Ndërlidhjet

logo-print

ISUFI: KOSOVA DO TË BËHET SHTET SEPSE NUK KA ALTERNATIVË TJETËR


Ahmet ISUFI, nënkryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Isufi, bisedimet në mes Prishtinës dhe Beogradit, si dhe treshes ndërkombëtare tashmë kanë filluar, megjithëse, pa ndonjë përparim konkret. Si i shihni ju zhvillimet e ardhshme në kuadër të bisedimeve?

AHMET ISUFI
Bisedimet më shumë kanë qenë të orientuara që të fitohet kohë, në mënyrë që të bindet gjithë faktori ndërkombëtarë se Kosova e meriton pavarsinë dhe sidomos të jetë një trysni më e madhe në Rusinë, e cila deri tani është angazhuar që Kosova të mos pavarsohet. Kjo kohë, e cila po shfrytëzohet tani për 120 ditë, do ti shërbejë gjithë bashkësisë ndërkombëtare që, më në fund, të vendoset një status, i cili është i krijuar në bazë të realitetit të Kosovës dhe poashtu i ofruar si document nga zoti Ahtisaari, duke pasur parasyshë një përbërje që sot e ka Kosova. Kosova, me identitetin që ka krijuar, me rrethanat që i ka dhe me integrimet që po shkon, do të bëhet shtet, sepse nuk ka asnjë alternativë tjetër. Nuk mund të iket nga ky pozicion për shkak se në Kosovë kemi një gjendje të krijuar, një realitet të ri, poashtu një deklarim të shumcës së vendeve të bashkësisë ndërkombëtare duke u prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian dhe poashtu, një gjendje e cila nuk mund të jetë ndryshe nga ajo që është realitet i sotëm.

RADIO EVROPA E LIRË
Nëse pas 120 ditësh nuk do të ketë ndonjë rezultat konkret, çfarë prisni se mund të ndodhë tutje?

AHMET ISUFI
Edhe në periudhat që i kemi kaluar, kemi treguar një angazhim permanent se vetëm pavarsia e Kosovës është zgjidhja. Dhe ky është deklarim i shumicës së popullit, partive politike dhe institucioneve që ekzistojnë në Kosovë dhe askush nuk ka mandate tjetër. Prandaj, duke pasur parasyshë këtë gjendje të krijuar, mund të shtyhet procesi deri diku, por jo pa fund. Dhe ne konsiderojmë se po i afrohemi fundit. Nëse duam një fund, i cili është me një zgjidhje të mirë, do të jetë një ofrim i kushteve të cilat në fakt i plotëson Kosova. Nëse mund të ketë shtyrje, atëherë shtyrjet rrezikojnë që të gjenerojnë dhunë dhe kjo nuk është vetëm pse ne e shohim për shkak të frustrimit të madh të qytetarëve për shtyrjen që është bërë, por për shkak se kjo shihet edhe nga bashkësia ndërkombëtare dhe nga shumë personalitete, të cilat e njohinrealitetin e Kosovës. E theksojnë këtë, se mund të gjenerojë në dhunë. Prandaj ne jemi për një zgjidhje sa ma të shpejtë, të domosdoshme e cila bazohet në faktin se Kosova është shtet.

RADIO EVROPA E LIRË
Ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov ka thënë se Rusia do ta pranoj ndarjen e Kosovës nëse Prishtina dhe Beogradi pajtohen pëtr këtë opsion. Sa mund të jenë reale pritjet për zbatimin e një opsioni të tillë?

AHMET ISUFI
Shume përmendet fjala ‘ndarje’ kohëve të fundit kur asnjë palë nuk është e interesuar për ndarje dhe kjo mendoj se është absurde. Nuk duhet të merren njerëzit me ndarjen derisa asnjra palë nuk është për ndarje, as bashkësia ndërkombëtare, sepse ekziston parimi i Grupit të Kontaktit për mosndarje. Poashtu, ekziston një bindje e thelle te shqiptarët e Kosovës se nuk bën të ketë ndarje. Poashtu, edhe shteti serb nuk ka ofruar një pozicion të tillë. Prandaj më duket absurde që në diplomacy po përmendet kjo fjalë. Edhe zoti Lavrov, i cili është i involvuar në process, duhet ta ketë të qartë se ndarje nuk ka, për arsye se çdo tentim për ndryshim të kufijve në Kosovë do të ketë ndryshim të kufijve në Maqedoni, në Serbi, në Mal të Zi, në Bosnjë dhe gjithkund do të gjenerojë krizë dhe prandaj Ballkani do të jetë në flakë. Kjo nuk i konvenon askujt. Kosova ka identitetin e vet, ka territorin e vet, ka popullatën e vet. Ne po thirremi në njërën anë në multietnicitet dhe në të njëjtën kohë po duam që ta bëjmë Kosovën të pastër duke ndarë një pjesë të saj? Bashkësia ndërkombëtare nuk duhet, absolutisht, të përmend fjalën ‘ndarje’, sepse e rrezikon procesin në të cilin ka investuar kaq shume në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Megjithatë, që nga përfundimi i luftës e deri më tash, një prej sfidave më të rënda të bashkësisë ndërkombëtare dhe autoriteteve vendore ka qenë dhe është integrimi i veriut të Kosovës. Ku e shihni ju zgjidhjen e këtij problemi?

