për Kosovën, Sllobodan Samarxhiq. Si datë e takimit të ardhshëm përmendet 7 shtatori. Mbrëmë pasi arriti në Vjenë kryeministri i Kosovës, Agim Çeku tha se ka mbetur shumë pak mundësi për diskutim. "Statusi ishte diskutuar dhe është bërë propozimi që ka pasur mbështetje të përgjithshme, me përjashtim të Rusisë dhe Serbisë", tha Agim Çeku dhe shtoi se "për palën kosovare çështja është zgjidhur dhe nuk duhet humbur kohë duke biseduar për çështje për të cilat nuk mund të arrihet marrëveshje". Ai mëtutje tha se pritet që bisedimet "ta hapin rrugën për ne që ta shpallim pavarësinë". Zoti Samarxhiq tha se delegacioni i Serbisë do të prezentoj planin që Kosovës i jep "autonomi esenciale", por jo pavarësi.
XS
SM
MD
LG