Ndërlidhjet

EU: DEKLARATA E ISCHINGERIT – KEQINTERPRETIM MEDIASH


Albana Isufi

Liderët kosovarë kanë siguruar sot se deklarata e ndërmjetësit evropian, Wolfgang Ischinger, se Bashkimi Evropian nuk po synon më pavarësinë e mbikëqyrur, por një status të mbikëqyrur, është një keqinterpretim mediash. Gazeta londineze ‘Independent’ ka botuar një intervistë me ndërmjetësin evropian, në të cilën ai citohet të ketë thënë se po synohet të arrihet një zgjidhje që do të mundësojë një status të mbikëqyrur ndërkombëtarisht për Kosovën. “Opsionin e pavarësisë do ta kisha lënë hapur dhe më tepër do të diskutoja për një status të mbikëqyrur fuqishëm", citon gazeta zotin Ischinger. Por, presidenti Fatmir Sejdiu ka thënë se kjo deklaratë është një keqinterpretim. “Unë nuk do të interpretoj deklaratën që s’e kam dëgjuar vetë, por mendoj se ka pasur një intervenim të ndërkohshëm edhe të vetë zotit Ischinger në zyrën time dhe mendoj se mund të ketë qenë një keqinterpretim në qasjet që i kanë marrë mjetet e informacionit”, ka thënë presidenti Sejdiu. Ndryshe, Sejdiu ka siguruar se pavarësia e Kosovës do të mbetet në agjendë dhe ka theksuar se nuk është në mandatin e Treshes ndërkombëtare, që të propozojë opsione për statusin. “Pavarësia e Kosovës është dhe do të jetë në agjendë. Përkushtimi ynë për të është i paalternativë dhe do të vazhdojmë në këtë kohë të angazhimeve shtesë në bashkëpunim me Treshen, e cila nuk ka mandat të japë asnjë formulë, të imponojë asnjë formulë dhe të shtrojë asnjë çështje, e cila në një apo tjetër mënyrë do të ishte temë e domosdoshme për palët”, ka thënë Sejdiu. Gazeta ‘Independent’ citon zotin Ischinger të ketë thënë se Treshja ndërkombëtare është pajtuar me kërkesën e Serbisë që plani i hartuar nga Martti Ahtisaari, që ofron pavarësi të mbikëqyrur, të mos jetë bazë për bisedimet, megjithatë, sipas tij, ky plan ende nuk është hedhur jashtë nga tavolina. Lideri i partisë më të madhe opozitare, Hashim Thaçi, është i bindur se pavarësia nuk do të hiqet nga agjenda, por, në të njëjtën kohë, beson se deklarata e zotit Ischinger është keqinterpretuar. “Vullneti i qytetarëve të Kosovës për shtet të pavarur dhe sovran është i padiskutueshëm dhe gjithçka mund të hiqet nga agjenda, por agjenda për pavarësi është e pakontestueshme dhe e ka përkrahjen e plotë të SHBA-ve dhe BE-së. Por, mund të them se më tepër është një keqkuptim, një keqinterpretim i prezantuar, sepse kemi dhe konfirmimin e zotit Ischinger, se është keqinterpretim nga mediumet”, tha Thaçi. Ndërsa, kreu i Partisë Reformiste Ora, Veton Surroi, duke mos dashur të komentojë deklaratën e ndërmjetësit evropian, ka siguruar se pala kosovare nuk do të negociojë pavarësinë. “Kosova synon ta shndërrojë këtë vend në vend të pavarur dhe ky është i vetmi qëllim që vlen. Ne nuk kemi shkuar atje, e as nuk do të shkojmë ta vëmë në tryezë të diskutimit pavarësinë e Kosovës. Jemi duke diskutuar për periudhën pas pavarësimit të Kosovës”, ka theksuar Surroi. Ndryshe, Ekipi i Unitetit është nisur sot për në Londër, për të marrë pjesë në bisedimet e nesërme me Treshen ndërkombëtare. Ata do t’ia paraqesin Treshes negociatore traktatin e fqinjësisë së mirë, i cili synon rregullimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë si dy shtete sovrane, në periudhën e pas statusit.

XS
SM
MD
LG