Ndërlidhjet

BANAC:"NDARJA E KOSOVËS - SINJAL PËR LUFTRA TË REJA NË BALLKAN"


Ivo BANAC, analist nga Universiteti YALE/SHBA/

RADIO EVROPA E LIRË
Grupi Ndërkombëtar i Krizave ka sinjalizuar Bashkimin Evropian se nëse do të mbetet i hamendur në çështjen e statusit të Kosovës, pasojat mund të jenë të rënda, ndërsa ai do të ballafaqohet me një gjakderdhje të re. Nga ana tjetër Beogradi dhe Moska thonë se zgjidhja e shpejtë e çështjes së Kosovës mund të ketë pasoja negative.

IVO BANAC
Duhet nisur nga fakti që Serbia e ka humbur Kosovën në vitin 1981, ndërsa përfundimisht nga Kosova është ndarë në vitin 1999. Kosova më nuk është nën ingerencat e Serbisë. Insistimi i tashëm i udhëheqjes së Beogradit zyrtare është çështje e kotë, sepse nuk ekziston asnjë mënyrë që popullata shumicë në atë pjesë të ish Jugosllavisë të kthehet nën ombrellën e Serbisë. Nëse kjo është e pamundur, atëherë duhet pranuar ate që është gjëja më e mirë për pakicën serbe dhe pakicat tjera në Kosovë. Dhe ky ka qenë plani i Ahtisarit. Ky dokument është refuzuar për faktin që Serbia nuk ka parë anët pozitive të tij. Tash jemi në situatën që refuzimi i këtij plani u shkon për shtati nacionalistëve shqiptarë, që nuk do të jenë shumë të shqetësuar, madje edhe nëse vjen deri te ndarja e Kosovës, sepse në këtë rast do të hapej kutija e Pandorës. Në fakt do të hapej çështja e shqiptarëve në Maqedoni. Javën e kaluar kemi dëgjuar kërkesën për krijimin e njësisë federale, përkatësisht Iliridës për shqiptarët në Maqedoni. Pra, nuk mund të thuhet se Kosova është çështja e fundit e pa zgjidhur në Ballkan, sepse nëse çështja e Kosovës nuk zgjidhet përmes pavarësisë së mbikqyrur, do të ballafaqohemi me hapjen e një vargu të tërë të çështjeve tjera kombëtare me pasoja katastrofale.

RADIO EVROPA E LIRË
Janë dëgjuar zëra për ndarjen e Kosovës, pastaj të konfederatave të ndryshme dhe të ngjashme....

IVO BANAC
Ndarja hapë një varg precedentesh dhe është fillim i zgjidhjeve të rrezikshme. Përse Serbia pavarësimin e Kosovës e përjeton si humbje? Në të vërtetë pavarësimi i Kosovës shkarkon Serbinë nga shumë probleme që ishin pasojë e politikës së saj imperialiste e që shkaktuan vazhdimisht trazira dhe konflikte. Aktualisht në Serbi kemi garën ndërmjet zërave nacionalist që janë shumë radikalë dhe më pak radikal. Në këtë zhurmë vështirë dëgjohet zëri i disa partive të vogla politike që kërkojnë të lihet prapa e kaluara dhe të shikohet nga e ardhmja. Zatën nëse jemi të orientuar nga e nesërmja evropiane, kufinjët ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nuk do të ekzistojn, ashtu siç do të jetë edhe me vendet tjera fqinje.

RADIO EVROPA E LIRË
Megjithate disa analistë dhe zyrtarë nuk kanë fshehur idetë për ndarjen...

IVO BANAC
Mendoj se ata që angazhohen për ndarjen mashtrohen. Ata nuk njohin të kaluarën e këtyre hapësirave. Kur e them këtë veçanërisht mendoj në Maqedoninë. Logjikimi i këtillë që aludon te ndarjet hapë probleme, konflikte dhe luftra të reja. Kjo mënyrë e të menduarit hap rrugën e të mendurit për bërjen e një Shqipërie tjetër dhe më të madhe. Me këtë të logjikuar mund të thuhet se nuk mund të zgjidhet as çështja shqiptare në Maqedoni. A do ta rirregullojmë edhe këtë shtet dhe a mund të ekzistoj Maqedonia në konstelacionet e ndarjeve të reja. Përse mos ta bashkojmë me Bullgarinë ose ndonjë shtet tjetër. Kjo logjikë çon në situata të paparashikueshme.

RADIO EVROPA E LIRË
Por, cila zgjidhje mund të pritet në kontekstin e raporteve të tashme ndërkombëtare dhe të raporteve në teren?

IVO BANAC
Do të nisem nga zgjidhja më e keqe e mundshme, pra që radikalët në Serbi të marrin pushtetin, që nacionalistët edhe më të mëdhenjë se Dodiku do të vijnë në pushtet në Republikën Serbe dhe që edhe në rajonet tjera të Bosnjës të pasojn zhvillime të ngjashme. Ta zëmë se kështu do të zhvillohen ngjarjet edhe në Malin e Zi dhe madje edhe në Kroaci. Çfarë do të ndodhte në këto rrethana? Një luftë tjetër?
Raporti i forcave në këtë pjesë të botës gjithnjë do të mbetet i njejtë. Nuk mund të ndryshoni strukturën etnike të Kosovës. Nuk mund të ndryshoni strukturën etnike të Maqedonisë pa një luftë tjetër.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se Bashkimi Evropian mendon seriozisht, pasi të jetë zgjidhur statusi i Kosovës, të anëtarësoj vendet e Ballkanit në rradhët e veta?

IVO BANAC
Mendoj se integrimi i Ballkanit dhe vendeve tjera në Bashkimin Evropian duhet të jetë prioritet i Brukselit, sepse kështu evitohen të gjitha problemet për të cilat diskutuam. Por, duhet thënë se ka probleme edhe brenda Bashkimit Evropian. Situata në rradhët e Bashkimit Evropian nuk është ideale. Besoj se do të fitoj arsyeja. Nëse jo, atëherë e dijmë se çfarë do të ndodh. Do të ketë konflikte dhe luftra të reja dhe e tërë kjo pjesë e botës do të bëhet sërish objekt i konflikteve.

Intervistoi: D. SHTAVLJNANIN
XS
SM
MD
LG