Ndërlidhjet

RRËSHQITJA NGA PREMTIMI PËR PAVARËSINË


“Guardian”

Ministri i jashtëm serb, Vuk Jeremiç, ka pasur arsye të mirë këtë javë për t’u ndier i relaksuar dhe i vendosur gjatë paraqitjes përpara mediave dhe ekspertëve të politikës së jashtme në Londër, sepse prospekti i pavarësisë për Kosovën, dikur i sigurtë, tani është duke u zbehur me të shpejtë. Gjasët tani janë që Kosova të vazhdojë të mbetet në një amulli politike dhe ka shqetësime se tensionet do të mund të shpërthejnë në dhunë kur kosovarët e shohin se premtimi për pavarësinë po lihet mënjanë. Analistët kanë thënë se pohimet e të dërguarit të Bashkimit Evropian, Wolfgang Ischinger, se çështja e pavarësisë është e hapur, kanë pasur ndikim të tmerrshëm dhe do të mund të sforcojnë shqetësimet e shqiptarëve se janë braktisur nga miqtë e tyre perëndimorë.
Të gjitha këto zhvillim aktuale janë shumë larg nga parashikimet që zyrtarët amerikanë kanë pasur në fillim të këtij viti, e të cilat kanë kulmuar me zotimet e presidentit amerikan George Buish gjatë qëndrimit të tij në Tiranë.
Ëdhe afati i caktuar për dhjetor duket se do të vijë dhe do të shkojë pa pasur një zgjidhje diplomatike. Perëndimi e ka humbur durimin mbi këtë betejë, sepse administrata amerikane aktualisht në agjendë ka çështje më shqetësuese, siç është Iraku, Irani dhe Lindja e Mesme, prandaj edhe nuk është e gatshme që të përplaset me Kremlinin vetëm mbi këtë çështje.
Në Britaninë e Madhe ndërkaq, avokati tjetër i fuqishëm o pavarësisë, Tony Blair, për të cilin Kosova ka shënuar një rast të ndërhyrjes çlirimtare, tani është larguar, madje edhe duart e vjetra të cilat janë marrë me Kosovën në Ministrinë e Jashtme gjithashtu po largohen. Në këtë drejtim, edhe 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian janë të ndara dhe duke marrë parasyshë faktin se uniteti i këtij blloku është në pyetje, Britania mbase do të ngurojë që të bëjë presion për pavarësinë, për të shmangur hendekun e mëtutjeshëm.
Dhe me këtë paralizë politike në Perëndim, Kosova duket se do të zhytet drejt ndarjes; serbët do të mbeten në veri dhe të kthyer nga Beogradi, duke e shndërruar atë pjesë në një rajon të ndaluar për shqiptarët. Ndërkohë, shqiptarët do të ndihen të ngulfatur nën administrimin ndërkombëtar të një toke të askujt. Zgjidhja më e mirë për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor do të ishte nëse Bashkimi Evropian e njeh Kosovën, për të çliruar kësisoji gjithë frustrimin që shqiptarët ndiejnë aktualisht. Me këtë, Bashkimi Evropian do t’i bënte nder edhe Beogradit zyrtar, duke ia hequr nga duart një problem tashmë të vyshkur. Por, megjithatë ka shenja se Bashkimi Evropian do të dështojë të përballet me atë që vetë e ka cilësuar si sfidën më të madhe.



XS
SM
MD
LG