Ndërlidhjet

logo-print

PËR DHE KUNDËR ZGJEDHJEVE PARALELE PËR SERBËT E KOSOVËS


Arbana Vidishiqi

Kryetari i Këshillit Kombëtar Serb për veriun e Kosovës, Milan Ivanoviq, ka dalë me idenë për organizimin e zgjedhjeve paralele për serbët e Kosovës, të cilat do të mbaheshin pavarësisht nga zgjedhjet vendore dhe të përgjithshme, të parapara për 17 nëntor në Kosovë. Zoti Ivanoviq, i cili ndryshe përfaqëson një vijë më ekstreme të politikës serbe në Kosovë, ka pohuar se në këtë mënyrë do të zgjidheshin përfaqësuesit legjitimë të komunitetit serb në Kosovë. “Mendoj se do të ishte më e logjikshme që këto zgjedhje të shpallen nga Kuvendi i Serbisë ose që ato të mbahen nën regjinë e organizatave serbe, institucioneve dhe partive politike në Kosovë”, ka thënë Ivanoviq. Sipas tij, kjo do t'i pamundësonte disa, siç tha ai, udhëheqës të vetëshpallur që të përfaqësojnë interesat e komunitetit serb, duke dëmtuar kërkesat, sipas tij, autentike të këtij komuniteti. Megjithatë, Rada Trajkoviq, e cila përfaqëson organin ekzekutiv të Këshillit Kombëtar Serb, është kundër këtij projekti. Ajo thotë se një ide e këtillë është absolutisht në kundërshtim me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit, mbi të cilën, siç thotë zonja Trajkoviq, Beogradi zyrtar e bazon betejën e saj për të respektuar të drejtën ndërkombëtare. “Unë vërtet mendoj se me një ide të këtillë do të vihej në kundërshtim diçka që nënkupton respektim të pranisë së bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë. Gjithashtu, mendoj se ky projekt nuk i sjell asnjë të mirë serbëve të Kosovës, para së gjithash, për faktin se rrezikon serbët që jetojnë në jug të lumit Ibër”, tha zonja Trajkoviq. Në anën tjetër, sipas saj, është edhe çështja e veriut të Mitrovicës, për të cilën, tha zonja Trajkoviq, mund të flitet gjithçka, por realiteti është ndryshe. “Ne mund të themi se është serbe, por në aspektin zyrtar dhe ligjor ajo pjesë ende nuk është zyrtarizuar si komunë dhe nuk është e legalizuar si e tillë, që do të thotë se ne, fillimisht, duhet të luftojmë për ligjshmërinë e territoreve, në të cilat duam të mbajmë zgjedhjet, por me përkrahjen e komunitetit ndërkombëtar dhe të shqiptarëve që udhëheqin institucionet qendrore”, tha zonja Trajkoviq. Ajo është e mendimit se duhet bërë përpjekje që e gjithë popullata në Kosovë të fitojë institucionet e përbashkëta, por nëpërmjet decentralizimit të pushtetit vendor, i cili është përkrahur në masë të madhe. “Dhe jo nëpërmjet krijimit të institucioneve paralele, të cilat padyshim nuk do të çojnë askund tjetër përveç drejt krijimit të konflikteve të reja dhe natyrisht drejt promovimit të ndarjes së Kosovës, të cilën edhe Qeveria e Serbisë e ka kundërshtuar ashpër, të paktën publikisht”, ka thënë zonja Trajkoviq, duke pritur nga autoritetet në Beograd që të mos e zbatojnë këtë projekt. Edhe Rangjel Nojkiq, nga Lista Serbe për Kosovën, mendon se ideja për organizimin e zgjedhjeve vetëm për serbët e Kosovës është e pamundshme për t'u realizuar. “Me një hap të këtillë, në mënyrë të drejtpërdrejtë do të shkelej Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit dhe në këtë mënyrë, pozita e deritashme e Ekipit Negociator të Beogradit do të vihej në pikëpyetje, me faktin se do të arsyetohej çdo shkelje tjetër e Rezolutës në fjalë”, ka thënë zoti Nojkiq. Ndryshe, Administrata e Kombeve të Bashkuara nuk ka dhënë asnjë koment mbi këtë çështje, ndërkaq Qeveria e Kosovës ka ripërsëritur qëndrimin se zgjedhjet vendore dhe qendrore të 17 nëntorit janë të hapura për të gjithë qytetarët, pavarësisht nga përkatësia e tyre etnike.

XS
SM
MD
LG