Ndërlidhjet

KTHIMI I TË ZHVENDOSURVE – ÇËSHTJE HUMANITARE E JO POLITIKE


Arton Konushevci

Çështja e personave të zhvendosur është çështje humanitare dhe teknike, e nuk është problem politik, ka thënë ministri i Ministrisë së Kthimit dhe Komuniteteve, Branisllav Gërbiq. Ai ka shtuar se për të pasur një kthim të suksesshëm, posaçërisht të pjesëtarëve të komunitetit serb, në këtë proces duhet të inkuadrohen të gjithë faktorët vendorë dhe ndërkombëtarë, përfshirë këtu edhe Beogradin.
“Procesi i kthimit është proces i ndërlikuar në realizimin e tij; duhet të kyçen shumë faktorë, duke llogaritur edhe Beogradin. Nëse këtë proces e shikojmë si çështje humanitare e jo politike, është me rëndësi që në zgjidhjen e saj të kyçen të gjithë, pra edhe Beogradi”, tha Gërbiq. Sipas tij, për t'u zgjidhur problemi i personave të zhvendosur së pari duhet të krijohen kushtet, siç janë: liria e lëvizjes, ndërtimi i shtëpive të rrënuara, zhvillimi ekonomik dhe të ketë vende të reja pune. “Problemi më i madh, siç e dimë, është ajo që ka ndodhur më 1999; kthimi i mirëbesimit në institucionet e sistemit dhe bashkësisë ndërkombëtare nga faktorët e stabilitetit; liria e lëvizjes së njeriut - si një ndër kushtet më kryesore për kthim”, theksoi Gërbiq. Çështje tjera, sipas tij, janë investimet dhe krijimi i kushteve në infrastrukturë, objektet e banimit, punësimi, që do të thotë krijimi i një besimi për ardhmërinë e tyre në vendet ku kthehen, pasi që nuk mjafton vetëm ndërtimi i shtëpisë. Këto komente, ministri Gërbiq i bëri në një konferencë të organizuar nga Agjencia Evropiane për Rindërtime në Kosovë, në të cilën morën pjesë ekspertë të ndryshëm. Njëri prej tyre, eksperti Bardhyl Hasanpapaj, ka thënë se janë disa faktorë që ndikojnë në një kthim të qëndrueshëm, si vullneti i të gjitha palëve ku janë dhe ku qëndrojnë refugjatët, por, siç thotë ai, faktori kryesor është siguria. “Vullneti i të gjitha palëve të përfshira që refugjatët dhe personat e zhvendosur të kthehen. Me vullnet nënkuptoj vullnetin e vendit ku qëndrojnë përkohësisht, vullnetin e vendit pritës ku duhet të kthehen dhe vullnetin e të gjithë akterëve ndërkombëtarë. Megjithatë, faktor kyç është siguria, kushtet në vendin ku ata kthehen, kushtet ekonomike dhe sociale. Faktikisht, refugjatëve duhet t’u ofrohen kushtet e standardit të përgjithshëm; ai është minimumi, pa të cilin nuk mund të kërkohet një kthim i minoriteteve apo i refugjatëve - personave të zhvendosur”, tha Hasanpapaj. Ndryshe, përfaqësues të Agjencisë Evropiane për Rindërtim kanë thënë se kjo agjenci do ta ndihmojë Ministrinë për Kthim në mënyra të ndryshme, si me trajnime profesionale të punonjësve, me ndihmë për zhvillime organizative dhe me forcimin e krijimin e mekanizmave menaxhues.

XS
SM
MD
LG