Ndërlidhjet

DEPUTETËT PRESIN RËNIEN E DINAMIKËS SË PUNËS NË KUVEND GJATË FUSHATËS ZGJEDHORE


Zijadin Gashi

Zgjedhjet dhe fushata zgjedhore do të ndikojnë dukshëm në punën e Kuvendit dhe të institucioneve tjera të Kosovës, vlerësojnë deputetët, edhe pse disa prej tyre mendojnë se me një përkushtim më të madh, do të mund të ruhej deri diku dinamika e punës në institucione. Sipas deputetëve, Kuvendi ka nevojë për caktimin e një agjende përmbyllëse të punës së vet, kur dihet se ka hyrë në dy muajt e fundit të mandatit. Deputeti Bajram Kosumi vlerëson se me shpalljen e zgjedhjeve, institucionet duhet ta fillojnë fazën përmbyllëse të agjendës. Ai thotë po ashtu, se Kuvendi nuk ka më nevojë që të merret me shqyrtimin e ligjeve në shikim të parë, por t’i përmbyllë vetëm ato ligje që i ka në procedurë. “Përveç ndonjë rasti a ligji të domosdoshëm, përndryshe nuk do të duhej të fillonim procedura të reja për miratimin e ligjeve. Gjithçka që ndodh prej ditës së shpalljes së zgjedhjeve, bëhet në kuadër të fushatës zgjedhore dhe nuk do të duhej lejuar që në emër të Kuvendit, Qeverisë apo presidentit të Kosovës, të bëhen fushata zgjedhore”, vlerëson Kosumi. Ndërkohë, deputeti Enver Hoxhaj konsideron se me një intensitet të shtuar të punës mund të përfundojë agjendën dhe madje edhe të miratojë pakon ligjore që ka të bëjë me zbatimin e statusit, në mënyrë që legjislatura e re dhe Kosova e pas statusit të ketë gati bazën ligjore për të funksionuar si shtet. “Jam shumë i sigurt që Kuvendi i Kosovës mund të vazhdojë funksionimin e tij dhe agjenda të jetë e ngjeshur; të sillen të gjitha ato ligje që duhet të miratohen. Dhe, sidomos, ne kemi favorizuar që Kuvendi i Kosovës, gjatë kësaj kohe, ta hartojë pakon e ligjeve të nevojshme për implementimin e marrëveshjes së Ahtisaarit, meqë Kosova është e gatshme nga sot ta fillojë implementimin e kësaj marrëveshjeje”, tha Hoxhaj. Ndryshe nga Enver Hoxhaj mendon deputeti Gazmend Muhaxheri. Ai i rekomandon Kryesisë së Kuvendit që të ulet dhe të caktojë se cilat ligje kanë mbetur pa u miratuar dhe t’i caktojë seancat deri kur do të miratohen ato, pasi që beson se sa më afër që të jetë fushata, Kuvendi do të jetë shumë më pasiv. “Kryesia e Kuvendit duhet të marrë vendim shumë shpejt, se cilat ligje duhet t’i kalojë. Qeveria, tri mbledhje më parë të Kryesisë, e ka sjellë një pako të re, me të cilën ka paraparë që në dy muajt e ardhshëm t’i sjellë 20 ligje. Por, besoj se as këto 20 ligje nuk do të jetë e mundur që kjo përbërje e Kuvendit t’i kalojë (t’i miratojë)”, tha Muhaxheri. Duke besuar se zgjedhjet natyrshëm do të ndikojnë në punën e Kuvendit dhe të institucioneve tjera, deputetja Besa Gaxherri vlerëson se partitë politike, megjithatë, munden që një pjesë të energjisë ta harxhojnë në Kuvend dhe një pjesë tjetër në fushatën zgjedhore. “Unë mendoj se Kryesia e Kuvendit nuk është e përgatitur dhe në koordinim me Qeverinë për të sjellë dhe sponsorizuar ligjet e domosdoshme për Kosovën dhe, natyrisht, deputetët për të qenë prezentë, për të punuar edhe nëpër seanca, edhe nëpër komisione për t’i kryer këto ligje. Kuvendi është dashur të nxjerrë shumë ligje. Ne, sot, nuk kemi as simbole të shtetit, as Kushtetutë, as nuk kemi ligj për pronën e bëjmë privatizim; domethënë, nuk jemi në nivel të detyrës”, vlerëson Gaxherri. Bazuar në dinamikën që ndjek Kuvendi i Kosovës, seancat plenare mbahen dy herë në muaj. Mirëpo, puna e Kuvendit është e përditshme, duke pasur parasysh takimet e komisioneve parlamentare, të cilat, sipas deputetëve, javën e kaluar nuk kanë mundur të mblidhen, për shkak të angazhimeve të partive politike në caktimin e listave. Gazmend Muhaxheri thotë se ai vetë kishte munguar në mbledhjen e komisionit, për shkak të angazhimeve partiake. “Unë vetë nuk kam qenë pjesëmarrës në punën e Komisionit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, të martën e kaluar, edhe pse e kam paralajmëruar pjesëmarrjen”, sqaron Muhaxheri. Korniza Kushtetuese i mundëson Kuvendit që të vazhdojë mandatin deri në konstituimin e legjislaturës së re pas zgjedhjeve, ndërkaq me një vendim të UNMIK-ut, Kuvendit i është caktuar mandati deri në dy ditë para zgjedhjeve. Sidoqoftë, liderët kosovarë janë zotuar se në Kosovë nuk do të ketë ndonjë vakuum institucional, sidomos gjatë fundvitit, duke pasur parasysh rrjedhën finale të statusit të Kosovës.

XS
SM
MD
LG