Ndërlidhjet

logo-print

MARSH PAQËSOR KUNDËR KRIMIT


Arton Konushevci

Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për ta luftuar krimin e organizuar deri në fund, ka thënë kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, në marshin paqësor, të mbajtur sot në shenjë kundërshtimi ndaj krimit të organizuar. Marshi pason vrasjen e Triumf Rizës, pjesëtar i Shërbimit Policor të Kosovës, dhe është mbajtur nën organizimin e Iniciativës Qytetare të Kosovës. Pjesëmarrës ishin qytetarë të shumtë, të cilët kanë marshuar përgjatë rrugëve qendrore të Prishtinës, duke u nisur nga lagjja Dardania, ku më 30 gusht, me armë zjarri është vrarë Triumf Riza. Kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, ka thënë se nuk ka mungesë të vullnetit për të respektuar ligjet dhe se në fund do të triumfojë drejtësia. “Jam këtu, së bashku me ministrin dhe bashkëpunëtorët e mi, në radhë të parë si qytetar i Kosovës, për ta shprehur indinjatën dhe revoltën e thellë për atë që ka ndodhur. Por, jam këtu edhe si kryeministër, së bashku me ministrin, për ta dëshmuar përkushtimin tonë, për ta luftuar krimin deri në fund. Sundimi i ligjit është prioriteti numër një i kësaj Qeverie. Ne ndoshta mund të mos kemi rezultate të plota çfarë duhet dhe çfarë i kërkon opinioni, por nuk kemi mungesë të vullnetit. Ne jemi duke diskutuar edhe me ministrin, edhe me komisionarin, edhe me gjeneral Ahmetin, që duhet vërtet të jemi shumë më aktivë në luftimin e krimit dhe ta çrrënjosim krimin nga Kosova, nga jeta jonë e përditshme, të mos kemi raste të tilla”, është shprehur kryeministri Çeku. Ai ka thënë se institucionet e Kosovës janë duke punuar vazhdimisht me gjyqësinë, policinë e Kosovës dhe të UNMIK-ut, për të pasur rezultate të dukshme në zhdukjen e krimit të organizuar. Ministri i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës, Blerim Kuçi, tha se duhet të bëhen sa më shpejt reformat në gjyqësi, për të pamundësuar çdo formë të krimit të organizuar. "Ne kemi dalë për të përkrahur çdo iniciativë që ka të bëjë me luftën kundër krimit; së bashku me qytetarët dhe me Iniciativën Qytetare, ne do t’i koordinojmë këto çështje dhe besoj se do të jemi më të suksesshëm. Sa i përket gjyqësisë, e dini që kemi edhe ne disa vërejtje, nuk jemi të kënaqur me punën e gjyqësisë. Ndoshta ky është një presion pozitiv për të filluar sa më shpejt reformat në gjyqësi", ka thënë Kuçi. Edhe qytetarët e Kosovës, pjesëmarrës në marsh, kanë thënë se të gjithë kriminelet duhet të kapen dhe të nxirren para drejtësisë. "Të luftohet deri në fund e jo të mbetet në gjysmë sikur rastet tjera", tha një qytetar i Prishtinës. Qytetarët, në këtë marsh paqësor, gjatë gjithë kohës kanë mbajtur në duart e tyre pano me mbishkrimin ‘Triumf, gjithmonë me ty‘ dhe fotografi të shumta. Me rastin e këtij marshi, edhe shefi i administratës ndërkombëtare, Joachim Ruecker, nëpërmjet një komunikate për opinion, ka thënë se vrasja e Triumf Rizës është një krim i tmerrshëm dhe tragjik. Zoti Ruecker ka thënë se vrasja e Triumfit i ka bashkuar si asnjëherë më parë të gjithë ata që e kundërshtojnë krimin.
XS
SM
MD
LG