Ndërlidhjet

QYTETARËT – FAKTORË KRYESORË NË LUFTËN KUNDËR KORRUPSIONIT


Arton Konushevci



Qytetarët e Kosovës janë ata që mund ta luftojnë korrupsionin, thonë zyrtarë të Agjencisë Kosovare kundër Korrupsionit. Sipas kësaj agjencie, korrupsioni ka shtrirje më të madhe në Qeverinë e Kosovës, në pushtetin lokal, në ndërmarrjet publike dhe në gjyqësor. Hasan Preteni, drejtor i Agjencisë kundër Korrupsionit, thotë se deri më tash janë proceduar disa raste të personave dhe institucioneve të përfshira në korrupsion, por, sipas tij, mbetet ende shumë punë për t’u bërë. "Agjencia ka pasur pesë deri në shtatë telefonata në ditë. Nga këto telefonata dhe informacionet e dhëna është bërë i mundur hetimi i rreth 80 rasteve dhe dërgimi i tyre për ndjekje penale në Prokurorinë Publike të Kosovës. Harta e hetimeve ka një shpërndarje të gjerë në institucionet ekzekutive, në pushtetin lokal, në ndërmarrje publike, në gjyqësor etj", tha Preteni. Ai i bëri këto komente në një konferencë për gazetarë, me rastin e fillimit të fazës së dytë të fushatës për informim publik për të luftuar korrupsionin. Frode Mauring, përfaqësues i përhershëm i UNDP-së në Kosovë, është shprehur se nëse një shtet ka korrupsion, ai vend do të jetë i varfër dhe i pazhvilluar. "Nëse korrupsioni shtrihet dhe mbetet në Kosovë, atëherë statusi final i Kosovës do të jetë: varfëria, padrejtësia sociale dhe zhvillimi i ulët. Unë nuk e njoh askënd që do të dëshironte ta shihte Kosovën në këtë gjendje. Për këtë, secili qytetar i Kosovës - ata në pushtet dhe të tjerët - duhet të përfshihen në luftën kundër korrupsionit. UNDP-ja, OSBE-ja dhe donatorë potencialë të këtij projekti janë të përfshirë në këtë përpjekje”, theksoi Mauring. Markku Laamanen, zëvendësshef i misionit të OSBE-së në Kosovë, tha se qytetarët janë një faktor i rëndësishëm në dhënien e informacioneve për persona të korruptuar dhe se institucionet e pavarura, si Agjencia Kosovare kundër Korrupsionit, janë të një rëndësie të veçantë sa i përket uljes së korrupsionit në një vend. "OSBE-ja, që shtatë vjet me radhë, ka përkrahur formimin e institucioneve demokratike. Misioni i OSBE-së mbështet punën dhe zhvillimin e Agjencisë Kosovare kundër Korrupsionit, që shpresojmë se do të ndihmojë në largimin e politikanëve dhe nëpunësve civilë të korruptuar", ka thënë Laamanen. Sidoqoftë, drejtori i Agjencisë kundër Korrupsionit, Hasan Preteni, tha se që prej fillimit të punës së kësaj agjencie ka pasur një mungesë të përkrahjes institucionale, gjë për të cilën, siç thotë ai, agjencia ka nevojë të madhe. Ndryshe, Agjencia kundër Korrupsionit ka filluar të funksionojë prej 12 shkurtit të këtij viti, por ende askush nga personat, që dyshohet se janë të përfshirë në korrupsion, nuk është përballur me drejtësinë.
XS
SM
MD
LG