Ndërlidhjet

PARTITË SERBE ENDE ME DILEMA RRETH PJESËMARRJES NË ZGJEDHJE


Albana Isufi

Të paktën tri parti serbe, Partia e Pavarur Liberale, Partia Demokratike Serbe dhe Iniciativa Qytetare kanë vendosur të marrin pjesë në zgjedhjet e 17 nëntorit, duke i dorëzuar listat e kandidatëve në Komisionin Qendror Zgjedhor. Lista Serbe për Kosovën e Metohinë mendon të shfrytëzojë, siç thonë zyrtarët e saj, një mundësi teknike, për një shtyrje pesëditëshe të afatit për certifikim. Këshilli Nacional Serb pret vendimin e Qeverisë serbe. Ndërkaq, zyrtarë të OSBE-së dhe të UNMIK-ut kanë thënë se pas kalimit të afatit të sotëm, asnjë parti nuk mund të hyjë në garën zgjedhore për zgjedhjet e 17 nëntorit. Partia e Pavarur Liberale, e udhëhequr nga Sllobodan Petroviq, ka dorëzuar sot në Prishtinë listën për zgjedhjet lokale dhe parlamentare, duke u bërë ndër partitë e para serbe që konfirmon pjesëmarrjen në zgjedhje. Dorëzimin e listës e ka konfirmuar sot edhe kreu i Partisë Demokratike Serbe, Sllavisha Petkoviq, cili megjithatë nuk ka mundur të konfirmojë nëse do të marrë pjesë në zgjedhje. “Sa i përket pjesëmarrjes në zgjedhje, do të vendosim më vonë”, tha ish-ministri i Kthimit, Sllavisha Petkoviq. Lista Serbe për Kosovën e Metohinë, që aktualisht ka më së shumti ulëse në Kuvend, nuk ka dorëzuar ende listën e kandidatëve. Lideri i saj, Oliver Ivanoviq, thotë se dëshiron të konsultohet ende me zyrtarët e Beogradit. Ivanoviq shpreson se subjekti i tij mund të marrë pjesë në zgjedhje, duke shfrytëzuar një mundësi teknike, që, sipas tij, lejon një shtyrje pesëditëshe pas skadimit të afatit për certifikim të caktuar nga KQZ-ja. “Do të shfrytëzojmë mundësinë e mëhershme që të paraqitemi si listë, e cila i ka deputetët e vet në Kuvend. Kështu që tani e kemi rrugën dhe procedurën më të shkurtër. Do të thotë, po e shfrytëzojmë këtë periudhë pesëditëshe dhe jemi duke pritur koordinimin edhe nga Qeveria dhe kryetari i Serbisë, sepse kjo mund të ndihmojë që serbet të dalin me numër më të madh në zgjedhje dhe të sjellin përfaqësues më kualitativë serbë”, ka thënë Ivanoviq. Por, zyrtarë të OSBE-së dhe të UNMIK-ut kanë thënë se nuk do të ketë afat tjetër për certifikim për asnjë parti. “Afati për shtyrjen e certifikimit tashmë është shtyrë dy herë. Kjo është kjo. Nuk bëhet fjalë më për asnjë shtyrje tjetër”, ka theksuar sot zëdhënësi i UNMIK-ut, Aleksander Ivanko. Afati për dorëzimin e listave të kandidatëve për zgjedhjet e 17 nëntorit në Komisionin Qendror Zgjedhor përfundon në orën 24. Këshilli Nacional Serb thotë se është duke pritur edhe më tej një vendim nga Qeveria serbe. “Po presim vendimin e kreut shtetëror që do të vendosë lidhur me pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje. Presim këtë vendim nga Tadiqi dhe Koshtunica”, tha nënkryetarja e Këshillit Nacional Serb, Rada Trajkoviq. Në anën tjetër, Partia e Pavarur Liberale ka bërë të qartë se nuk do të presë asnjë vendim nga Beogradi. Përmes një komunikate për media, kryetari i kësaj partie, Sllobodan Petroviq, ka thënë se pjesëmarrja në zgjedhje është domosdoshmëri që mundëson mbetjen e serbëve në Kosovë. Vendimin e Qeverisë serbe nuk do ta përfillë as kreu i Partisë Demokratike Serbe, Sllavisha Petkoviq. “Sa i përket Partisë Demokratike Serbe nuk na intereson qëndrimi i pushtetit në Beograd. Ne jemi parti serioze, parlamentare dhe ne do të vendosim vetë nëse do të marrim pjesë në zgjedhje”, tha Petkoviq. Në anën tjetër, edhe Rada Trajkoviq, nga Këshilli Nacional Serb, edhe pse pret vendimin e Qeverisë serbe, konsideron se serbët duhet të marrin pjesë në zgjedhje. “Unë mendoj se serbët duhet të dalin në zgjedhje, që të marrin mandatet e tyre edhe në nivelin qendror, edhe në atë lokal. Ndryshe, nuk e di se si do të kishim marrë pjesë në atë që është organizim i jetës së serbëve, jo pse besojmë se shqiptarët janë të gatshëm të na ndihmojnë në organizimin e jetës, por të shfrytëzojmë bashkësinë ndërkombëtare, pavarësisht se sa të meta ka ajo, pasi që ajo është e vetmja që mund të sigurojë kushte që Kosova të funksionojë si territor multietnik”, tha Rada Trajkoviq.
XS
SM
MD
LG