Ndërlidhjet

ÇEKU: SERBIA KA SHKUAR, AJO NUK MUND TË PYETET MË PËR KOSOVËN


Zijadin Gashi

Është e padrejtë dhe joparimore që të kërkohet pëlqimi i Beogradit për statusin e Kosovës, ka pohuar sot kryeministri Agim Çeku, duke iu kundërpërgjigjur një deklarate të shefit të diplomacisë ruse, Sergei Lavrov, sipas së cilës, në fund të procesit, statusi i Kosovës duhet të marrë bekimin e Beogradit. Çeku tha se Beogradi mund të interesohet vetëm për pozitën e pakicës serbe në Kosovë, pasi që Serbia nuk meriton asgjë të marrë apo të vendosë për Kosovën, të cilën, siç tha ai, e ka humbur edhe me luftë. “Serbia nuk meriton të marrë asnjë shpërblim. Lavrovi kërkon që Serbia të pyetet, por Serbia ka shkuar nga Kosova. Ka shkuar falë luftës sonë, falë mbështetjes së faktorit ndërkombëtar. Serbia ka nënshkruar vetë që të tërhiqet nga Kosova dhe ky kapitull ka përfunduar. Serbisë më nuk i takon absolutisht asgjë dhe nuk ka as të drejtë morale, e lëre më ligjore, që të kërkojë diçka nga Kosova. Ka të drejtë që të kujdeset për serbët e Kosovës dhe bisedat janë bërë dhe bëhen vetëm për pozitën e komuniteteve pakicë në Kosovë”, ka thënë kryeministri Çeku. Ndërkohë, lideri i Listës Serbe, Oliver Ivanoviq, tha sot se Rusia ua ka bërë me dije të gjithëve se nuk do të pajtohet me asnjë zgjidhje të njëanshme për Kosovën. “Rusia shumë qartë qëndron pas tërësisë territoriale të Serbisë dhe kundërshton shkeljen e parimeve për krijimin e shteteve në kuadër të territorit të Serbisë”, theksoi Ivanoviq. Sipas tij, ndarja e Kosovës nga Serbia dhe formimi i një shteti të ri në Ballkan do të godiste më së shumti Rusinë, pasi që atje më pas do të mund të ndiqeshin hapat e Kosovës për ndarjen e disa pjesëve përbërëse të shtetit rus. Për dallim nga përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, kryeministri Agim Çeku, pas një takimi që zhvilloi sot me komandantin e ri të KFOR-it, Xavier de Manhac, tha se pozicioni i Kosovës në bisedime duhet t’i ketë jo tri vija të kuqe, ku përfshihen pavarësia, integriteti territorial i Kosovës dhe pakoja e Ahtisaarit, por edhe vija e katërt e kuqe që nuk ka më shtyrje dhe se vendimi i Kosovës për statusin e saj do të merret shumë shpejt pas fazës shtesë të negociatave. Pavarësisht qëndrimit rus, Çeku tha se Kosova do t’i ndjekë hapat e shpalljes së pavarësisë së saj. “Nuk ka më shtyrje dhe statusi duhet të vendoset menjëherë, apo në afatin sa më të shkurtër pas 10 dhjetorit. Dhe, kërkojmë një qasje më dinamike të Bashkimit Evropian, të bashkësisë ndërkombëtare, që të lëvizin drejt njohjes së pavarësisë së Kosovës, ose jo, të jenë të gatshëm që ta njohin pavarësinë, të cilën ne jemi të gatshëm që ta shpallim”, është shprehur Çeku. Në anën tjetër, gjenerali francez Xavier de Manhac, i cili mori komandën e KFOR-it të premten e kaluar, zhvilloi sot takime me krerët e institucioneve të Kosovës. Ai tha se KFOR-i është i përgatitur për të gjitha të priturat dhe të papriturat, si tani, ashtu edhe pas 10 dhjetorit. Komandanti Manhac tha se KFOR-i i ka planet e veta, por në çdo rast, ai tha se KFOR-i nuk është vetëm, pasi që pas kësaj force qëndron edhe NATO-ja. “KFOR-i nuk është vetëm. KFOR-i është NATO dhe tërë NATO-ja është pas KFOR-it”, tha gjenerali Manhac, duke shtuar se KFOR-i është i vendosur që paqen dhe stabilitetin në Kosovë ta ruajë me çdo çmim dhe në çdo pjesë të saj. “Nuk është roli im që të spekuloj rreth proceseve politike, por në rast të kërcënimit të prishjes së gjendjes në Kosovë, ne kemi plane dhe sipas nevojës edhe do t'i përdorim ato”, ka thënë komandanti i KFOR-it.

XS
SM
MD
LG