Ndërlidhjet

logo-print

NËNSHKRUHET MEMORANDUM BASHKËPUNIMI PËR LUFTIMIN E KORRUPSIONIT


Zijadin Gashi

Agjencia Kosovare Anti-Korrupsion dhe Shërbimi i Inteligjencies Financiare të UNMIK-ut kanë nënshkruar sot një memorandum, sipas të cilit këto dy shërbime i koordinojnë aktivitetet e tyre në rritjen e bashkëpunimit për luftimin e korrupsionit. Drejtori i Agjencisë Anti-Korrupsion, Hasan Preteni, tha se qëllimi i këtij bashkëpunimi është koordinimi i aktiviteteve që kanë të bëjnë me luftimin e dukurisë së korrupsionit dhe spastrimit të parasë. Preteni tha se nga burimet e ndryshme, deri më tash Agjencia që ai drejton ka proceduar me 37 raste të dyshuara për korrupsion te organet përkatëse të prokurorisë dhe gjykatave. “Deri më tani, 37 raste i kemi përcjellë në prokurori. Ne e shohim çdo informatë për korrupsion si konfidenciale, si për kah përmbajtja, ashtu edhe për kah burimi dhe vetëm në bazë të shkrimeve e shohim se në disa raste ka veprime konkrete, por ne nuk prononcohemi për to. Ka një mungesë në koordinimin mes institucioneve tona, mirëpo me një presion të mundshëm, me një fleksibilitet të lejueshëm, ne nga prokuroritë së shpejti do të kemi raportin për fatin e informatave që janë përcjellë nga Agjencia”, tha Preteni. Ndërsa ai është angazhuar për forma të ndryshme të presionit ndaj organeve përkatëse që raportet e Agjencisë së tij të shqyrtohen, hetohen dhe dalin para drejtësisë për të gjitha rastet e dyshuara për korrupsion, në anën tjetër drejtori i Shërbimit të Inteligjencies Financiare të UNMIK-ut, Kevin Stephanson, tha se raportet e Shërbimit të tij tashmë kanë rezultuar edhe me burgosjen e disa personave të dyshuar për korrupsion apo spastrim parash. Stephanson tha se Shërbimi i tij i ka dorëzuar prokurorisë raporte për 124 raste të dyshuara për korrupsion. Në mesin e tyre, ai përmendi edhe rastet për të cilat dyshohet se paratë kishin destinacion financimin e terrorizmit. “Sa i përket financimit të terrorizmit, bazuar në dyshimet tona, hetimet janë duke vazhduar dhe unë nuk do të komentoj këtë, por duke i llogaritur ato në para, bëhet fjalë për një shumë prej më pak se 1 milion euro”, tha Stephanson. Sidoqoftë, të dy përgjegjësit e agjencive anti-korrupsion thanë se detyra e tyre është përcjellja e raporteve te prokuroritë në bazë të dyshimeve për korrupsion, mirëpo rolin parësor më pas në procedimin e këtyre rasteve e kanë pikërisht prokuroritë, gjykatat dhe organet tjera kompetente. Duke konsideruar se korrupsioni ka një shtrirje tejet shqetësuese në Kosovë, këto ditë ka filluar edhe faza e dytë e informimit publik për luftimin e korrupsionit. Sipas Hasan Pretenit, korrupsioni ka shtrirje më të madhe në Qeverinë e Kosovës, në pushtetin lokal, në ndërmarrjet publike dhe në gjyqësor. Ndërkaq, Agjencia për Zhvillim e Kombeve të Bashkuara, në kuadër të kësaj fushate, ka tërhequr vërejtjen se nëse korrupsioni shtrihet dhe mbetet në Kosovë, atëherë statusi final i Kosovës do të jetë: varfëria, padrejtësia sociale dhe zhvillimi i ulët ekonomik.
XS
SM
MD
LG