Ndërlidhjet

GJINI:”NUK MUND TË KALOJMË PËRTEJ DHJETORIT PA U QARTËSUAR PROCESI”


Ardian GJINI, ministër në Qeverinë e Kosovës

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Gjini, javën ardhshme, mirëpo edhe në fund të shtatorit, priten takimet e radhës ndërmjet Prishtinës e Beogradit në kuadër të bisedimeve për statusin. Çfarë prisni ju nga këto takime konkretisht?

ARDIAN GJINI
Mendoj se në aspektin e pritjeve që kanë qenë në fillim të procesit negociator dhe tani, nuk mund të presim diçka shumë. Mirëpo, prapëseprapë, pozicioni i Kosovës do të sqarohet edhe më tutje në atë që ka të bëjë me sqarimin e vizionit për pavarësinë, se çfarë vendi duam të ndërtojmë ne, cilat janë karakteristikat e atij shteti, sa do të jetë ai shtet i gatshëm që të ballafaqohet me sfidat e brendshme, por edhe me zhvillimet ndërkombëtare, cili do të jetë vizioni ynë për marrëdhëniet në rajon, në këtë aspekt edhe në lidhje me marrëdhëniet me Serbinë – kjo do të jetë ajo që do të sqarohet nga ana jonë. Sa i përket pozicioneve rreth pavarësisë së Kosovës, mendoj se do të ngelen aty ku janë. Kosova i ka paraqitur vizionet e veta ose pikat e veta të palëkundshme, që janë shteti i pavarur dhe sovran i Kosovës, moscenueshmëria e territorit të Kosovës dhe në të njëjtën kohë përmbajtja strikte rreth planit të presidentit Ahtisaari. Nuk besoj se nga ana e Serbisë do të ketë ndonjë lëkundje nga pozicioni i vet, ndonjë ofrim drejt pavarësisë. Kështu që këto do të jenë edhe në këtë takim të radhës, por edhe në takimet tjera, elementet që do të dalin nga këto takime. Në aspektin ndërkombëtar, mendoj se mund të ketë ndonjë sqarim eventual të rrugës së mëtutjeshme pas takimeve të shtatorit.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë mendoni se do të ketë sqarim nga aspekti ndërkombëtar?

ARDIAN GJINI
Ndoshta mund të kemi një sqarim të hapave të mëtutjeshëm të takimeve të ardhshme ose të ndonjë agjende për t’u ofruar qëndrimet mes vendeve anëtare të Unionit Evropian, të SHBA-ve etj.

RADIO EVROPA E LIRË
Folët pak më herët për pozicionin e palës kosovare, përkatësisht për dokumentin që pala kosovare do t’ia paraqesë Treshes negociatore, do me thënë memorandumin e fqinjësisë së mirë. Si e vlerësoni ju këtë hap të palës kosovare, në kohën kur nga Beogradi ka një ashpërsim të retorikës rreth Kosovës dhe statusit të saj?

ARDIAN GJINI
Mendoj se nga prizmi i Kosovës dhe në kuadër të një kornize të këtij procesi, plani ose propozimi i Kosovës për një fqinjësi të mirë të ardhshme mes Kosovës dhe Serbisë është derivat i gjithë asaj që ne kemi ndërtuar deri më tani, është derivat i pranimit të planit të presidentit Ahtisaari, është derivat i synimit tonë për marrëdhënie të mira në rajon, është derivat i qëllimit tonë të palëkundshëm për anëtarësim në Unionin Evropian dhe në NATO.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa do të ketë dhe a do të ketë, në fakt, ndikim në zgjidhjen e statusit final të Kosovës, në kuptimin e imazhit të Kosovës para ndërkombëtarëve, ky dokument?

ARDIAN GJINI
Unë mendoj se Kosova e ka ndërtuar një imazh para bashkësisë ndërkombëtare gjatë gjithë këtij procesi. Ky plan, edhe njëherë po them, është një derivat që sqaron një detaj të asaj që ne synojmë, sqaron një pjesë të ngushtë, por shumë të rëndësishme të synimit të Kosovës për pavarësi, për integritet, për sovranitet, për marrëdhënie të mira fqinjësore, për integrim në Unionin Evropian dhe në NATO.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Gjini, më 10 dhjetor është paraparë që Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara t’i dorëzohet raporti i parë prej Treshes negociatore. A parashihni ju bisedime tjera pas kësaj periudhe apo do të ketë një zgjidhje të statusit?

ARDIAN GJINI
Unë mendoj se pas datës 10 dhjetor duhet të ketë qartësi pa asnjë ekuivok të procesit të mëtutjeshëm. Duhet ta kemi të qartë se çka ndodh, duhet ta kemi të qartë se cilat do të jenë hapat e mëtutjeshëm të Kosovës në relacion me bashkësinë ndërkombëtare, si do të merren vendimet. Mirëpo, edhe njëherë po përsëris, duhet të ketë qartësi në marrjen e vendimeve qoftë në Kosovë, qoftë të Kosovës në relacion me bashkësinë ndërkombëtare. Nuk mund të kalojmë përtej dhjetorit pa e pasur një qartësi në proces.

