Ndërlidhjet

HAXHIU:”KA RREZIK QË PROBLEMI I KOSOVËS TË SHNDËRROHET NË KONFLIKT TË NGRIRË”


Baton HAXHIU, analist

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Haxhiu, bisedimet e ndara mes treshes dhe Prishtinës e Beogradit janë duke u zhvilluar, por pa ndonjë rezultat konkret deri më tani. Si në të vërtetë i shihni ju zhvillimet rreth këtij procesi?

BATON HAXHIU
Unë nuk mendoj se do të ketë zhvillime, unë mendoj se do të ketë përpjekje për të ndërhyrë në procesin e kaluar dhe për të ndërhyrë në dokumentin e Ahtisaarit. Realisht përpjekja e kompromisit të bashkësisë ndërkombëtare do të varet kryesisht nga SHBA-të, për arsye se ato janë të vetmet që mund të ndikojnë te grupi kosovar. Por, e mira e krejt këtij procesi është se kemi një deklarim të SHBA-ve dhe të Presidentit Bush për pavarësinë e Kosovës dhe nuk mendoj se do të ketë ndonjë hipokrizi politike që ky qëndrim të ndryshohet.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se 10 dhjetori do të përmbyllë në të vërtetë këtë proces negociator apo do të ketë shtyrje të tjera?

BATON HAXHIU
Do të përmbyllë negociatën e tre përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare dhe nuk besoj se do të përmbyllë edhe procesin. Mendoj se do të ketë ende shumë punë për t’u bërë. Konsideroj se e gjithë kjo do të përfundojë ndoshta me një konferencë ndërkombëtare. Me dëshirë të madhe nuk do të pranoja po të isha si lider, për arsye se kur hyn në një konferencë ndërkombëtare kompromiset janë më të mëdha se ato që janë bërë. Unë nuk po shoh që procesi mund të ndryshojë dhe nuk po shoh gatishmëri të bashkësisë ndërkombëtare për një njohje unilaterale. Prandaj, në këtë proces do të ketë zhvillime edhe ndoshta 100-ditëshe të tjera, për arsye se pas 10-shit fillon procesi i pushimeve të institucioneve ndërkombëtare, të cilat nuk kanë dëshirë të merren me gjëra të rëndësishme. 10 dhjetor-15 janar, do me thënë 40 ditë do të jenë ekskluzivisht të ndara për pushimet e burokracisë evropiane dhe ndërkombëtare. Pas 15 janarit do të ketë një rivendosje të procesit. Se si do të jetë me Qeverinë e re të Kosovës, me Kuvendin e ri, do të shohim, por unë konsideroj se ne shqiptarët nuk do të duhej të kemi pritje të mëdha në datën 10, as 11 e as në ditët tjera që vijnë para vitit të ri.

RADIO EVROPA E LIRË
Përmendet festat, të cilat mund të jenë ndoshta një faktor, kur qendrat e vendosjes nuk duan të marrin vendime të mëdha. Mirëpo, ç’faktorë tjerë ka që bëjnë që mos të ketë një disponim për njohjen e pavarësisë së Kosovës në qendrat vendosëse?

