Ndërlidhjet

logo-print

PAVARËSIA E KOSOVËS ËSHTË JASHTË AGJENDËS, THOTË NDËRMJETËSI EVROPIAN


"Independent"

Komuniteti ndërkombëtar është duke u shmangur nga mbështetja e qartë për pavarësinë e Kosovës. Sipas ndërmjetësit evropian, Kosovës nuk është duke iu ofruar më pavarësia e mbikëqyrur ndërkombëtarisht, një koncesion ky i qartë për Beogradin dhe Moskën, i cili mbase do t'i zemërojë tej mase shqiptarët në Kosovë. Ndërmjetësi evropian, Wolfgang Ischinger, i cili është i përfshirë në bisedimet që do të zhvillohen sot dhe nesër në Londër me delegacionet nga Kosova dhe Serbia, ka thënë se ka ardhur koha që të shmangen etiketimet, në mënyrë që të arrihet deri tek një zgjidhje reakle për Kosovën. Delegacioni i Kosovës ndërkaq, anëtarët e të cilit janë kërcënuar me shpallje të njëanshme të pavarësisë, duan që bisedimet e Londrës të përqëndrohen në çështjet teknike midis dy shteteve të pavarura, citon gazeta kryeministrin e Kosovës, Agim Çeku. Por, zoti Ischinger ka thënë: "Etiketa nuk vlen asgjë. Prej nga do t'i kenë të ardhurat? Ata do të vazhdojnë të mbështeten në ndihmën nga jashtë". I pyetur nëse rezultati përfundimtar i negociatave të fundit do të jetë pavarësia e mbikëqyrur ndërkombëtarisht, zoti Ischinger është përgjigjur: "Do të thosha se do të bëjmë përpjekje që të gjejmë një zgjidhje për statusin, e cila do të ofronte një status të mbikqyrur ndërkombëtarisht për Kosovën. Pavarësinë do ta lija të hapur dhe më me dëshirë do të bisedoja mbi një status fuqimisht të mbikëqyrur", ka thënë Ischinger. Megjithatë, ai ka thënë se bisedimet e deritashme me Serbinë dhe Kosovën kanë arritur një masë përparimi, duke i tërhequr të dyja palët larg nga etiketat që kanë pasur. Pavarësia përballë autonomisë është një hendek, i cili nuk mund të tejkalohet. Mbikëqyrja ndërkombëtare ndërkaq është e pranueshme", ka thënë ndërmjetësi evropian. Sipas tij, treshja ndërkombëtare madje është pajtuar me kërkesën e Serbisë që plani i hartuar nga ish presidenti finlandez, Martti Ahtisaari, të mos jetë bazë për bisedimet. "Unë nuk do të insistoja në pakon e Ahtisaarit, por ajo nuk është hedhur jashtë nga tavolina", ka thënë i dërguari evropian. Duke u kërcënuar me veto në Këshillin e Sigurimit, Rusia i ka penguar përpjekjet amerikane dhe evropiane për ta miratuar planin e Ahtisaarit, nëpërmjet të cilit Kosova do të fitonte pavarësinë nën mbikëqyrjen e Bashkimit Evropian, por duke garantuar të drejtat e pakicës kombëtare serbe. Treshja ndërkombëtare do të paraqesë më 10 dhjetor raportin përfundimtar mbi statusin para Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon.
XS
SM
MD
LG