RADIO EVROPA E LIRË
Kthehemi në Kosovë. Janë duke u zhvilluar paralelisht procesi i statusit dhe zgjedhjet. Sa mendoni se që tani janë duke ndikuar në procesin e statusit zgjedhjet dhe përgatitjet për zgjedhje?

ARDIAN GJINI
E kam thënë edhe më herët - zgjedhjet ndikojnë në të gjitha proceset në cilëndo demokraci; ndikojnë edhe në Kosovë, ndikojnë në punën e institucioneve, ndikojnë edhe në procesin e statusit. Ajo që ne po tentojmë të bëjmë, por edhe bashkësia ndërkombëtare, është që t’i minimizojmë, qoftë e mundur edhe t’i anashkalojmë plotësisht, efektet negative në procesin e statusit të Kosovës. Mendoj se deri më tani janë minimizuar, mendoj se forcat politike në Kosovë, qoftë ato në Qeveri apo në opozitë, e kanë të qartë se procesi i definimit të statusit përfundimtar të Kosovës është çështje mbi çështjet politike të brendshme në këtë moment dhe deri më tani të gjitha forcat ashtu po sillen. Unë jam i bindur se kështu edhe do të vazhdojë, kështu që efekti apo ndikimi negativ në këtë proces do të jetë minimal. Nuk mund të thuhet në asnjë moment se nuk ka ndikim fare.

RADIO EVROPA E LIRË
Ekspertë të sigurisë kanë tërhequr vërejtjen se ndoshta sfidë kryesore gjatë këtyre dy proceseve do të jetë siguria. Sa mendoni se do të mund të ruhet siguria gjatë fushatës parazgjedhore?

ARDIAN GJINI
Mendoj se kur flitet për sigurinë, nuk guxon të nxirret jashtë kontekstit të proceseve tjera që ndodhin, ose jashtë kontekstit të gjithë asaj për të cilën ne flasim rreth Kosovës. Siguria është një çështje që është shumë delikate për cilindo vend në botë. Të gjitha vendet e botës investojnë shumë në sigurinë e vet të brendshme dhe në sigurinë e vet kolektive; kjo është diçka shumë e qartë. Edhe Kosova duhet të investojë shumë në siguri. Për momentin ne varemi plotësisht nga NATO-ja, që ka të bëjë me sigurinë e përgjithshme, mirëpo kemi ndërtuar edhe institucionet tona të brendshme të sigurisë, që është Shërbimi Policor i Kosovës dhe shërbime të tjera që janë ndihmesë e këtij shërbimi, për të mos përmendur këtu esencialisht policinë ndërkombëtare. Mendoj se siguria do të jetë sfidë, por siguria nuk është sfidë jashtë kontekstit të sfidave me të cilat Kosova sot ballafaqohet. Është një sfidë e përhershme dhe do të jetë sfidë e përhershme. Sot rëndohet situata për shkak të paqartësisë në proces. Mirëpo, në aspektin e përgjithshëm të sigurisë, mendoj se Kosova qëndron njëjtë sikur vendet tjera të rajonit.

RADIO EVROPA E LIRË
Shefi i UNMIK-ut ruan të drejtën e shtyrjes së zgjedhjeve nëse e sheh se ato po ndërhyjnë në procesin e statusit. Sa mendoni se do të mbahen zgjedhjet më 17 nëntor apo konsideroni se, megjithatë, do të ketë shtyrje të tyre?

ARDIAN GJINI
Besoj se zgjedhjet do të mbahen më 17 nëntor. Nëse mbajtja e zgjedhjeve ka ndikim në statusin përfundimtar, unë mendoj se tanimë meqenëse ne veç kemi hyrë në procesin e zgjedhjeve, anulimi i tyre eventual do të ketë ndikim edhe më negativ, sesa mbajtja e zgjedhjeve.

RADIO EVROPA E LIRË
Përse?

ARDIAN GJINI
Për shkak se është ndërtuar një situatë, partitë politike i kanë dorëzuar listat, partitë politike po përgatiten për zgjedhjet, qytetarët e Kosovës tanimë i presin zgjedhjet, pavarësisht asaj nëse dikujt i ka pëlqyer ose jo. Tanimë jemi në proces zgjedhor. Mirëpo, nëse, pasi që e kemi filluar këtë proces, dikush do të ndërhynte pa ndonjë arsye të fuqishme, mendoj se në atë rast ndikimi do të jetë më negativ, sesa vetë mbajtja e zgjedhjeve.

INTERVISTOI: ALBANA ISUFI
XS
SM
MD
LG