Ndërlidhjet

logo-print

EKIPI I UNITETIT FINALIZON MEMORANDUMIN E MIRËKUPTIMIT PËR RAPORTET KOSOVË - SERBI


Albana Isufi

Ekipi i Unitetit takohet nesër (11 shtator), ku pritet të finalizohet dokumenti, me të cilin pala kosovare do të paraqitet në takimin me Treshen negociuese, më 19 shtator në Londër. Ky dokument, apo i quajtur edhe memorandum mirëkuptimi, ka për qëllim rregullimin e marrëdhënieve Kosovë - Serbi, në periudhën e pas statusit. Zëdhënësi i Ekipit të Unitetit, Skënder Hyseni, thotë se dokumenti ndoshta do të marrë formë përfundimtare nesër. “Do të diskutohet dokumenti që sipas të gjitha gjasave do t’i dorëzohet Treshes në Londër, që është një konceptim idesh të Kosovës për marrëdhëniet Kosovë - Serbi”, thotë Hyseni. Në anën tjetër, këshilltari i kryeministrit, Arben Qirezi, mendon se me këtë dokument, pala kosovare tregon se ka një vizion për të ardhmen e rajonit, duke e parë Ballkanin si kontribuuesin e paqes. “Natyrisht, pala kosovare është duke e paraqitur një vizion për të ardhmen e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë, ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve; një vizion se si Ballkani mund të duket një rajon i stabilizuar dhe i përgatitur për t’u hyrë seriozisht integrimeve në BE-në dhe në NATO. Pala kosovare për këtë është duke shikuar përpara, natyrisht me atë që është e mundshme për t’u arritur stabiliteti në rajon, për t’u respektuar natyrisht vullneti politik i shumicës dërrmuese të popullit të Kosovës”, tha Qirezi. Oferta për miqësi e paraqitur nga pala kosovare vjen në kohën kur nga zyrtarë serbë ka pasur kërcënime, se në rast të pavarësisë së njëanshme, forcat serbe do të kthehen me dhunë në Kosovë. Sidoqoftë, Qirezi thotë se pala kosovare do të vazhdojë t’u përgjigjet këtyre kërcënimeve me ofertën për paqe dhe stabilitet në rajon. “Kjo është shumë e rëndësishme për realizimin jo vetëm të vullnetit të popullit të Kosovës për pavarësi, por edhe për realizimin e atij vizioni, jo vetëm të kosovarëve, por të tërë popujve evropianë, të SHBA-ve, se Ballkani më në fund do të jetë një rajon stabil, që do të jetë kontribuues i paqes dhe stabilitetit jo vetëm brenda vetvetes, por edhe më gjerë”, u shpreh Qirezi. Ndryshe, ai thotë se edhe në takimet e radhës të ndërmjetësuara nga Treshja e Grupit të Kontaktit, pala kosovare do të paraqitet me një qasje konstruktive. “Ne do t’u hyjmë këtyre bisedimeve me një qasje konstruktive, me një qasje që do t’i sjellë dobi edhe Kosovës, edhe Serbisë”, theksoi Qirezi. Edhe në takimin e 18 dhe 19 shtatorit në Londër, Treshja negociatore do ta takojë ndaras delegacionin kosovar dhe atë serb. Pala kosovare edhe këtë herë do të përfaqësohet nga Ekipi i Unitetit. Zëdhënësi i Ekipit të Unitetit, Skënder Hyseni, mendon se takimet e 18 dhe 19 shtatorit, në Londër, janë parapërgatitje e takimit të drejtpërdrejtë Prishtinë - Beograd, që me ndërmjetësimin e Treshes negociuese është paralajmëruar të mbahet më 28 shtator në New York.
XS
SM
MD
LG