AHMET ISUFI
Zgjidhja e këtij problemi bazohet në investimin për integrim të pjesës veriore. Pse e them këtë? Për arsye se, nëse ne duam të kemi një Kosovë-shtet të pavarur me siguri të plotë për qytetarët, me një angazhim permanent për një mirëqenie më të madhe për të, etëherë duhet të investojmë në tër territorin e Kosovës njësoj. Realiteti që është krijuar për 8 vjet në Kosovë tregon se serbët mund të jetojnë në Kosovë nën një administrim tjetër nga ai që e kanë si iluzion. Sepse, bashkësia ndërkombëtare është bindur se serbët mund të jetojnë në Kosovë për 8 vjet të ushtrimit të një administrimi pa policinë, pa ushtrinë dhe pa administratën serbe. Në një të ardhme, duhet të hiqen iluzionet e serbëve të Kosovës, të cilët janë të manipuluar nga Beogradi dhe nese definohet statusi i Kosovës, definohet edhe statusi i tyre si qytetarë. Definimi i statusit si qytetarë bazohet në ofrimin e investimit të shtetit për qytetarin dhe qytetari obligohet ndaj shtetit. Ky raport dhe kjo kontratë mundëson që serbët e Kosovës të jetojnë mirë në Kosovë, sepse nëse Kosova shkon drejt një zhvillimi të mirëfilt, me një mirëqenie ma të mirë, gjithë qytetarët do të jetojnë në të. Nëse Kosova shkon drejt rrezikimit të ekonomisë, drejt rënies së standardit jetësor, as shqiptarët, një pjesë e madhe e tyre, nuk do të rrinë, sepse do të kërkojnë një jetë më të mirë diku tjetër. Prandaj, iluzionet duhet hequr nga njerzit dhe konsideroj se definimi i statusit të Kosovës i heq dilemat, si dhe vendos një realitet, të cilit i përgjigjen qytetarët. Serbët tani janë të frustruar vetëm pse nuk kanë një zgjidhje të statusit të Kosovës. Nesër, po ta kenë atë, unë jam i bindur se të gjithë do të jetojnë në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Autoritetet vendore dhe ndërkombëtare kanë vendosur që data e zgjdhjeve të jetë 17 Nëntori i këtij viti. Çfarë ndikimi mund të kenë zgjedhjet në procesin e përcaktimit të statusit, duke pasur parasysh që në këtë kohë procesi do të jetë më intensiv?

AHMET ISUFI
Ne e kemi shfaqur me kohë përcaktimin tonë, mbi të gjitha statusi i Kosovës, sepse është çështja kapitale për Kosovën. Pastaj, edhe proceset tjera brenda këtij procesi. Zgjedhjet janë një formë e zhvillimit të demokracisë dhe ne jemi për mbajtjen e tyre, por duke pasur gjithmonë prioritet statusin e Kosovës dhe zgjidhjen me pavarësi, sepse duke e definuar statusin, ne mund të kemi zgjdhje shumë të mira, demokratike, me një frymë më mobilizuese dhe me një entuziazëm më të madh të qytetarëve të Kosovës. Megjithatë, në këto zgjedhje do të hyjmë të përgatitur si parti politike duke u bazuar në programin dhe vizionin e qartë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, duke pasur gjithmonë parasyshë qytetarin, krijuesin e shtetit. Nëse zgjedhjet interferojnë ose pengojnë procesin e statusit, tëherë flitet edhe për shtyerje. Për këtë, ne si Aleancë për Ardhmërinë e Kosovës, Grupit të Unitetit dhe të gjitha forcave politike në Kosovë ju kemi ofruar pozicionin tonë se jemi që zgjidhja e statusit të ketë prioritet për të gjith ne, sidomos për ata që bartin sot përgjegjësinë kapitale për Kosovën, domethënë Grupi i Unitetit dhe istitucionet e Kosovës. Këto zgjedhje duhet të shkojnë në një frymë të zhvillimit të demokracisë dhe të krijimit të institucioneve të reja, por assesi nuk duhet lejuar që këto të interferojnë në pengesë të statusit të Kosovës.

Intervistoi Bekim Bislimi

XS
SM
MD
LG