Ndërlidhjet

logo-print

MALOKU:”PROCESI ZGJEDHOR ËSHTË SFIDË EDHE PËR SIGURINË NË KOSOVË”


Naim MALOKU, nënkryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës

RADIO EVROPA E LIRË
Bisedimet për gjetjen e një zgjidhjeje për statusin e Kosovës janë duke vazhduar në mes të Treshes ndërkombëtare, Prishtinës dhe Beogradit. Deri më tash nuk ka diçka konkrete. Çka në të vërtetë prisni ju nga këto bisedime?

NAIM MALOKU
Këto bisedime, sipas mendimit tim, nuk do të sjellin ndonjë rezultat të pranueshëm për të dyja palët, ashtu siç po pretendojnë akterët e bashkësisë ndërkombëtare dhe instancat e larta. Këto bisedime do të dëshmojnë edhe një herë se pozicionet e Prishtinës dhe Beogradit janë larg njëra-tjetrës për t’u arritur një kompromis i pranueshëm për të dyja palët. Unë mendoj se më 10 dhjetor, kur përfundon ky 120 ditësh, i vetmi dokument që e ka një validitet, prapëseprapë ndërkombëtar se është i hartuar nga një proces i udhëhequr nga zoti Ahtisaari që është i emëruar nga Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, është plani i Ahtisaarit, i cili do të mbetet dokument që e ka një të kaluar të një procesi, një fillim dhe një përfundim të atij procesi.

RADIO EVROPA E LIRË
Duke pasur parasysh kundërshtimet e vazhdueshme të Serbisë për pavarësinë e Kosovës, sa mendoni se do të ketë sukses propozimi i palës kosovare, memorandumi i mirëkuptimit për një miqësi të mirë me Serbinë pas statusit?

NAIM MALOKU
Unë mendoj se të gjitha këto oferta të palës kosovare e kanë një qëllim, për të qenë palë që ofron bashkëpunim dhe për të bindur palën tjetër se me Kosovën e pavarur nuk rrezikohet askush, e as Serbia. Ne ofrojmë qasje konstruktive në procesin që duhet ta kalojmë bashkë, ne dhe Serbia pastaj – integrimi në BE. Dhe, ne dëshirojmë që atë kusht ta plotësojmë sa më parë dhe ofrojmë gatishmërinë tonë që atë kush ta plotësojmë. Ne kemi marrëdhënie shumë të mira me Maqedoninë, kemi raporte të mira dhe kemi çuar sinjale të mira në Mal të Zi, kështu që na ka mbetur edhe Serbia fqinje që të kemi raporte të mira, që të mund ta plotësojmë atë kusht, që të merret edhe Bashkësia Evropiane me ne si palë ose si shtet për t’u integruar një ditë në BE. Mendoj se sa më gjatë të shkojnë këto raporte, jashtëzakonisht konflikttuoze të Serbisë ndaj Kosovës, aq më larg i kemi edhe integrimet në BE të dy shtetet. Mendoj se nuk do të ketë mikpritje nga pala serbe. Ata kanë një qëllim - zvarritjen e procesit. Deklarimet e tyre janë që edhe pas 120 ditshit, ata janë për bisedime. Pra, qëllimi i palës serbe është që ky proces të zvarritet në pakufi dhe thjesht të mos ketë zgjidhje.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju jeni kryetar i Komisionit Parlamentar për Siguri në Kuvendin e Kosovës. Sa mund të ndikojë procesi i zgjidhjes së statusit të Kosovës dhe mbajtja e zgjedhjeve në të njëjtën kohë në sigurinë e përgjithshme?

NAIM MALOKU
Unë mund të them se ne edhe si parti, si AAK, kemi qenë kundër mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare brenda 120 ditshit. Pra, kemi pasur qëndrim që të mbahen zgjedhjet lokale me sistemin e ri zgjedhor, me lista të hapura dhe zgjedhje të drejtpërdrejta për kryetarë komunash dhe të stabilizohet pushteti lokal. Pastaj, zgjedhjet qendrore të shtyhen për më vonë, me të vetmin qëllim që ta presim përfundimin e 120 ditshit me këto institucione dhe më 10 dhjetor ose më 11 dhjetor, Kosova ta ketë Kuvendin dhe Qeverinë. Ka qenë vendim i Ekipit të Unitetit të hyjmë në këto zgjedhje. Si kryetar i Komisionit Parlamentar për Siguri, mund t’ju them se është një sfidë. Ky proces zgjedhor është sfidë edhe për nivelin e sigurisë në Kosovë dhe këtë sfidë duhet ta kalojmë bashkërisht, partitë politike që marrin pjesë në fushatë, deputetët, Ekipi i Unitetit, por edhe qytetarët e Kosovës. Pra, është një sfidë para institucioneve të Kosovës, partive politike që marrin pjesë në fushatë, por edhe sfidë para qytetarëve të Kosovës. Mendoj se po i provojmë pak si tepër qytetarët e Kosovës. Po i qesim pak si tepër para sfidave. Sfidë ishte fakti se u shty definimi i statusit. Ne e përgatitëm opinionin kosovar edhe me data për status, jo vetëm ne por edhe bashkësia ndërkombëtare në njëfarë forme. E dini se Grupi i Kontaktit pati sjellë njëfarë date fundin e vitit të kaluar se do të përfundojë statusi i Kosovës. Dhe i sollëm qytetarët e Kosovës para sfidave të vazhdueshme këto tetë vjet, edhe mungesa e energjisë, të gjitha problemet me papunësi, me zhvillim ekonomik, me bllokadë të zhvillimit ekonomik. Tani, qytetarët e Kosovës e kanë edhe një sfidë, i kanë zgjedhjet parlamentare brenda këtij 120 ditshi. Ata duhet të marrin pjesë në fushatë, të zgjedhin, por mendoj me një përgatitje të mirë dhe me një sqarim të mirë, tash pasi që kemi hyrë në proces të aplikimit, proces të certifikimit dhe praktikisht, sipas të gjitha gjasave, zgjedhjet do të mbahen. Pavarësisht faktit se ne kemi qenë kundër atyre zgjedhjeve, si AAK, AAK-ja hyn në proces dhe do të jetë aktore në mbajtjen e stabilitetit dhe normalisht se edhe fushatën duhet ta mendojë mirë.

RADIO EVROPA E LIRË
Ditët e fundit janë nënshkruar disa marrëveshje të partive politike, pra koalicionet. AAK-ja a do të bëjë ndonjë marrëveshje me ndonjë parti politike apo do të hyjë e vetme në zgjedhje?

NAIM MALOKU
Ne kemi ofertë për Lëvizjen Popullore të Kosovës. Ne e çmojmë LPK-në, ka qenë përpara pjesë e AAK-së, nuk jemi larg një marrëveshjeje. Presim vendimin e këshillit drejtues të LPK-së dhe do të dimë saktësisht se a do të hyjmë në koalicion me LPK-në. Me të tjerët nuk kemi pasur, ka pasur disa iniciativa, por jo të konkretizuara. Nëse nuk shkon kjo me LPK-në, do të mbetemi vetëm, do të hyjmë në fushatë zgjedhore dhe në zgjedhje si AAK vetëm dhe normalisht duke i çmuar edhe partnerët tjerë, pra kundërshtarët politikë dhe garuesit tjerë në garë. Ne do të japim maksimumin tonë për të fituar vota.

INTERVISTOI: ARTON KONUSHEVCI
XS
SM
MD
LG