BATON HAXHIU
Gjithë procesi dëshirohet t’i kthehet Këshillit të Sigurimit. Nëse i kthehet Këshillit të Sigurimit, atëherë po themi që zgjedhjet për president në Rusi janë në muajin mars dhe nevojiten për rikonfirmim të fuqisë së Rusisë në Këshillin e Sigurimit, e cila e përdor, ta zëmë, për çështje të brendshme të saj; ky është një prej faktorëve që është faktori kryesor. Dhe, meqenëse gjendja do të kthehet në Këshillin e Sigurimit, atëherë unë konsideroj se Këshilli i Sigurimit do të mund ta sjellë vetëm një rezolutë, e cila do ta ndërrojë misionin, por nuk do të ndryshojë gjendjen e statusit. Gjendja e statusit do të jetë pjesë e procesit në të ardhmen. Ajo që i frikësohem unë është konflikti i ngrirë, i cili mund të krijohet për shkak të vetos ruse. Por, konsideroj se është vështirë për liderët tanë që të marrin një vendim që unilateralisht ta shpallin pavarësinë e Kosovës. Është vendim i vështirë për arsye se e kemi shumë vështirë ta ruajmë veriun, edhe pse konsideroj se veriu është pjesë e humbur – këtë e kam thënë që nga viti 1999 dhe vazhdoj ta them. Duhet një proces i gjatë për ta rikthyer veriun, një proces i marrëveshjeve, një proces i ndërtimit të marrëdhënieve që do të jenë shumë të vështira. Unë nuk di se çfarë do të ndodhë pas marsit, sepse pas marsit kemi ndoshta një president tjetër rus, por e di që procesi deri në mars nuk do të ketë ndryshime të mëdha. Dhe, e di që pa SHBA-të dhe Bashkësinë Evropiane nuk do të ishte mirë, po them kushtimisht, që të hyjmë në një valle të paqartë, të panjohur të shpalljes së pavarësisë dhe të mosnjohjes nga këto vende. Ne duhet ta kemi një qartësi, të na njohin SHBA-të dhe shtetet e BE-së, ose ta kemi një garanci të njohjes së SHBA-ve dhe fqinjëve, së paku Shqipërisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi, për arsye të qarkullimit të lirë.

RADIO EVROPA E LIRË
Përmendet veriun e Kosovës, ndërkohë që i dërguari evropian, Wolfgang Ischinger, ka thënë më herët se nëse ka pajtim të palëve edhe ndarja mund të jetë opsion. Por, vetë treshja ndërkombëtare, së fundi, e ka hedhur poshtë këtë opsion. Çfarë fshihet pas këtyre deklaratave?

BATON HAXHIU
Ajo është realisht matje pulsi. Është një lloj kërcënimi indirekt, që nëse shpallet pavarësia unilaterale, ndarja është e gatshme. Ky është interpretimi im për variantin e ndarjes dhe është një lloj presioni ndaj Grupit të Unitetit ‘që është rrezik që ju unilateralisht të shpallni pavarësinë, që si kompromis tani të negociohet për ndarje’. Konsideroj që është momenti i duhur që liderët tanë të mendojnë edhe për këtë opsion, që ndoshta në këtë proces nuk mund të hedhet në tavolinë, por në një proces të ardhshëm do të jetë ndoshta argumenti kryesor i ndarjes definitive dhe juridike me Serbinë.

RADIO EVROPA E LIRË
Javën e kaluar, shefi i UNMIK-ut shpalli 17 nëntorin si datë të zgjedhjeve. Si e vlerësoni ju këtë vendim dhe sa në të vërtetë do të ruhet uniteti i Ekipit të Unitetit, siç kanë thënë ata se do të bëjnë gjatë fushatës parazgjedhore?

BATON HAXHIU
Ata janë kritikuar dhe janë sharë mes vete edhe këto vite, madje ka pasur sharje shumë më të ashpra sesa në këtë periudhë. Konsideroj që zgjedhjet kanë qenë të domosdoshme, jo të nevojshme, për arsye se humbja e legjitimitetit sikur në vitin 1998 krijon mundësinë që të jetë legjitim secili nga ne, qytetarët e Kosovës. Prandaj, Kosovës i duhet një organizëm legjitim që del nga zgjedhjet dhe atëherë me votë ata do ta legjitimojnë edhe procesin dhe do të kenë mundësi të vendimit për të ardhmen e Kosovës. Nuk besoj që do të ketë variant më të mirë për Kosovën sesa zgjedhjet e 17 nëntorit dhe asnjë variant nuk do të jetë më i mirë për të shpjeguar procesin dhe statusin nga ana e liderëve në takim me qytetarët e Kosovës.

INTERVISTOI: ALBANA ISUFI
XS
SM
MD
LG