Ndërlidhjet

MBI NJË MILIARD EURO TË HYRA NË VIT – TË PALIGJSHME NË KOSOVË


Albana Isufi

Rreth 1 miliard e 200 mijë euro besohet se fitojnë, në vit, personat që merren me ekonominë joformale dhe ekonominë e zezë në Kosovë, përderisa vetë buxheti i konsoliduar i Kosovës është pak më shumë se 700 milionë euro. Një projekt i Bashkimit Evropian, i udhëhequr nga kompania ‘B&S Europe’, ka nxjerrë në pah se në Kosovë përveç se janë të pranishme, ekonomia joformale dhe ajo e zezë janë duke i shkaktuar dëme të mëdha buxhetit dhe qytetarëve të Kosovës. Jari Lluku, shef i projektit për fuqizimin e kapaciteteve kosovare për luftimin e pastrimit të parave dhe korrupsionit, thotë se nga ekonomia joformale, që nënkupton tregti me mallra të ligjshme, por përmes shmangies së tatimeve, në vit ka të hyra deri në 800 milionë euro. Ndërkaq, personat që merren me ekonominë e zezë apo kontrabandim të mallrave të paligjshme fitojnë afër 400 milionë euro në vit. “Në ekonominë joformale, problemi kryesor është evazioni tatimor, apo mospagesa e taksave. Nëse shoqëria nuk është në gjendje të mbledhë taksat e ndryshme, atëherë çdo gjë, përfshirë edhe infrastrukturën e saj, mbetet në nivel shumë të dobët”, thotë Lluku. Në studimin e bërë thuhet se për shkak të tatimit të paefektshëm, interesat për shmangie të tatimeve do të vazhdojnë të jenë të larta, ndërkaq joformaliteti do të dobësojë seriozitetin e sistemit financiar. Lluku thotë se ky problem duket se do të mbetet sfidë edhe për një kohë të gjatë në Kosovë. “Mendoj se është sfidë dhe problem i madh për këtë vend, por po ashtu edhe sfidë shumë e madhe për shumë vende të Bashkimit Evropian. Por, natyrisht, kjo dallon nga njëri vend në tjetrin. Mbetet sfidë edhe për të ardhmen dhe për këtë s’ka dyshim”, thekson Lluku. Ai thotë se është me rëndësi që të ketë bashkëpunim mes të gjitha institucioneve dhe se duhet ngritur një mekanizëm qeveritar që do të parandalonte ekonominë e paligjshme. Ministri i Drejtësisë, Jonuz Salihaj, mendon se prokuroria speciale, e ngritur së fundi, do të ketë ndikim pozitiv në uljen e këtij fenomeni të dëmshëm për ekonominë kosovare. “Një sektor i saj do të merret aktivisht me ndjekjen e krimit ekonomik. Këta sektorë tashmë janë duke funksionuar dhe personeli është duke u trajnuar për këto forma të krimit të rëndë ekonomik”, tha Salihaj. Ndërkohë, autorët e projektit të Bashkimit Evropian thonë se duke qenë se nuk ka konkurrencë të drejtë në treg, për shkak të pranisë së madhe të ekonomisë së zezë, bizneset e ligjshme çdo ditë e më tepër do të detyrohen t’u shmangen tatimeve, rrjedhimisht të dobësojnë pozitën e punëtorit, duke mos i ofruar atij kontratë të rregullt pune dhe duke ia zvogëluar përfitimet sociale.

XS
SM
MD
LG