Ndërlidhjet

PRISHTINA PROPOZON MEMORANDUM MIRËKUPTIMI PËR RREGULLIMIN E RAPORTEVE ME SERBINË


Zijadin Gashi

Delegacioni i Kosovës në bisedimet për statusin është duke finalizuar një memorandum mirëkuptimi për rregullimin e marrëdhënieve Kosovë - Serbi, të cilin mëton t’ia paraqesë Treshes negociuese, më 19 shtator në Londër. Ky memorandum apo trakt, varësisht se si do të quhet, pritet të finalizohet të martën nga Ekipi Negociues. Zëdhënësi i delegacionit të Kosovës, Skënder Hyseni, tha se Prishtina, që nga dita e parë e fazës shtesë së negociatave, ka hyrë në proces si palë, që në këto bisedime mund të bisedojë vetëm për raportet Kosovë - Serbi, si dy shtete fqinje, por jo edhe të bisedojë me Beogradin për statusin e saj. Pavarësisht nëse Beogradi e pranon apo jo, Prishtina, tha Hyseni, është e vendosur që krejt çka mund të bisedojë me Serbinë, është rregullimi i raporteve mes dy vendeve. “Ne do ta bëjmë punën tonë në këtë proces negociator. Nuk kemi asnjë arsye të kemi frikë se çfarë do të përkrahë apo çfarë do të refuzojë Beogradi. Është krejtësisht punë e tyre. Ne do t’i bëjmë të gjitha përpjekjet para bashkësisë ndërkombëtare, para Treshes, para opinionit ndërkombëtar, që të krijojmë përshtypjen e mirëfilltë, jo të rreme, të qëndrueshme, se synojmë marrëdhënie të mira fqinjësore, përkundër të kaluarës tragjike mes dy vendeve, sepse është në të mirë të popullit dhe të Kosovës në rend të parë, por është edhe në të mirë të marrëdhënieve afatgjate rajonale, që janë një parakusht i pazëvendësueshëm për integrimet e mëtejme euro-atlantike”, ka thënë Hyseni. Ndërsa faza shtesë e negociatave po vazhdon, paralajmërohen dhe takime të drejtpërdrejta Prishtinë - Beograd. Mirëpo, këto ditë, një zyrtar i Qeverisë së Serbisë është kërcënuar se Serbia do të ndërhyjë edhe me forcë në Kosovë nëse perëndimi e njeh pavarësinë e Kosovës. Deklaratat e tilla, në Prishtinë vlerësohen se e rëndojnë edhe më shumë procesin, duke pasur parasysh të kaluarën aspak të këndshme mes dy vendeve. Skënder Hyseni tha se deklaratat luftënxitëse janë të çmendura, reflektojnë mungesën e vizionit për realitetin e ri të krijuar në Kosovë. “Vërtet deklarata, ndoshta mund të thuhet edhe të çmendura që mund të dalin aty - këtu, luftënxitëse... Si duket, vështirë po kuptohet në Beograd se luftërat kanë përfunduar. Ndërsa për çdo gjë tjetër, Beogradi do ta marrë përgjigjen adekuate, natyrisht edhe prej Kosovës, por edhe prej institucioneve dhe qendrave vendimmarrëse në botë”, tha Hyseni. Treshja ndërkombëtare që po udhëheq me procesin shtesë të negociatave, i ka ftuar në diskutime të ndara në Londër, Beogradin më 18, kurse Prishtinën më 19 shtator. Sipas zëdhënësit Hyseni, edhe takimi i Londrës, sikurse ai i Vjenës, nuk ka ndonjë agjendë shumë të qartë, por Treshja, tha ai, ka kërkuar nga palët që të paraqiten me platforma më specifike. Edhe kësaj radhe, Prishtina do të udhëtojë atje me nivelin më të lartë politik, që do të kryesohet nga presidenti Fatmir Sejdiu. Takimet e Londrës shihen si parapërgatitje e takimit të drejtpërdrejtë Prishtinë - Beograd me ndërmjetësimin e Treshes negociuese, të paralajmëruar që të mbahet më 28 shtator në New York.
XS
SM
MD
LG