Ndërlidhjet

logo-print

NJOHJA E PAVARËSISË NGA PERËNDIMI – ALTERNATIVË PËR ZHBLLOKIMIN E PROCESIT


Arton Konushevci

Qeveria e Kosovës e ka mirëpritur dokumentin e ekspertëve të njohur amerikanë, të cilët kanë kërkuar njohjen e pavarësisë së Kosovës, edhe në mungesë të një rezolute të Këshillit të Sigurimit. Avni Arifi, zëdhënës i Qeverisë, ka thënë se raporti është edhe një përpjekje për vetëdijesimin e bashkësisë ndërkombëtare për ta kuptuar se Beogradi nuk është i interesuar në gjetjen e një zgjidhjeje për Kosovën. “Ne e përshëndesim këtë veprim të ekspertëve të ndryshëm që rekomandojnë njohje të pavarësisë së Kosovës edhe pa rezolutë, sepse konsiderojmë se është edhe një tendencë për vetëdijesimin e bashkësisë ndërkombëtare, se pothuajse është e pamundur që me këtë qasje që ka Beogradi të vijë deri te një marrëveshje dhe të vijë deri te një rezolutë, e cila do të mundësonte zgjidhjen e statusit politik të Kosovës”, ka thënë Arifi. Ai e pranon faktin se zgjidhja më e mirë do të ishte miratimi i një rezolute në Këshillin e Sigurimit, por, siç thotë ai, realiteti po tregon se Kosova ka një përkrahje të vazhdueshme nga Shtetet e Bashkuara për pavarësinë, edhe në forma të tjera. “Është e kuptueshme, është e natyrshme se zgjidhja më e mirë për Kosovën dhe ardhmërinë e saj do të ishte përmes një rezolute të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Por, meqenëse realiteti po tregon se ne kemi një përkrahje të pakushtëzuar të njërit nga anëtarët e Këshillit të Sigurimit ndaj Serbisë dhe një gjë e tillë do të jetë e pamundur, atëherë sillen praktika të mëparshme të historisë; ndoshta zgjidhja më e mirë që do të sigurojë paqen edhe jo ndoshta, por sigurisht, zgjidhja më e mirë që do të sigurojë paqe e stabilitet jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon, është një zgjidhje që i plotëson kërkesat e qytetarëve të Kosovës, në këtë rast pavarësia e Kosovës”, tha Arifi. Edhe përfaqësuesit e forcave politike në opozitë mendojnë se propozimet që kanë dalë nga ekspertët amerikanë paraqesin një rrugë alternative për gjetjen e një zgjidhjeje sa më të shpejtë për statusin e Kosovës. Kështu thotë Enver Hoxhaj, nga Partia Demokratike e Kosovës. “Mendoj se është rrugë e re me qëllim që të kërkohen mundësi alternative që edhe në rrafshin politik, edhe në rrafshin diplomatik të gjendet një zgjidhje sa më shpejt për pavarësinë e Kosovës. Dhe, definitivisht, është mënyrë e vetme për presion nga fuqia që e kanë si opinion krijues në vetë Uashingtonin dhe qendrat e tjera”, ka theksuar Hoxhaj. Ai mendon se edhe mund të parashihet sjellja e ardhshme politike e Rusisë, prandaj duhet të shqyrtohen alternativat tjera. “Kuptohet se zgjidhja më e mirë do të ishte në kuadër të kornizës së Kombeve të Bashkuara, mirëpo meqë edhe më tutje mund të parashihet se sjellja politike e Federatës Ruse mund të jetë e njëjtë, gjërat në Kosovë nuk mund të mbesin në vakuum, prandaj edhe kërkesa e shumicës së elitës politike në Prishtinë është që pas kësaj faze shtesë të definohen rrugët e reja alternative, të cilat do të ofronin një zgjidhje”, ka thënë Hoxhaj. Një prej alternativave që është përmendur në raport është edhe vazhdimësia e validitetit të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit edhe pas njohjes së pavarësisë së Kosovës nga vendet perëndimore, për të mundësuar funksionimin e pranisë ndërkombëtare. Dragisha Kërstoviq, nga Lista Serbe për Kosovën, thotë se kjo është zgjidhje, por është zgjidhja më e keqe e mundshme. "Kjo mund të jetë zgjidhje. Të gjitha opsionet janë ende në lojë, por si mundësi. Në rast të shpalljes së pavarësisë nga Kuvendi i Kosovës dhe pranimi i saj nga SHBA-të, mendoj se kjo nuk është zgjidhje e mirë, sidomos për interesat e serbëve të Kosovës. Kjo mund të jetë problem për rajonin dhe posaçërisht në raportet mes Prishtinës e Beogradit, si dhe ndërmjet Beogradit dhe faktorëve tjerë në tërë botën. Unë kurrsesi nuk do të këshilloja një zgjidhje të tillë, pavarësisht që pas këtij skenari të mundshëm mund të qëndrojnë faktorë të rëndësishëm në botë", ka thënë Kërstoviq. Lulëzim Peci, analist në Institutin Kosovar për Hulumtime dhe Politika Zhvillimore, përmbajtjen e raportit e sheh si një presion tjetër për të dalë në një rrugë për zgjidhje. "Ky është një presion publik që po e ushtrojnë ekspertët e marrëdhënieve ndërkombëtare, por edhe ish-diplomatë të SHBA-ve, në lidhje me shtyrjen përpara dhe për mbylljen e procesit të statusit të Kosovës", ka pohuar Peci. Ai shprehet se duke pasuar parasysh peshën që ka raporti i përgatitur nga ekspertët e njohur amerikanë, ai e sheh si një përpjekje për të eliminuar mundësitë që statusi i Kosovës të vazhdojë të mbetet peng i Rusisë. "Unë mendoj se kjo është edhe një përpjekje që tash e tutje statusi i Kosovës të mos jetë peng i Rusisë", ka thënë Peci.

XS
SM
MD
LG