Ndërlidhjet

logo-print

NDARJA E KOSOVËS NUK I PËRSHTATET ASNJË VENDI NË BE


Albana Isufi

Zyrtarë dhe analistë kosovarë konsiderojnë se ndarja e Kosovës nuk i përshtatet asnjë vendi perëndimor, e aq më pak vendeve të Bashkimit Evropian. Njoftimet e fundit në media flasin për një lobim në vendet perëndimore pro ndarjes së Kosovës nga ana e zyrtarëve serbë. Edhe pse zyrtarët serbë kanë mohuar një gjë të tillë, sa në të vërtetë do të mund të kishte shtrirje kjo ide në vendet evropiane? Analisti Dukagjin Gorani mendon se Bashkimi Evropian është kundër ndarjes, meqë nuk dëshiron të hapë probleme të reja në rajon. “Kjo është punë e kotë, aty Koshtunica humb kohë. Diçka tjetër është p.sh. nëse merret parasysh një pjesë e Evropës Lindore, Rusia e vendet përreth, atje ekzistojnë koncepte tjera mbi zgjidhjen e Kosovës dhe ndarjen etnike”, thotë Gorani. Ndërkaq, këshilltari i kryeministrit, Arben Qirezi, mendon se hedhja e idesë së ndarjes është një metodë që Beogradi e përdor me qëllim të krijimit të konfuzionit, që do të kishte pasojë zvarritjen e zgjidhjes së statusit final të Kosovës. “Serbia është e vetëdijshme se njohja e pavarësisë së Kosovës është në prag të realizimit. Dhe, duke e hedhur këtë opsion, përpiqet të krijojë konfuzion dhe të hedhë në qarkullim edhe një opsion të ri dhe të përpiqet të gjejë ndonjë përkrahës në mes të shteteve evropiane. Megjithatë, gjatë gjithë procesit të shkapërderdhjes së ish-Jugosllavisë, parimi mbi të cilin janë krijuar shtetet e reja kanë qenë kufijtë administrativë të atij shteti dhe ky parim do të vlejë edhe për Kosovën, aq më shumë kur dihet se çfarëdo ndarje eventuale do të shkaktonte efekt zinxhiror”, thotë Qirezi. Liderët kosovarë kanë hedhur gjithnjë poshtë idenë e ndarjes së Kosovës, ndërkaq kjo ide qe përjashtuar nga parimet e Grupit të Kontaktit për Kosovën. Dukagjin Gorani thotë se në rast të ndonjë ndarjeje eventuale, shqiptarët nuk do të ishin humbësit. “Ndarja e Kosovës do të shkaktonte një proces të pakthyeshëm të ridefinimit të kufijve etnikë, ku shqiptarët nuk do të ishin pala humbëse. Pra, aspektet e ndarjes mund t’i konvenojnë një populli që është më i ndari në Ballkan, e kjo do të ishte fundi i idesë së Kosovës së pavarur, por fillimi i idesë së një shteti të përbashkët shqiptar. E meqë kjo do të ndërhynte thellë në marrëveshjet që kanë vendosur paqen në Ballkan - Marrëveshja e Deytonit, ajo e Kumanovës, e Rambujesë, e Ohrit dhe e Konculit - diçka si ndarja e Kosovës do t’u jepte fund të gjitha këtyre rregullimeve dhe do ta fillonte një proces tmerrësisht të gjatë dhe të komplikuar në Ballkan”, shprehet Gorani. Qirezi është i bindur se perëndimi është i interesuar për mbylljen e problemeve të vjetra dhe nuk dëshiron hapje të problemeve të reja. “Përkundrazi, dëshirojnë që ta përfundojnë shkapërderdhjen e ish-Jugosllavisë dhe dihet se Kosova është rasti i fundit i pazgjidhur në atë proces dhe zgjidhja e të cilit problem është e vonuar. Prandaj, konsideroj se Serbia nuk mund të arrijë që të gjejë përkrahës të kësaj ideje”, thotë Qirezi. Ndryshe, idetë për ndarje vijnë në kohën kur pala kosovare planifikon që në takimin e radhës me Treshen negociuese të paraqesë traktatin për fqinjësi të mirë me Serbinë, në periudhën e pas statusit.

XS
SM
MD
LG