Ndërlidhjet

BUSH: STRATEGJIA PËR IRAKUN - E PRANUESHME PËR TË GJITHË AMERIKANËT


Arbana Vidishiqi

Presidenti amerikan, George Bush, ka thënë se të gjithë amerikanët, pavarësisht nga fakti nëse e mbështesin luftën në Irak apo e kundërshtojnë atë, duan që trupat e tyre të kthehen në shtëpi sa më shpejt që të jetë e mundshme. Ai ka thënë se ka ardhur në përfundimin që plani i gjeneralit David Petraeus, mund të mbështetet nga të gjithë. "Amerikanët duan që vendi ynë të jetë i sigurt dhe trupat tanë të fillojnë të kthehen në shtëpi nga Iraku. Megjithatë, ata të cilët besojnë se suksesi në Irak është thelbësor për sigurinë tonë dhe ata të cilët besojnë se duhet t'i kthejmë ushtarët tanë në shtëpi, kanë qenë përballë dilemave. Tani, për shkak të një niveli sigurie që kemi parë në Irak, mund të fillojmë t'i kthejmë në shtëpi ushtarët tanë. Rruga përpara që e kam përshkruar e bën të mundshme, për herë të parë pas disa vjetësh, bashkimin e njerëzve të cilët kanë qenë në kundërshtim me njëri-tjetrin gjatë këtij debati të vështirë", ka thënë presidenti amerikan. Gjenerali Petraeus dhe ambasadori Ryan Crocker, dy zyrtarët më të lartë amerikanë në Irak, kanë dëshmuar për dy ditë me radhë në Kongres, duke thënë se është arritur një përparim i dukshëm në aspektin e sigurisë në Irak, në saje të nivelit të shtuar të pranisë ushtarake. Të dy zyrtarët gjithashtu kanë pranuar se përparimet kanë qenë të vogla nga qeveria e kryeministrit irakian, Nuri Al-Maliki, në miratimin e legjislacionit që do të ishte thelbësor për arritjen e pajtueshmërisë midis komunitetit Sunni dhe Shiit të Irakut. Edhe presidenti amerikan e ka adresuar këtë çështje, duke thënë se udhëheqësit irakianë, megjithatë, janë duke i bërë hapat e parë të nevojshëm për të bashkuar vendin e tyre. "Udhëheqësit kombëtarë të Irakut janë duke bërë punë. Për shembull, ata e kanë miratuar buxhetin, janë duke i ndarë të ardhurat nga nafta me provincat tjera dhe pajtimi midis tyre ka vënë bazën. Çelësi tani qëndron tek lidhshmëria midis përparimit të arritur në këto provinca dhe përparimit në Baghdad. Me ndryshimin e politikës lokale, do të ndryshojë edhe politika kombëtare", ka thënë presidenti amerikan. Sikurse edhe në rastet e mëparshme, edhe kësaj radhe, zoti Bush ka tërhequr vërejtjen mbi pasojat e tmerrshme nëse forcat amerikane largohen nga Iraku, duke lënë hapësirë për rebelët e udhëhequr nga Al-Qaeda. Sipas tij, vuajtjet në këtë rast do të përjetoheshin jo vetëm në Irak dhe jo vetëm në Lindjen e Mesme, por në mbarë botën. "Po të detyroheshim të largohemi nga Iraku, ekstremistët e të gjitha rrymave do të trimëroheshin. Al-Qaeda sërish do të fitonte rekrutë të rinj dhe vendstrehime të reja. Irani do të përfitonte nga kaosi dhe do të ndihej i trimëruar në përpjekjet për të zhvilluar armatimin nuklear dhe për të dominuar në rajon. Në këtë rast, ekstremistët do të kontrollonin pjesën kyçe të furnizimit global me energjinë. Iraku do të mund të gjendet përballë një makthi humanitar. Lëvizjet demokratike do të mund të përmbyseshin në mënyrë të dhunshme dhe ne do t'i linim fëmijët tanë të përballen me një botë më të rrezikshme", ka thënë zoti Bush. Vetëm pak ditë pas përvjetorit të gjashtë të sulmeve terroriste të 11 shtatorit, presidenti amerikan tha se amerikanët e dinë më së miri se sa e rrezikshme mund të jetë kjo botë. Dhe, fare në fund, ai ka thënë se Shtetet e Bashkuara ndjejnë një domosdoshmëri morale për të mbrojtur irakianët e pafajshëm nga militantët, të cilët vazhdojnë të kenë në shënjestër qytetarë të pambrojtur. Në anën tjetër, senatori demokrat, Jack Reed, duke dhënë përgjigjen e demokratëve mbi fjalimin e zotit Bush, tha se plani i presidentit është i papranueshëm për partinë e tij. Ai e ka akuzuar administratën se ka lënë mënjanë nevojat e amerikanëve, duke shpenzuar 10 miliardë dollarë në muaj në Irak. Senatori Reed është i mendimit se presidenti amerikan nuk e ka kuptuar atë që dy zyrtarët e tij, Petraeus dhe Crocker, në fakt, kanë thënë duke nënvizuar se çelësi i suksesit në Irak nuk nënkupton domosdoshmërish një fitore ushtarake. "Ushtria jonë mund ta mposhtë çdo armik në fushëbetejë, por, siç ka thënë edhe vetë gjenerali Petraeus, problemet fundamentale të Irakut nuk kanë të bëjnë me ushtrinë, por me politikën”, tha zoti Reed. “E vetmja mënyrë për të ndërtuar një paqe të qëndrueshme në Irak” - ka thënë senatori Reed – “është nëse udhëheqësit irakianë negociojnë një zgjidhje mbi kundërshtitë e kamotshme që kanë mes vete".
XS
SM
MD
LG