Ndërlidhjet

logo-print

THIRRJET E BEOGRADIT PËR BOJKOTIMIN E ZGJEDHJEVE PËRÇAJNË LIDERËT SERBË NË KOSOVË


Zijadin Gashi

Partitë më të mëdha përfaqësuese të komunitetit serb në Kosovë thonë se do t’i dëgjojnë rekomandimet dhe thirrjet e Beogradit, se ende nuk janë krijuar kushtet për të dalë në zgjedhjet e 17 nëntorit në Kosovë. Ndonëse thirrjet e Beogradit, megjithatë, kanë ndikuar në thellimin e përçarjeve mes liderëve e subjekteve politike serbe, pasi që ka edhe parti politike nga ky komunitet që tashmë kanë aplikuar për pjesëmarrje në zgjedhje. Lista Serbe, si subjekti më i madh politik i këtij komuniteti, mbetet ende në pritje të një vendimi të qartë nga Beogradi, thotë anëtari i saj, Rangjel Nojkiq. “Nëse do të ketë një qëndrim unik të Beogradit që të mos dilet në zgjedhje, ne nuk do të marrim pjesë në zgjedhje”, u shpreh Nojkiq. Mirëpo, lideri i kësaj partie, Oliver Ivanoviq, ka kritikuar pozicionin e Beogradit, duke e parë atë si thirrje për ndarjen e Kosovës. Ivanoviq konsideron se pjesëmarrja apo mospjesëmarrja e serbëve në zgjedhje nuk ndikon për veriun e Kosovës, sa ndikon për pjesën qendrore ku jetojnë serbët dhe se ata, sipas tij, janë sakrifikuar me thirrjet e fundit për bojkotimin e zgjedhjeve. Sidoqoftë, Nojkiq thotë se qëndrimet e Ivanoviqit janë personale dhe nuk i përkasin Listës Serbe. Në anën tjetër, edhe Këshilli Nacional Serb, sipas Milan Ivanoviqit, kryetar i këtij Këshilli për veriun e Kosovës, thotë se nuk sheh kushte për serbët që të dalin në votime. “Sa u përket serbëve, nuk do të ketë zgjedhje. Serbët nuk do të marrin pjesë në to”, tha Milan Ivanoviq. Ai konsideron se do të ishte e pakuptimtë që serbët të dalin në zgjedhje, përderisa po vazhdojnë negociatat për statusin e Kosovës, aq më tepër kur institucionet zotohen se do ta shpallin pavarësinë menjëherë pas procesit negociues dhe zgjedhjeve. Beogradi ende zyrtarisht nuk u ka bërë thirrje serbëve që të mos marrin pjesë në zgjedhje. Por, presidenti serb, Boris Tadiq, ka deklaruar se ai nuk mund t’i ftojë serbët të dalin në zgjedhje, përderisa ministri serb për Kosovën, Slobodan Samarxhiq, ka thënë se nuk janë krijuar kushtet që komuniteti serb të marrë pjesë në zgjedhje. Kryetari i partisë së sapoformuar, Drejtësia Popullore, Nenad Radosavleviq, thotë se kishte mendimin që duhet të dilet në zgjedhjet e sivjetme, por pas thirrjeve të Beogradit, ai tani e ka ndryshuar mendjen. “Vendimi nuk është kumtuar në mënyrë të drejtë, por erdhi ashtu siç erdhi në formë indirekte nga ministri Samarxhiq”, tha Radosavleviq. Ai sqaron se së bashku me disa subjekte tjera serbe kishin përgatitur listën e kandidatëve për Leposaviqin, por pas deklaratave të Beogradit, kishin hequr dorë nga dorëzimi i kësaj liste te Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Afati për dorëzimin e listave të kandidatëve ka kaluar mbrëmë në mesnatë. Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Mazllum Baraliu, thotë se në mesin e aplikimeve ka edhe subjekte serbe. “Gjithsejtë, këtu në qendër, në KQZ, kanë konkurruar 65 subjekte politike, prej tyre 8 subjekte politike nga komuniteti serb. Këtu si subjekte politike numërohen partitë politike, iniciativat qytetare dhe kandidatët e pavarur”, tha Baraliu. Zëdhënësi i UNMIK-ut, Alexander Ivanko, thotë se nuk ka plane që afati për aplikim të shtyhet. “UNMIK-u dhe KQZ-ja e kanë thënë shumë qartë se nuk ka plane për caktimin e afateve të reja për aplikimin e partive politike. Ato parti që janë paraqitur mund të marrin pjesë në zgjedhje, kurse në mesin e tyre ka edhe parti politike serbe”, tha Ivanko. Përveç tetë subjekteve serbe të regjistruara në KQZ në Prishtinë, nuk përjashtohet mundësia që të ketë edhe subjekte tjera politike serbe që janë regjistruar nëpër KQZ-të komunale.
XS
SM
MD
LG