Ndërlidhjet

GJAKOVË: SYNIMET PËR TË ECUR PËRPARA


Albana Isufi

Gjakova, që vlerësohet se pati humbjet më të mëdha gjatë luftës në aspektin njerëzor e material, i ka vënë synim vetvetes të ecë përpara dhe me anë të zhvillimit ekonomik të rikuperojë plagët që ende për shumë gjakovarë kanë mbetur të hapura. Kryeshefi ekzekutiv i kësaj komune, Palë Lekaj, pranon se ka pasur ngecje në zhvillimin e komunës, që ka më shumë se 150 mijë banorë. Por, ai premton një lëvizje të gjërave që do ta çojnë Gjakovën përpara. “Objektiv yni është që të shtohet efikasiteti në Qeverinë lokale, të krijohet një ambient i shëndoshë për të gjithë qytetarët dhe të gjithë shërbyesit civilë të jenë në shërbim të qytetarëve dhe të jenë forca shtyse e të gjitha proceseve pozitive që shkojnë në favor të qytetit”, thotë Lekaj. Papunësia, që vlerësohet të jetë mbi 30 për qind, rëndon qytetin perëndimor, që dikur ruante namin e qyteteve më të zhvilluara të Kosovës. Musa Kurhasku, nga Gjakova, thotë se qyteti i tij nuk ka parë deri tash ndonjë investim të madh, që do të hapte vende të reja pune. ”Në Gjakovë s’ka pasur investim kapitali për zhvillim të hovshëm, meqë po rritet numri i të rinjve. Gjakovën e ka lënë prapa privatizimi, pasi që ndërmarrjet e shumta që kanë qenë, kanë mbetur gërmadha të sistemit të kaluar dhe AKM-ja ka bërë shumë pak këtu, pasi që nuk e ka pranuar statusin e mëparshëm të shoqërive aksionare”, thotë Kurhasku. Megjithatë, Palë Lekaj thotë se pavarësisht çalimit në hapjen e vendeve të reja të punës, me privatizimin e ndërmarrjeve duket se kjo gjendje do të zbutet. “Privatizimi ka ngecur deri në vitet e fundit, por ka filluar një e mbarë, pasi që ka filluar privatizimi i ndërmarrjeve të mëdha. Kështu që ka një përmirësim në atë drejtim dhe ka punësim të qytetarëve, por nuk është arritur objektivi ynë në përgjithësi”, thekson Lekaj. Por, nuk është vetëm papunësia barrë për gjakovarët. Numri i madh i të pagjeturve ka bërë që Gjakova të identifikohet me këtë problem. Ferdeze Efendia, nga Organizata Joqeveritare ‘Thirrjet e Nënave’, para dy vjetësh ka varrosur të birin, kufoma e të cilit është gjetur në varrezat masive në Serbi. Zonja Efendia thotë se është bërë pak për të zgjidhur këtë problem, ndërsa thotë se për familjet e të pagjeturve ka pasur vetëm përkrahje morale. “Kemi pasur përkrahje morale, sepse është një qytet i goditur shumë, ka shumë të pagjetur, ka shumë të vrarë, është një qytet i djegur, gjithçka ka ndodhur në këtë qytet. Pra, kemi gjetur përkrahje morale, por nuk kanë mundur të ndikojnë që të zbardhin fatin e të pagjeturve”, thotë Efendia. Në Komunën e Gjakovës ka mbetur pa u zbardhur fati i 64 personave, prej gjithsejtë 677 personave që figuronin si të pagjetur menjëherë pas luftës. Familjarët e të pagjeturve kërkojnë mbështetje më të madhe institucionale. Kryeshefi ekzekutiv, Palë Lekaj, thotë se institucionet ndërkombëtare duhet të bëjnë më shumë për të gjetur edhe personin e fundit të zhdukur. “Pa u gjetur edhe njeriu i fundit nuk do të ketë qetësi shpirtërore te këto familje”, shprehet Lekaj, i cili postin e kryeshefit ekzekutiv e ka marrë para katër muajsh. Sikur edhe në komunat tjera, edhe në Gjakovë partitë politike kanë filluar përgatitjet për zgjedhjet lokale, që do të mbahen më 17 nëntor. Megjithatë, Palë Lekaj u ka kërkuar të gjithë krerëve të drejtorive komunale, që të japin maksimumin dhe brenda Kuvendit Komunal të mos ekzistojë flamur partiak, por vetëm ai që është në shërbim të qytetarëve.

XS
SM
MD
LG