Ndërlidhjet

MOORE:"KËRCËNIMET SERBE - TEATËR PËR PAZARLLËK"


Patrick MOORE, analist i radios Evropa e Lirë

RADIO EVROPA E LIRË
Z. Moore, duket sikur ka një mospërputhje në deklaratat e fundit nga Beogradi. Ministri i Jashtëm Vuk Jeremiç ka thënë se Serbia nuk do të përdorë forcë ushtarake, por ky prononcim dallohet nga ai i sekretarit shtetëror për Kosovën Dushan Prorokoviç, i cili ka thënë se ushtria serbe mund të kthehet në Kosovë nëse ajo e shpall pavarësinë. A mund ta shpjegoni këtë mospërputhje?

PATRICK MOORE
Mund të ketë disa shpjegime. Njëri është se kemi të bëjmë me një qeveri , e cila njihet se ka disa fraksione, ku secili prej tyre e paraqet agjendën e vet themelore. Është në natyrën e ministrit të Jashtëm që ta prezantojë pikëpamjen e vendit të vet. Gjithashtu është në natyrën e sekretarit shtetëror për Kosovën që të tregojë se mandatin e vet po e kryen me shumë vendosmëri. Por siç thatë ju, këtu ka mjaft mospërputhje.

RADIO EVROPA E LIRË
Po a mendoni se Serbia do të përdorte forcën kundër Kosovës?

PATRICK MOORE
Personalisht mendoj se do ta kishte të vështirë, dhe ata e dijnë këtë. Në Kosovë ka trupa të NATO-s të armatosura deri në dhëmbë, janë trupat më të mira luftuese në mbarë botën, dhe ato ishin në gjendje t'i zbrapsin trupat e Millosheviqit në vitin 1999. Ato lehtë do t'ia dilnin në krye edhe me këtë ushtri serbe, e cila ka shumë më pak përvojë, ndërsa komandantët e saj janë shumë më pak të motivuar, sepse çdo serb e din se asgjë nuk do të fitonte nga një luftë e re. Interesi kryesor për serbët e zakonshëm është që të hyjnë në Bashkimin Evropian, t'u hiqen ndalesat e udhëtimit të lirë jashtë vendit dhe ta përmirësojnë gjendjen sociale. Ata e dijnë se duke zhvilluar luftëra nuk do ta fitojnë asnjërën prej këtyre.

RADIO EVROPA E LIRË
Pra, çfarë mendoni se do të ndodhë më 10 dhjetor?

PATRICK MOORE
Ajo që shohim këtu është se këto mospërputhje nuk janë krejtësisht të rastësishme. Ata po përpiqen që të bëjnë sa më shumë zhurmë me kryelajmet, të cilat mediat perëndimore i gëlltitin shumë shpejt. Mendoj se duan ta rikthejnë vëmendjen tek vetja duke krijuar atmosferë të nervozës, pothuaj të histerisë, me shpresë që të fitojnë një marrëveshje më të mirë deri më 10 dhjetor. Këtë kryesisht e shoh si një stërvitje për pazarllëk rreth statusit. Serbia nuk e udhëheq Kosovën prej vitit 1999. Shumica e politikanëve serbë e dijnë se e kanë humbur Kosovën, dhe në fakt më nuk kanë se çfarë të humbin. Pra, shohim se po luhet vetëm një teatër i madh.
XS
SM
MD
LG