Ndërlidhjet

EKSPERTËT: IMPORTI NGA SERBIA PENGON ZHVILLIMIN EKONOMIK NË KOSOVË


Arton Konushevci

Kosova do të kishte përfitime të shumta ekonomike nëse Serbia do të vendoste embargo në tregti me Kosovën, ashtu siç është kërcënuar ditë më parë në raport me zhvillimet politike rreth statusit përfundimtar. Këtë deklaratë e ka dhënë fillimisht shefi i shtyllës së katërt të administratës ndërkombëtare, Paul Acda, i cili është i ngarkuar me çështje të zhvillimit ekonomik. Zoti Acda madje pati thënë se me një embargo të këtillë, edhe lufta kundër kontrabandës do të ishte më e efektshme. Me të pajtohen edhe ekspertë vendorë për çështje ekonomike. Safet Gërxhaliu, nga Oda Ekonomike e Kosovës, mendon se embargoja në fakt do ta ndihmonte zhvillimin ekonomik. "Nga këndvështrimi i Kosovës, sikur të kishte ardhur deri te një embargo e tillë, ajo do të ishte një ndihmesë shumë e madhe e zhvillimit ekonomik të Kosovës; në rend të parë, ajo çka e karakterizon këtë bashkëpunim ekonomik me Serbinë, është ekonomia e zezë apo ekonomia informale, e cila dashur e padashur do të minimizohej e ndoshta edhe eliminohej; e dyta, do të kishte një orientim që në Kosovë të hyjnë më në fund produkte kualitative, e jo vetëm ato të prodhuara nga Serbia, të cilat në raste të shumta e kanë edhe origjinën e dyshimtë. Dhe, në fund të fundit, dashur e padashur, do të na imponohej ngritja e dozës së nacionalizmit ekonomik, që do të thotë se do t’u ktheheshim produkteve vendore”, theksoi zoti Gërxhaliu. Ai më tej ka thënë se kosovarët e kanë stimuluar zhvillimin ekonomik në Serbi dhe kanë ndikuar në uljen e krizës sociale, duke ofruar një treg të hapur për prodhimet nga Serbia. "Me qëllim apo pa qëllim, kosovarët janë ata që e kanë stimuluar zhvillimin ekonomik të Serbisë, minimizimin e krizës sociale dhe njëherësh duke konsumuar produktet e tyre, kemi ndikuar në mënyrë indirekte në rimëkëmbjen ekonomike të tyre. Shikoni vetëm materialin ndërtimor në 4-5 vjetët e pas luftës, produktet e shumta ushqimore - të gjitha janë këto që në një farë mënyre Serbia ka pasur monopol, i ka pasur kanalet e veta që kanë pasur një të kaluar, do të thotë në bashkëpunim me kosovarët. Por, është edhe një përparësi tjetër, se shumica e tregtarëve nga Kosova të vetmen gjuhë që e flasin, e flasin gjuhën serbe dhe kjo ka qenë arsyeja e vetme që i ka afruar më tepër që të bashkëpunojnë në aspektin tregtar", tha zoti Gërxhaliu. Ngjashëm mendon edhe Muhamet Sadiku, nga Instituti për Hulumtime Zhvillimore ‘Riinvest’. Sipas tij, pavarësisht zhvillimeve politike në Serbi dhe në Kosovë, në aspektin e tregtisë, Serbia nuk ka kurrfarë llogarie për vendosjen e ndonjë kufizimi në Kosovë për prodhimet e veta. "Importi nga Serbia në drejtim të Kosovës është 150-170 milionë euro. Prandaj, nga ky këndvështrim, unë mendoj se Serbia nuk ka kurrfarë përfitimesh që të vë kufizime për eksportet e saj në Kosovë, duke pasur parasysh se të gjitha importet nga Serbia në drejtim të Kosovës realizohen pa ngarkesë doganore", tha zoti Sadiku. Ai mendon se vëmendja e kosovarëve duhet të shkojë në drejtim të një kontrollimi më të fortë të kufijve dhe në mbylljen e të gjitha vrimave, të cilat mundësojnë importin e paligjshëm të Serbisë në Kosovë. "Edhe Kosova, edhe Serbia janë pjesë përbërëse të CEFTA-s, të tregtisë së lirë. Prandaj, veprimet e njëanshme nga ana e Serbisë do të bien ndesh edhe me obligimet që ka marrë Serbia në respektimin e tregtisë së lirë, në kuadër të tregut të ashtuquajtur CEFTA", ka thënë zoti Sadiku. Ndryshe, zoti Paul Acda, nga administrata ndërkombëtare, ka thënë se 75 për qind e importit të prodhimeve të ndryshme në Kosovë realizohet në kufirin me Maqedoninë. Sipas tij, nga Serbia në Kosovë eksportohen më së shumti fruta të freskëta.
XS
SM
MD
LG