Ndërlidhjet

HUMBJET NGA KONTRABANDIMI I MALLIT


Arton Konushevci

Kufiri verior midis Kosovës dhe Serbisë nuk është i qëndrueshëm për të bërë një kontroll të mallrave që hyjnë nga Serbia dhe kjo është arsyeja pse kontrabandimi në këtë pjesë të kufirit është në nivel të lartë, kanë thënë sot zyrtarë të Qeverisë së Kosovës. Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bujar Dugolli, thotë se ky është një problem që po i shkakton dëme të mëdha ekonomike Kosovës, me vetë faktin se malli që hyn në Kosovë nuk i nënshtrohet procedurave doganore. "Edhe pse doganat e Kosovës kanë ndërtuar pikat legale të futjes së mallrave, pikat doganore, ende vazhdon të ketë një kontrabandë të theksuar përmes pjesës veriore. Bashkëpunimi i qytetarëve serbë të Kosovës me pjesën e Serbisë është i madh dhe mund të them që kontrolli nuk është në nivelin që do të duhej të ishte, për arsye se janë vërejtur futje ilegale të mallrave dhe këto janë bërë me dije nga shërbimi doganor. Por, edhe deklarata e shefit të shtyllës së katërt dëshmon se nuk është i qëndrueshëm ky kufi", ka thënë Dugolli. Ai theksoi se kontrabanda më e madhe e mallrave bëhet në këtë pjesë të Kosovës. Sipas Dugollit, nëse do të kishte një kontroll të duhur si në pikat doganore me Maqedoninë dhe Shqipërinë, të hyrat doganore do të rriteshin dhe nuk do të kishte fare kontrabandë. Në anën tjetër, Besim Beqaj, nga Oda Ekonomike e Kosovës, mendon se kufiri Kosovë – Serbi asnjëherë nuk i ka pasur kompetencat e plota si kufi shtetëror i Kosovës, për shkak të statusit. Ai thotë se për këtë që po ndodhë me kontrabandë dhe për shmangien nga tatimi, përgjegjëse është Qeveria e Kosovës. “Krimi i organizuar ekonomik bëhet përmes këtyre kufijve në Kosovë dhe kjo është një tragjedi. Edhe pse ne atje kemi SHPK-në, edhe pse kemi doganë, edhe pse dogana ka marrë në momente të caktuara disa hapa konkretë, nuk ka qenë e fuqishme që këtë çështje ta ndalë në mënyrë të plotë. Faji kryesor i bije Qeverisë, sepse Qeveria është zgjedhur nga populli. Qeveria së bashku me Parlamentin janë organe që i referojnë dhe duhet t’i raportojnë popullit, jo UNMIK-ut. Dhe, sigurisht, sikur të kishte një qëndrim me konsistent edhe UNMIK-u do të ishte i shtyrë për të bërë gjëra të tilla", ka theksuar Beqaj. Ndërkaq, ministri Dugolli ka thënë se për këtë problem janë ngritur shqetësime edhe në instancat më të larta të vendit, por, siç thotë ai, çështja e doganave nuk është në mbikëqyrjen e institucioneve të Kosovës. "Ne normalisht që kemi ngritur zërin dhe pakënaqësitë i kemi shprehur në shumë instanca. Por, ne nuk kemi kurrfarë kompetence në çështjen e kontrollit të kufijve, asnjë institucion i Kosovës. Normalisht, as dogana nuk është në mbikëqyrjen e institucioneve të Kosovës për të marrë të tjera masa, përveç me deklarime të tilla që thash i kemi bërë dhe përkojnë, por nuk është në fuqinë tonë që të bëjmë diçka më ndryshe", tha Dugolli. Zoti Beqaj numëron edhe dëmet që ky fenomen është duke shkaktuar në ekonominë e Kosovës. "Dëmet ekonomike janë shumë të mëdha, sepse ne këtu kemi largim nga tatimi, pastaj kemi bashkëpunim me ndërmarrjet që janë nëpër enklava, që në momente të caktuara hyjnë nëpër pika të tjera, bëjnë një pagesë të doganës si deklarim doganor. Mirëpo, asnjëherë nuk bëhen deklarimet e përfunduara nga aspekti i deklarimit të mallit, për shkak se si ndërmarrje nëpër enklava deklarohen dhe zhduken shumë shpejt nga regjistri. Kështu që dëmi ekonomik më i madh, Kosovës i shkaktohet në kufi me Serbinë", tha Beqaj. Edhe Muhamet Mustafa, nga Instituti për Hulumtime Zhvillimore RIINVEST, thotë se një pjesë e madhe e mallrave, që hyjnë nga pika doganore me Serbinë, i shmangen tatimit dhe kjo krijon një pabarazi në tregun kosovar. "Kjo ndikon negativisht, për arsye se krijon një konkurrencë jo fer. Siç dihet, në të gjitha studimet që kemi bërë ne, përmendët problemi numër një për bizneset në Kosovë, që është konkurrenca jo fer. Konkurrenca jo fer, midis tjerash, buron edhe nga fakti se disa mallra nuk i nënshtrohen pagesës së obligimeve, qoftë doganës, qoftë tarifave doganore, apo edhe tatimit në vlerën e shtuar", ka thënë Mustafa. Sido që të jetë, sipas disa vlerësimeve të fundit, më shumë se 40 për qind e mallit që hyn nga Serbia në Kosovë nuk i nënshtrohet fare procedurave të rregullta doganore. Kjo, sipas studimeve të Institutit RIINVEST, nënkupton se 40 për qind e mallit nuk paguan fare tatim në vlerën e shtuar.

XS
SM
MD
LG