Ndërlidhjet

logo-print

LIDERËT KTHEHEN NGA LONDRA TË BINDUR SE PAS 10 DHJETORIT NUK DO TË KETË MË SHTYRJE


Zijadin Gashi

Delegacioni i Kosovës është kthyer sot nga Londra, me bindjet se 10 dhjetori do të shënojë fundin e procesit, pas të cilit do të pasojë si rezultat krijimi i shtetit të Kosovës. Udhëheqësi i delegacionit kosovar, presidenti Fatmir Sejdiu, tha se prezantimi i palës kosovare në Londër dhe dokumenti i traktatit për marrëdhënie fqinjësore me Serbinë, janë vlerësuar lartë nga Treshja ndërmjetësuese në bisedimet shtesë. Kosova, tha presidenti Sejdiu, do të vazhdojë të mbrojë vizionin dhe pozicionin e saj për pavarësi. Sejdiu kundërshtoi vazhdimin e negociatave pas 10 dhjetorit, duke rikujtuar se Treshja ndërkombëtare, sipas tij, e ka për borxh të nxjerrë konkluzione, se është arritur apo nuk është arritur marrëveshje mes palëve gjatë bisedimeve shtesë. “Nuk mund të jemi peng i kërkesave për bllokada, për obstruksione të ndryshme që mund të paraqiten. Ju keni dëgjuar edhe për kërkesën se duhet të ketë bisedime pa afat, pa farë objektivi të caktuar dhe pa limit të tyre. Ne nuk kemi këtë bindje dhe qëndrimi ynë është shumë i qartë, jemi të gatshëm, do të ecim dhe do të ecim me këtë unitet”, ka theksuar presidenti Sejdiu. Marrëveshja ndërmjet Kosovës e Serbisë mund të arrihet vetëm nëse Beogradi heq dorë nga kundërshtimi i pavarësisë së Kosovës, tha Sejdiu. Ndërkohë, kryeministri Agim Çeku tha se pala kosovare po sillet si delegacion shtetëror në fazën shtesë të bisedimeve. “Nuk ka paqe e stabilitet në rajon pa pavarësinë e Kosovës dhe nuk ka pavarësi të qëndrueshme të Kosovës pa paqe e siguri në rajon”, ka vlerësuar Çeku. Pavarësia e Kosovës është punë e kryer dhe nuk ka më shtyrje, theksoi kryeministri i Kosovës, duke përsëritur edhe këtë herë bindjen e tij se procesi duhet të përmbylljet me shpalljen e pavarësisë. “Jemi të vendosur që vija e katërt e kuqe e jona është që nuk ka më shtyrje, nuk ka më zvarritje dhe ne nuk do të presim gjatë. Do të shohim si do të zhvillohen ngjarjet pas 10 dhjetorit, por ne nuk do të presim shumë”, u shpreh Çeku. Ndërkaq, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, tha se Kosova është e gatshme qysh tash për pavarësi dhe po punon për njohjen ndërkombëtare të saj, përderisa akti i vendimit për pavarësinë e Kosovës, nënvizoi Thaçi, do të koordinohet në bashkëpunim me Uashingtonin e Brukselin. “Ne duam të besojmë se menjëherë pas datës 10 dhjetor do ta kemi qëndrimin shumë të qartë dhe vendimin unanim ndërkombëtar për njohje të pavarësisë, ndërsa hapat tonë do të jenë të koordinuar ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me Bashkimin Evropian”, ka thënë Thaçi. Pas Londrës, palët në bisedime i pret dhe takimi i parë i drejtpërdrejtë gjatë fazës shtesë të bisedimeve, i thirrur për datën 28 shtator, në Nju Jork. Presidenti Sejdiu konfirmoi pjesëmarrjen e palës kosovare në këtë takim. Takimet e Nju Jorkut, sipas Sejdiut, parashihet të mbahen në tri rrethe. Së pari, ai tha se pala kosovare do të takohet me Treshen, pastaj do të zhvillojë një takim të drejtpërdrejtë me Beogradin nën ndërmjetësimin e Treshes dhe, së treti, sërish do të ketë një takim me Treshen ndërmjetësuese, për të biseduar agjendën dhe rrjedhën e mëtutjeshme të negociatave.

XS
SM
MD
LG