Ndërlidhjet

HUMBJET E BUXHETIT NGA MOSPAGIMI I DETYRIMEVE NË RAJONET SERBE


Arton Konushevci

Të hyrat në buxhetin e Kosovës prej rajoneve të banuara me shumicë serbe janë jashtëzakonisht të vogla, për të mos thënë zero. Kështu ka pohuar sot Flamur Keqa, drejtor për çështjet e politikës ekonomike në Odën Ekonomike të Kosovës. “Të hyrat në buxhetin e Kosovës, sa i përket regjionit ku banojnë serbët, janë shumë të vogla, për të mos thënë zero. Kjo është një dukuri që po ndodhë që pas përfundimit të luftës. Përkundër apeleve dhe thirrjeve që u bëhen nga institucionet qeveritare, që ata të jenë pjesëmarrës në jetën ekonomike kosovare dhe që të bashkërendojnë afarizmin e tyre, megjithatë kjo ka munguar. Ekziston një numër i caktuar i bizneseve, të cilat janë regjistruar në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë dhe një numër shumë i vogël që janë anëtarë të Odës Ekonomike të Kosovës. Mirëpo, ne nuk jemi të kënaqur për momentin me pjesëmarrjen e tyre në jetën ekonomike. Mendoj se është edhe në interes të tyre edhe të ekonomisë kosovare në përgjithësi, që ata të marrin pjesë dhe të jenë pjesë e jetës ekonomike dhe përfitimet do të jenë të dyanshme, si për biznesin konkret, po ashtu edhe për ekonominë kosovare. Nëse ata kyçen në këtë proces dhe i nënshtrohen legjislacionit kosovar, atëherë ata do të kenë edhe përfitime të tjera, të cilat ofrohen nga Qeveria dhe shteti i Kosovës dhe në këtë mënyrë, edhe ambienti për biznes për ta do të jetë më i lehtë edhe shumë më i favorshëm”, ka thënë Keqa. Sipas tij, të gjitha borxhet që qytetarët serbë, që jetojnë nëpër enklava, i kanë, qofshin ato për regjistrim biznesesh apo për shpagim të energjisë elektrike, përmbajnë në vete konotacione politike. “Arsyeja kryesore për mospërmbushjen e obligimeve të tyre ndaj Qeverisë apo në rastin konkret ndaj KEK-ut, apo ndërmarrjeve të tjera publike, ka konotacion politik. Do me thënë, krejt kjo sillet nga sfera politike dhe këtu mbisundojnë apo vendimet e Serbisë ndikojnë në sjelljen edhe të bizneseve, por dhe të qytetarëve serbë, që janë qytetarë të Kosovës dhe duhet të trajtohen njëjtë si të gjithë të tjerët”, ka theksuar Keqa. Nga ana tjetër, Rangjell Nojkiq, nga Lista Serbe, thotë se ka biznese, të cilat janë të regjistruara dhe që i kryejnë obligimet e tyre. “Me sa e di unë, ka mjaft biznese që janë të regjistruara dhe në këtë kuptim, ato shfrytëzojnë shërbimet bankare të Kosovës dhe nga kjo del se ato i plotësojnë obligimet e tyre. Me sa e di unë, asnjë nga bizneset që janë të regjistruara nuk u ikin pagesave dhe obligimeve të tyre”, ka thënë Nojkiq. Kurse, njëra prej çështjeve më kryesore, e cila është përmendur më së shumti, është ajo e mosshlyerjes së borxheve nga qytetarët serbë që jetojnë në Kosovë. Për këtë, Nojkiq thotë se është çështje politike. “Dihet se është çështje politike dhe se këtu duhet të zgjidhet së pari çështja e kontratës, së dyti ajo e pagesës retroaktive të borxheve dhe ajo që po ashtu e parasheh kontrata, konfiskimi i pasurisë së luajtshme në rast të mospagesës së borxheve të mbetura. Ka vullnet të mirë që kjo çështje të zgjidhet, por, para së gjithash, duhet të ketë vullnet të mirë politik te institucionet e Kosovës që ky problem të zgjidhet drejt dhe si duhet”, ka thënë Nojkiq. Sido që të jetë, autoritetet në Kosovë dhe institucionet e ndryshme që merren me çështje ekonomike, kanë vlerësuar se humbjet që shkaktohen nga mospagimi i detyrimeve në rajonet e banuara me shumicë serbe janë të mëdha për buxhetin e Kosovës, i cili edhe ashtu është i kufizuar.

XS
SM
MD
LG