Ndërlidhjet

DACI:"ELEKTORATI ËSHTË NGOPUR ME PËRRALLA..."


Nexhat DACI, kryetar i Lidhjes Demokratike të Dardanisë

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Daci, procesi i bisedimeve për gjetjen e një zgjidhjeje për statusin e Kosovës ka rifilluar. Deri më tash është thënë se nuk është arritur ndonjë përparim. Si e shihni ju këtë proces?

NEXHAT DACI
Unë mendoj se është një proces i dobishëm jo për Kosovën, por për kompleksitetin e problemit, sepse u jepet kohë shteteve të Bashkimit Evropian që kanë dallime të theksuara, që nga aprovimi i Kushtetutës, do të thotë refuzimi i Kushtetutës, probleme të pazgjidhura të traditës individuale të 26 shteteve. Të gjitha këto krijojnë probleme që në një mënyrë pengojnë që Bashkimi Evropian të paraqitet si një strukturë unike, sepse nuk ka një Qeveri unike, nuk ka, të themi, një ministër të jashtëm... Unë nuk e shoh aq shumë problematike; do të thotë blerje e kohës, sepse unë kam qenë i bindur që nga fillimi me një qasje jo fort serioze të nivelit të duhur të ne - kosovarëve, të përfaqësuesve tanë, duke neglizhuar një forcë reale në Evropë - Rusinë dhe këto kanë rezultuar në një përfundim të këtillë. Prandaj, nuk është ndoshta edhe humbje aq e madhe sa përfitim i Kosovës, nëse Bashkimi Evropian arrin unitet dhe të jetë partner i fuqishëm i SHBA-ve për zgjidhjen përfundimtare të statusit.

RADIO EVROPA E LIRË
Ky proces, rifillimi i bisedimeve, për ju nuk është një rrugë e mirë deri te një rezultat për statusin e Kosovës, pra mendoni se janë bisedime, thënë kushtimisht, koti?

NEXHAT DACI
Në aspektin e izoluar kosovar janë kot, fizikisht nëse e shikojmë. Por, në aspektin afatgjatë të krijimit të unitetit të shteteve të Bashkimit Evropian, janë shumë të dobishme edhe për Kosovën se do të mund të na ndihmojnë më tepër, jo vetëm të flitet, në aspektin e dërgimit të ekspertëve të përkrahjes së projekteve zhvillimore. Mos harroni se sot për sot ndihma financiare nga Bashkimi Evropian është shumë e vogël në projekte konkrete të zhvillimit të Kosovës, në krahasim me projektet që i përkrahin në Serbi ose në rajon.

RADIO EVROPA E LIRË
Ministri i Jashtëm francez, Bernard Kouchner, ka kërkuar nga Bashkimi Evropian unitet mbi të ardhmen e Kosovës nëse bisedimet dështojnë. A mendoni se do të arrihet ky qëllim?

NEXHAT DACI
Unë besoj po. Nuk besoj në unitetin e plotë të shteteve të Bashkimit Evropian, në veçanti të një boshti që është identifikuar, qoftë për nga përkatësia ideologjike ose diçka tjetër. Ka mundësi që për shkak të problemeve të brendshme të tyre, ata të hezitojnë, por në përgjithësi për politikën globale, në rast të Kosovës, do të jetë e mirë.

RADIO EVROPA E LIRË
Si i shihni zhvillimet rreth përcaktimit të statusit pas 10 dhjetorit, afat i caktuar nga Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon, për përfundimin e bisedimeve?

NEXHAT DACI
Mjerisht unë nuk jam optimist që më 11 dhjetor Kosova do ta fitojë statusin që e meriton. Unë e shikoj gjithmonë çështjen si një proces në zhvillim dhe për mua ka shumë rëndësi vlerësimi se a është ajo lakore e ngritjes së cilësisë së statusit apo është lakore që shkon teposhtë, që na çon në humnerën e mëtutjeshme. Prandaj, për Lidhjen Demokratike të Dardanisë dhe për mua personalisht, data e dhjetorit nuk është datë aq e rëndësishme. Është e rëndësishme që ne të jemi të përgatitur për udhëheqjen e shtetit, të kemi institucione të besueshme, të përgjegjshme, të kemi liderë që njëherë e përgjithmonë e dinë që i japin përgjegjësinë, nën një, Kosovës, elektoratit të vet, familjes së vet dhe me atë përgjegjësi të fituar të tillë, të jenë partnerë të përgjegjshëm dhe seriozë ndaj bashkësisë ndërkombëtare.

RADIO EVROPA E LIRË
Atëherë çfarë prisni të ndodhë pas 10 dhjetorit?

NEXHAT DACI
Unë pres freskime të dukshme në skenën udhëheqëse në Kosovë. Mendoj se Kosova dhe elektorati jonë është ngopur me ëndrrat tona, me përralla që as fëmijët nuk i besojnë – "sot do ta kemi këtë e nesër do ta kemi atë". Dhe, mosndërmarrja e hapave konkretë në asnjë lëmi për përmirësimin e cilësisë së qytetarëve e ka ngopur ndjenjën politike në Kosovë dhe besoj se kësaj radhe votuesi kosovar do të jetë shumë serioz para kutive të votimit.

RADIO EVROPA E LIRË
Deri atëherë, përpara klasës politike në Kosovë shtrohet edhe një sfidë tjetër, ajo e zgjedhjeve vendore dhe të përgjithshme. Shefi i UNMIK-ut, Joachim Ruecker, e ka rezervuar të drejtën për t’i shtyrë ato nëse kërcënohet procesi i statusit. Ju, çfarë mendoni?

NEXHAT DACI
Unë mendoj se këto janë lojëra për fëmijë, sepse në Kosovë nuk ka njeri që do t’i jepte përparësi pozitës së vet ose zgjedhjes së vet para statusit. Dhe do të isha njeriu më i lumtur që të vijë zgjedhja, që statusi është prioriteti i të gjitha prioriteteve. Dhe, kjo ka bërë që LDD-ja ka qenë kundër vetvetes, kundër rezultateve të saja duke mos u definuar si pozitë - opozitë, për të mos i dëmtuar institucionet që të kryejnë punë të përgjegjshme. Prandaj, zgjedhjet do të mbahen dhe ku ta kemi atë fat që të arrihet unitet në diagonalen Uashington-Bruksel dhe statusi të jetë me 17 nëntor dhe ne do ta festonim më mirë se gjithkush këtë. Zgjedhjet do t’i linim në kohën kur të jemi të relaksuar. Pra, nuk ka teori për shtyrjen e zgjedhjeve.

Intervistoi: Arton KONUSHEVCI
XS
SM
MD
LG