Ndërlidhjet

ULRICH:KOSOVA TË JETË EKSPORTUESE, E JO IMPORTUESE E SIGURISË


Albana Isufi

Ushtarakë të lartë të NATO-s kanë uruar që në një të ardhme të afërt Kosova të mos ketë më nevojë për forcat e NATO-s, por që ajo vetë të jetë pjesë e NATO-s. Komandanti i krahut jugor të NATO-së admirali amerikan Harry Ulrich në ceremoninë e ndërrimit të komandës së KFOR-it, ka thënë se meritë më të madhe për sigurinë në Kosovë e kanë qytetarët, e jo forca shumëkombëshe.
"Kosova është një pjesë kritike dhe nje komunitet i madh ne Ballkan, një mozaik i etnive e kulturave të ndryshme, me një vizion të paqes dhe stabilitetit. Ky vizion u manifestua me pranimin e tri vendeve në Partneritetin për Paqe. Ky rajon është shumë i rëndësishëm dhe parashihet, që të integrohet në strukturat veriatlantike. Shpresojmë se edhe Kosova do të marrë një rrrugë të tillë. Besoj se Kosova do të jetë së shpejti eksportuese e jo importuese e sigurisë", tha admirali Ulrich.
Komandanti i deritashëm i KFOR-it Roland Kather i ka dorëzuar komandën e trupave të NATO-s gjeneralit francez Xavier Bout De Marnhac. Pak para largimit, Kather ka shfaqur respekt të madh për durimin që qytetarët e Kosovës kanë treguar në lidhje me shtyrjen e zgjidhjes së statusit final të Kosovës. "Zgjidhja e statusit final të Kosovës do të jetë thelb I një procesi demokratik por edhe një sfide politike, e cila ka nevojë për pak kohë dhe kërkon durim dhe ndikon te të gjithë njerëzit. Kam respekti te madh për qytetarët e Kosovës, për durimin e tyre dhe tolerancën e tyre, për të duruar edhe për një zgjatje të këtyre bisedimeve. E di që të gjithë mezi prisni një vendim dhe shpresoj se ky vendim për të mirën e te gjithë qytetarëve të Kosovës do të merret shumë shpejt", tha gjenerali gjerman Roland Kather. Presidenti Fatmir Sejdiu e ka përshkruar periudhën njëvjeçare të qëndrimit të gjeneralit Kather në Kosovë si një kohë sfidash për qytetarët, meqë pritjet për zgjidhjen e statusit nuk u realizuan.
"Gjatë këtij viti gjenerali i KFOR-it Kather dhe KFOR-i kanë qenë me ne për të ofruar siguri fizike dhe psikologjike, për ç'gjë ka nevojë populli i Kosovës në këtë kohë historike për të gjithë ne, në këtë tokë ku njerëzit kanë plagë në trup e vrragë në shpirt, por mbi të gjitha kanë shpresë për një të ardhme më të mirë për të gjithë", tha Sejdiu. Admirali Harry Ulrich ka siguruar kosovarët për vendosmërinë e NATO-s për të ofruar siguri në Kosovë. Megjithatë, ai më shumë shpreson që kjo siguri të mos jetë më e nevojshme që të ofrohet nga KFOR-i.
"Shpresojmë se do të vijë dita kur Kosovës nuk do t'i duhet KFOR-i, që të mos kete shqetësim dhe të mos ketë nevojë për trupat e NATO-s dhe për të gjitha këto sikur tha edhe Roland Kather shpresojmë se do të kthehemi këtu si turistë", tha Ulrich.
Sidoqoftë, presidenti Sejidu ka thënë se Kosova ka nevojë për praninë e NATO-s edhe pas pavarësisë së saj. "Ne do të kemi nevojë për ju edhe në Kosovën e pavarur. Do të përfitojmë nga prania juaj këtu sepse ne do të ngrehim forcën tonë të sigurisë e cila do të kujdeset për të gjitha nevojat e qytetarëve të Kosovës pa marrë parasysh përkatësinë etnike", tha Sejdiu. Presidenti Sjediu gjatë ceremonisë së pranim-dorëzimit të komandës se KFOR-it ka dekoruar gjeneralin Roland Kather me medaljen ushtarake për shërbim në Kosovë.
Ndryshe, në Kosovë aktualisht veprojnë 16 mije trupa paqeruajtëse nga 36 shtete të botës. Përfaqësues të NATO-s kanë siguruar se kurdo që të merret vendimi për statusin dhe çfarëdo që të jetë ai, trupat paqeruajtëse do të vazhdojnë të qëndrojnë në Kosovë për aq sa do të ketë nevojë.

XS
SM
MD
LG