Ndërlidhjet

LISTËS SË PDK-SË I PRIN THAÇI, ASAJ TË AAK-SË HARADINAJ, LDK-JA VENDOS JAVËN TJETËR


Zijadin Gashi

Caktimi i listave të kandidatëve për zgjedhjet e ardhshme në Kosovë është aktualisht prioriteti numër një i partive politike. Ato synojnë që të respektojnë afatin e përcaktuar dhe më 12 shtator t’i dorëzojnë listat e kandidatëve, me të cilat do të garojnë si në nivelin lokal, ashtu edhe listat për nivelin qendror. Lidhja Demokratike e Kosovës konsideron se sistemi që po aplikohet sivjet, ai proporcional me lista të hapura, sado që është më i komplikuar, politikisht konsiderohet si më i avancuar. Zëdhënësi i LDK-së, Vehbi Miftari, thotë se kjo parti e ka përcaktuar edhe mënyrën e punës që do të aplikohet për përpilimin e listave dhe pret që ato të jenë gati para 12 shtatorit. “Për sa i përket nivelit lokal, listat do të hartohen fillimisht nga degët e LDK-së, pas një debati të gjerë që do të zhvillohet në këtë nivel dhe do të harmonizohen në Kryesinë qendrore të LDK-së. Ndërsa, sa i përket listës për deputetë në Kuvendin e ardhshëm të Kosovës, propozimet do të bëhen në Kryesinë qendrore të LDK-së dhe pastaj, në fillim të javës së ardhshme, do të diskutohen dhe miratohen në Këshillin Qendror të partisë”, ka thënë Miftari. Ndërkohë, listës së Partisë Demokratike të Kosovës qysh tash dihet se do t’i prijë kryetari i saj, Hashim Thaçi. Nënkryetari i PDK-së, Hajredin Kuçi, tha se procedurat e përcaktimit të listave të kandidatëve do të kalojnë sipas statutit të partisë, duke besuar se në fund PDK-ja do të dalë me rezultatin që edhe e pret nga këto zgjedhje. “Partia Demokratike e Kosovës në çdo kuptim hyn që të jetë partia e parë politike në Kosovë. Ne i kemi identifikuar edhe individët permanentë, por njëkohësisht edhe çështjen kadrovike dhe programore. Kjo është çështje shumë e lehtë për PDK-në. Tani më kemi vetëm procedurat që vijnë me propozime nga degët e partisë, të cilat do të miratohen nga Kryesia e partisë dhe përfundimisht lista do të votohet në Këshillin Drejtues të PDK-së”, ka pohuar Kuçi. Në anën tjetër, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka dalë sot edhe me emrin që do t’i prijë listës zgjedhore të kësaj partie. Ai është kryetari i saj, Ramush Haradinaj, ndaj të cilit aktualisht po zhvillohet procesi gjyqësor në Tribunalin e Hagës. Nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi, tha sot se beson që procesi ndaj Haradinajt do të përfundojë së shpejti dhe ai do të shpallet i pafajshëm. Isufi tha po ashtu se pret që Ramush Haradinaj t’i prijë edhe fushatës zgjedhore të AAK-së. “Hendikepi që ka Aleanca tani për tani me mungesën e zotit Haradinaj, do të mbulohet me angazhim, duke pasur parasysh vizionin e zotit Haradinaj dhe programin që paraqet Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Ne jemi të bindur se zoti Haradinaj është i pafajshëm dhe ai do të jetë në fushatën zgjedhore me ne, sepse edhe gjyqi do të përfundojë së shpejti, besojmë”, është shprehur Isufi. Bazuar në rregulloret e nënshkruara nga shefi i UNMIK-ut, zgjedhjet e 17 nëntorit do të mbahen në të dy nivelet. Votuesit do të mund të votojnë për 10 kandidatë të një partie për Parlamentin e Kosovës, për kandidatët e partive për zgjedhjet lokale, si dhe do të mund të votojnë për zgjedhjen e kryetarëve të komunave, të cilët kësaj radhe do të zgjidhen drejtpërdrejt. Sidoqoftë, në bazë të marrëveshjes së arritur ndërmjet kryeadministratorit Joachim Ruecker me Ekipin e Unitetit, zgjedhjet e 17 nëntorit edhe mund të shtyhen pas statusit, nëse paraprakisht vlerësohet se ato po pengojnë apo po ndikojnë në shtyrjen e vendimit për statusin e Kosovës.
XS
SM
MD
LG