Ndërlidhjet

SEJDIU: PAS FAZËS SHTESË SË NEGOCIATAVE DO TA SHPALLIM PAVARËSINË


Zijadin Gashi

Ekipi Negociues është në fazën përfundimtare të finalizimit të një dokumenti apo traktati, me të cilin mëton të paraqitet në takimin e 19 shtatorit, në Londër, me Treshen negociuese. Ky traktat parasheh rregullimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë pas zgjidhjes së statusit, si dy shtete fqinje. Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, përsëriti edhe sot pozicionin e palës kosovare në bisedime, se Prishtina nuk mund të negociojë për statusin dhe tërësinë territoriale të Kosovës, por vetëm për çështjet që ndërlidhen me raportet ndërmjet Kosovës e Serbisë. “Jemi në finalizim të një dokumenti që e ka natyrën e një traktati a marrëveshjeje për fqinjësi të mirë, ku kemi shtruar elementet e rëndësishme, që kanë të bëjnë me raportet e ardhshme, me temat që kanë të bëjnë me çështjen e kthimit të të pagjeturve, me temën e procesit të kthimeve, me aspektet e lirisë së lëvizjes së qytetarëve, si dhe aspekte të tjera që janë trajtuar esencialisht edhe në pakon e presidentit Ahtisaari”, theksoi presidenti Sejdiu. Kosova nuk e harron atë që ka përjetuar populli i saj në të kaluarën ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, tha ai, duke shtuar se traktati, megjithatë, parasheh ecjen përpara në realizimin e projekteve të Kosovës si shtet i pavarur. Ndërkaq, duke komentuar zhvillimet e fundit në Bashkimin Evropian lidhur me statusin e Kosovës, Sejdiu tha se pret që me gjithë dallimet, edhe Brukseli do të dalë me qëndrime unike, ngjashëm si doli në rastin e mbështetjes së pakos së Ahtisaarit. Sidoqoftë, Sejdiu tha se Kosova do ta kryejë punën e vet, duke e shpallur pavarësinë e saj në momentin e duhur. “Unë e kam thënë gjithmonë se Kosova do ta bëjë punën e vet, pra nënkuptohet edhe shpallja e pavarësisë, në bashkëpunim me të gjithë ata që e mbështesin shpalljen e pavarësisë dhe e njohin pavarësinë e Kosovës. Kosova nuk mund të jetë peng i kërkesave për zvarritje të procesit. Mendojmë se është një proces që është bërë në modelin e vet - kjo pjesë e angazhimeve shtesë. Ne e kemi dhënë pëlqimin që të jetë angazhimi i fundit shtesë në këtë proces dhe e kemi thënë po ashtu se në bashkëpunim dhe me mbështetjen tuaj, Kosova është e gatshme dhe do ta bëjë shpalljen e pavarësisë”, ka thënë presidenti Fatmir Sejdiu. Kosovës i duhet një mbështetje e fuqishme ndërkombëtare për realizimin e pavarësisë së saj, përfshirë këtu sidomos edhe 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian, tha Sejdiu. Ndërkaq, lidhur me mundësitë që Prishtina të tregojë më shumë fleksibilitet në zgjidhjen e çështjes së komunitetit serb në Kosovë, presidenti Sejdiu tha se zgjidhjet më të mira dhe më funksionale janë paraparë me pakon e Ahtisaarit. Ndryshe, më 18 shtator, Treshja negociuese së pari do të zhvillojë takim me palën serbe nga Beogradi, ndërkaq më 19 shtator me palën kosovare. Këto takime shihen si përgatitje e një takimi tjetër në New York, i thirrur për datën 28 shtator, kur edhe parashihen bisedime të drejtpërdrejta ndërmjet Prishtinës e Beogradit, me ndërmjetësimin e Treshes që po udhëheq me fazën shtesë të negociatave.

XS
SM
MD
LG