Ndërlidhjet

KRASNIQI:”INSTITUCIONET E REJA TË MARRIN PËRGJEGJËSINË PËR SHPALLJEN E PAVARËSISË”


Jakup KRASNIQI, Partia Demokratike e Kosovës

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Krasniqi, aktualisht po zhvillohen bisedimet ndërmjet delegacionit të Kosovës dhe Treshes ndërkombëtare, lidhur me statusin e Kosovës. Andaj, fillimisht, cilat janë pritjet e juaja jo vetëm nga ky takim, por në përgjithësi nga faza shtesë, siç po quhet, e bisedimeve?

JAKUP KRASNIQI
Ajo që dihet është se këto bisedime janë të imponuara, të imponuara nga politika ruse, natyrisht me kërkesën e politikës së Beogradit, që janë të interesuar vetëm ta shtyjnë problemin e Kosovës dhe zgjidhjen e drejtë dhe të shpejtë të çështjes së saj. Po të kihet parasysh kjo dhe kërkesa, përsëri e palës ruse, që këto bisedime të jenë të paafatizuara, tregon se natyrisht edhe pritjet tona, por edhe rezultatet nga këto bisedime, janë paraprakisht të dështuara, sepse nuk janë shtyrë për të zgjidhur një problem që do të duhej të ishte i harruar, por që të shtyhet sa më shumë dhe të krijohen vështirësi të reja për Kosovën dhe vendet e rajonit, që Kosova dhe vendet përreth të jenë si një burim i konflikteve të ndryshme, ndoshta të natyrës etnike, në rajonin tonë. Pritjet tona vërtet janë të vogla edhe për faktin se edhe Treshja ndërkombëtare në këto bisedime vetë nuk është sqaruar se çka dëshiron, çka kërkon. Dhe, në krejt këtë kaos, pritjet nuk mund të jenë të dëshirueshme. Ne, si palë kosovare, duhet të fillojmë të mendojmë pak më ndryshe dhe të marrim vendime që janë në interes të proceseve politike në Kosovë, proceseve politike që do t’i ndihmonin edhe rajonit, madje edhe Bashkimit Evropian.

RADIO EVROPA E LIRË
A nënkuptoni me këtë marrje të përgjegjësive fazën pas 10 dhjetorit dhe si do të realizohet kjo?

JAKUP KRASNIQI
Ndoshta nuk pres shumë te 10 dhjetori. Nuk jam prej atyre që mendojnë se dhjetori do ta zgjidhë çështjen e Kosovës. Do të ishte mirë që në këtë vit të konstituohen institucionet e reja të Kosovës, edhe legjislativi, edhe ekzekutivi. Edhe menjëherë, këto institucione të rëndësishme që duhet të dalin nga zgjedhjet e lira të nëntorit, t’i marrin përgjegjësitë që çojnë në interes të qytetarëve të Kosovës, t’i marrin përgjegjësitë që i marrin nga qytetarët e Kosovës. Unë mendoj se do të varet shumë nga institucionet që do të dalin nga zgjedhjet, do të varet shumë nga forcat që do të futen në institucionet e reja të Kosovës, në ekzekutiv. Mendoj se është koha që në institucione të Kosovës të vijnë njerëzit që janë lidership, që kanë guxim dhe vendosmëri për të marrë vendime të rëndësishme për vendin, sepse kjo situatë është vërtet një situatë e një status quo-je, që e pengon zhvillimin ekonomik, e pengon sundimin e ligjit, e pengon sigurinë dhe, me një fjalë, e pengon gjithë zhvillimin shoqëror dhe ekonomik të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Si i shihni disa sinjale që vijnë nga BE-ja, se me rëndësi do të jetë për Brukselin që të vendoste një mision mbikëqyrës në Kosovë, duke mos e vënë si prioritet fillimisht çështjen e statusit?

JAKUP KRASNIQI
Unë jam prej atyre që jam në proces dhe kam marrë pjesë edhe në procesin e bisedimeve në Vjenë. Dhe, unë nuk mendoj se mund të bëhet një kalim i kompetencave nga OKB-ja në BE, pa një rezolutë. Në anën tjetër, unë jam i bindur se me këtë përgjegjësi që kanë institucionet e Kosovës, edhe në aspektin legjislativ, edhe kushtetues, nuk do të zgjidhej problemi. Unë mendoj se edhe Nju Jorku, edhe Brukseli, edhe Uashingtoni, që janë tre faktorë kyçë në këtë proces përveç Prishtinës, do të duhej të marrin vendime që e përmbyllin çështjen e Kosovës dhe do të krijonin hapësira të reja për zhvillimin e Kosovës. Ata do të duhej të mendonin se me këtë status që ka Kosova, me një status të padefinuar, Kosova dhe vendet në rajon nuk mund të kenë paqe dhe siguri të qëndrueshme. Unë jam i bindur se edhe Evropës, edhe Kosovës, edhe rajonit, i duhen vendime që krijojnë paqe të qëndrueshme dhe që krijojnë perspektiva edhe për qytetarët e Kosovës, edhe për qytetarët e vendeve përreth.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe, si e shihni finalen e këtij procesi në fund? Dihet se është caktuar 10 dhjetori, megjithatë, nuk dihet se çka do të prodhojë kjo datë.

JAKUP KRASNIQI
Unë do të dëshiroja që përgjegjësia e njerëzve që marrin nga qytetarët në zgjedhjet e reja dhe institucionet që do të dalin nga zgjedhjet e reja duhet të marrin përgjegjësi për ta shpallur Kosovën shtet të pavarur dhe për të kërkuar zyrtarisht njohjen ndërkombëtare nga vendet që e kanë mbështetur dhe e mbështesin pavarësinë e Kosovës. Do të thotë, mendoj se hapin e parë duhet ta bëjnë institucionet e reja të Kosovës, pastaj këto institucione duhet të presin hapat tjerë që do t’i marrë komuniteti ndërkombëtar, edhe Nju Jorku, edhe Uashingtoni, edhe Brukseli.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe, për fund zoti Krasniqi, së shpejti fillon edhe fushata zgjedhore dhe do të mbahen zgjedhjet në Kosovë. Partia Demokratike e Kosovës, sivjet, ka dalë me një strategji të re, duke konkurruar, thënë kushtimisht, me ekipin e parë, si në nivelin lokal, ashtu edhe në atë qendror. Andaj, ku qëndrojnë arsyet e një vendimi, e një strategjie të tillë të partisë?

JAKUP KRASNIQI
Vendimi qëndron në atë që Partia Demokratike e Kosovës dëshiron t’i qaset problemit të qeverisjes, si të nivelit qendror, ashtu edhe të nivelit lokal, me seriozitet të plotë, duke u ofruar qytetarëve njerëzit më përgjegjës, njerëzit që e kanë edhe përgjegjësinë, por edhe besimin e PDK-së. Nëse ky besim merret edhe nga qytetarët e Kosovës, PDK-ja dëshiron që të jenë institucione që e ndryshojnë kualitetin e jetës së qytetarëve të Kosovës. Qytetarët e Kosovës kanë nevojë për ta ndryshuar këtë gjendje që është. Qytetarët e Kosovës kanë nevojë për një kualitet tjetër të jetës së tyre dhe PDK-ja e ka vendosmërinë, e ka guximin dhe e ka përgjegjësinë që qytetarëve të Kosovës t’ua ofrojë një qeverisje, që në themel ua ndryshon kualitetin e jetës.

INTERVISTOI: ZIJADIN GASHI
XS
SM
MD
LG