Ndërlidhjet

EKSPORTI I SERBISË NË KOSOVË – RRETH 200 MILIONË EURO NË VIT


Albana Isufi

Shkëmbimi tregtar mes Kosovës e Serbisë vazhdon të jetë shumë asimetrik. Përderisa nga Serbia në Kosovë hyjnë mallrat në mënyrë të pakufizuar, Kosova, sipas ekspertëve të ekonomisë, eksporton fare pak ose aspak në Serbi. Gjatë vitit 2006, Serbia ka eksportuar në Kosovë mall në vlerë prej 188 milionë euro, ndërkaq eksporti kosovar në Serbi mezi ka kaluar shifrën 11 milionë euro. Situatë, pak a shumë e njëjtë, sipas zyrtarëve të Shërbimit Doganor të Kosovës, mbizotëron edhe këtë vit. Ndryshe, zëdhënësi i Shërbimit Doganor të Kosovës, Adriatik Stavileci, thotë se sipas rregulloreve në fuqi, prodhimi serb është i liruar nga taksat doganore. “Nëse është mall serb, në bazë të rregulloreve të UNMIK-ut, ai e paguan vetëm TVSH-në apo Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, gjithashtu edhe akcizën, nëse ai mall ka akcizë”, thotë Stavileci. Pavarësisht këtij eksporti të madh të prodhimeve serbe, mes Kosovës e Serbisë ende nuk ekziston ndonjë marrëveshje e shkëmbimit tregtar. Për më tepër, sipas ekspertëve të ekonomisë, pala kosovare është e diskriminuar, pasi në të shumtën e rasteve prodhimi kosovar nuk depërton në tregun serb, për shkak se autoritetet serbe nuk njohin dokumentet e lëshuara nga administrata e OKB-së. Safet Gërxhaliu, nga Oda Ekonomike e Kosovës, thotë se janë bërë përpjekje që të paktën të krijohen raportet zyrtare mes odave ekonomike, por pala serbe nuk e ka pranuar një gjë të tillë. “E vetmja gjë që është duke funksionuar është tregtia apo ekonomia informale, që i konvenon më shumë Serbisë sesa Kosovës, që e dëshmon realitetin e hidhur kosovar, se në Kosovë nuk ka nacionalizëm ekonomik. Dhe, pala serbe e njeh këtë realitet të mungesës së nacionalizmit ekonomik te shqiptarët dhe është shumë agresive ndaj tregut kosovar. Prandaj, është për t’u mos habitur se prania e Serbisë në tregun kosovar është e një përqindjeje shumë, shumë të madhe, që në mënyrë indirekte e financon funksionalizimin e tregut dhe ekonomisë në Serbi”, thotë Gërxhaliu. Zhvillimet politike dhe mosqartësimi i statusit politik të Kosovës, sipas Muhamet Sadikut, nga Instituti Riinvest, kanë bërë që të mos ketë marrëveshje ndërshtetërore mes Kosovës e Serbisë, nga e cila do të përfitonin të dyja palët. “Është e vërtetë se ekziston një bashkëpunim mes Kosovës e Serbisë, madje mund të them se, kohët e fundit, këmbimi tregtar arrin mbi 150 milionë euro dhe është e çuditshme se si ky bashkëpunim nuk është vënë në kornizë të ndonjë marrëveshjeje shtetërore. Unë kam parasysh zhvillimet politike, por do të ishte në interes të të dyja palëve, në mënyrë që kjo të gjenerojë qëndrueshmëri në bashkëpunimin tregtar mes Kosovës e Serbisë”, pohon Sadiku. Sidoqoftë, sipas Gërxhaliut, me këtë diskrepancë të shkëmbimit tregtar, ekonomia kosovare po pëson humbje, ndërsa tregu serb ka përfitime të vazhdueshme.
“Ajo që është shqetësuese është se në Kosovë pranohet mall i pakufizuar. Por, nga Kosova për në Serbi, jo që nuk pranohen dokumentet zyrtare, por nuk ka mundësi që produktet kosovare të jenë të pranishme në këtë treg”, thekson Gërxhaliu. Nënshkrimi i marrëveshjes së CEFTA-s nga vendet e Evropës Juglindore nuk lehtëson tregtinë e lirë me Serbinë, pasi që ky vend ende nuk e ka ratifikuar atë. Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës thonë se buxheti i Kosovës pëson humbje të mëdha edhe për shkak të kontrabandimit të mallit në kufirin Kosovë-Serbi, kryesisht në pjesën veriore të Kosovës, e cila është e banuar me shumicë serbe.


XS
SM
MD
LG