Ndërlidhjet

logo-print

KOSOVARËT NDEROJNË VIKTIMAT E 11 SHTATORIT


Bekim Bislimi

Gjashtë vjet pas sulmeve terroriste mbi Shtetet e Bashkuara të Amerikës, më 11 shtator 2001, shqiptarët e Kosovës vazhdojnë të bashkëndjejnë me dhembjen e popullit amerikan, si dhe të përkrahin luftën kundër terrorizmit. Në shenjë të solidarizimit me popullin amerikan, sot në Prishtinë, Shoqata e personave me hendikep dhe aftësi të kufizuara ka hapur ekspozitën me piktura, e cila është mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë, Sportit dhe Çështjeve Jorezidente. Drejtuesi i kësaj shoqate, Agim Vatovci, thotë: “Kemi hapur ekspozitë në shenjë të përkujtimit të viktimave të 11 shtatorit 2001, sulmit makabër që është bërë ndaj popullatës së pafajshme në ‘Kullat Binjake’. Kjo ekspozitë vlen të kuptohet se jemi përkrahës të popullit amerikan dhe viktimave. Populli shqiptar dhe anëtarët e Shoqatës së personave me aftësi të kufizuara janë afër dhe ndajnë dhimbjen me popullin amerikan”. Solidarizimin me dhembjen e popullit amerikan e kanë shfaqur edhe disa qytetarë të Prishtinës. Feti Limani thotë se miqtë duhet të jenë pranë në ditët e vështira dhe populli amerikan ua ka vërtetuar këtë shqiptarëve, prandaj shqiptarët duhet të jenë përkrah tyre gjithmonë. “Mendoj se ia kemi borxh, jo vetëm unë si qytetar, por gjithë qytetarët dhe gjithë shqiptarët, pavarësisht se ku gjenden në botë. Mendoj se të gjithë popujt paqedashës, të civilizuar dhe që ia duan të mirën lirisë, duhet t’i bashkohen luftës, pa kompromis, kundër terrorizmit. Kjo është detyrë e çdo qytetari, por për ne shqiptarët duhet të jetë detyrë primare”, tha zoti Limani. Dhembja për viktimat e 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdon të jetë prezente edhe sot, thotë Hamdije Mustafa. “Prapë e kemi atë dhimbje ndaj tyre, sepse populli i vetëm që na përkrahur është ai i Amerikës. Ne i përkrahim dhe ndjejmë dhimbje bashkë me ta për sulmin terrorist që e kanë bërë ndaj tyre. Kundër terroristëve duhet gjithkush të bashkëngjitet dhe të bashkëluftojë, që ta çrrënjosë terrorin”, tha zonja Mustafa. Ngjashëm pohon edhe Abdurrahman Nazifi. “Populli shqiptar është popull demokrat dhe është shumë liridashës, sepse e ka vuajtur mbi kurriz. Gjithmonë ka qenë dhe është kundër terrorizmit, pa marrë parasysh se me çfarë ngjyre politike ose fetare është. Jemi solidarë me popullin amerikan, kemi qenë dhe do të jemi gjithmonë”, u shpreh zoti Nazifi. Ndërkaq, homazhe dhe nderime për viktimat e sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 sot ka organizuar edhe Shtabi i Përgjithshëm i Trupave Mbrojtëse të Kosovës. Pjesëtarët e këtyre trupave janë rreshtuar dhe kanë nderuar viktimat me 3 minuta heshtje, si dhe kanë ndezur qirinj në të gjitha njësitet dhe zonat e saj. Me këtë rast, komandanti i TMK-së, gjenerallejtënant Sylejman Selimi, tha: “Jo vetëm Trupat Mbrojtëse të Kosovës, por i gjithë populli shqiptar, të gjitha shtetet që janë pro-demokratike, të gjitha shtetet që e vlerësojnë demokracinë, ndjejnë dhimbje. Kështu që edhe ne sot solidarizohemi si popull i Kosovës, por gjithashtu edhe si pjesëtarë të Trupave Mbrojtëse të Kosovës”. Sidoqoftë, në shenjë përkujtimi të viktimave të sulmeve terroriste mbi Shtetet e Bashkuara të Amerikës më 11 shtator 2001, janë mbajtur edhe manifestime të tjera, ndër të cilat edhe Festivali i filmit të shkurtë ‘9/11’, i cili përfundon sot në Prishtinë.

XS
SM
MD
LG