Ndërlidhjet

MË SHUMË SE TETË VJETË PAS LUFTËS – 2047 PERSONA ENDE TË ZHDUKUR


Albana Isufi

Dita Ndërkombëtare e të Zhdukurve e gjen Kosovën me problemin e pazgjidhur të 2047 personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë. Familjarë të personave të pagjetur përmes një marshi të mbajtur në Prishtinë, kanë kërkuar sot nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare angazhim më të madh për zbardhjen e fatit të të afërmve të tyre, që ende gjenden në listat e të zhdukurve.
Përfaqësuesi i Asociacionit të Familjarëve të Personave të Pagjetur Haki Kasumi, thotë se autoritetet kanë bërë shumë pak për të zgjidhur këtë problem. “Është bërë shumë pak dhe për këtë arsye është shkaktuar kjo pakënaqësi e qytetarëve të cilët janë në pikë të hallit. Kanë kaluar më shumë se 8 vjetë dhe pjesa dërmuese e tyre nuk kanë bërë gjumë të rehatshëm, e jetë normale. Derisa të vazhdojë kjo situatë nuk mund të ketë qetësi dhe stabilitet në këtë pjesë të Ballkanit”, tha Kasumi.
Në anën tjetër, shefi I UNMIK-ut Joachim Ruecker ka thënë sot se çështja e të pagjeturve nuk mund të zgjidhet vetëm nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare, por edhe me mbështetjen e qytetarëve të Kosovës dhe të Serbisë.
Nga shtatë takime të mbajtura deri më tash në nivelin e grupeve punuese mes Prishtinës dhe Beogradit, të ndërmjetësuara nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar, nuk është arritur rezultat i kënaqshëm. Zyrtarë të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar thonë se autoritetet e të dy vendeve përbëjnë çelësin e zbardhjes së fatit të të zhdukurve. Ndërkaq, sipas zyrtarit për informim të këtij institucioni, Idriz Gashi merita për zbardhjen e deritashme të fatit të të pagjeturve nuk u takon autoriteteve, por mjekësisë ligjore.
“Nuk mund të kënaqemi me rezultatet e arritura, sepse te gjitha përgjigjet deri me tash lidhur me zbardhjen e fatit të personave të pagjtur kanë ardhur përmes punës mjeko-ligjore, por nuk ka pasur informata të këmbyera në mes të autoriteteve përkatëse për fatin dhe vendndodhjen e të pagjeturve”, thotë Gashi.
Gashi thotë se palët e përfshira në konflikt e dinë më së miri vendndodhjen dhe fatin e me se 2 mijë personave që edhe me tej figurojnë si të zhdukur. “Vetëm autoritetet ose ish palët në konflitk janë të obliguara të adresojnë nevojat e familjarëve, çfarëdo qofshin ato. Ky është mesazhi ynë dhe këtë e theksojmë në vazhdimësi. Janë ata, që mund të japin përgjigje se çka ka ndodhur me këta persona, të cilët familjet tash e 8 vjetë nuk e dinë se ku i kanë”, tha Gashi, duke paralajmëruar edhe një takim tjetër midis të dyja palëve gjatë muajit shtator.
Ndryshe, çështja e të zhdukurve, është bërë pjesë e platformës kosovare në bisedimet shtesë mes Prishtinës e Beogradit.
Zëvendëskryeministri Lutfi Haziri ka thënë sot se së bashku me
zgjidhjen e statusit të Kosovës, do të arrihet që të paktën të detyrohet Serbia të bashkëpunojë me autoritetet kosovare për të zbardhur fatin e personave të pagjetur.


XS
SM
MD
LG