Ndërlidhjet

SEJDIU: KOSOVA ËSHTË RAST I VEÇANTË DHE NUK ËSHTË SI HONG KONGU


Zijadin Gashi

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, e ka kundërshtuar krahasimin e zgjidhjes së statusit të Kosovës me modele të tjera në botë, duke pohuar se pavarësia e Kosovës është vullneti politik i popullit të saj. Sejdiu tha se pret që faza shtesë e negociatave të mbyllet pas datës 10 dhjetor. Ndërkaq, kundërshtoi idetë e krahasimit të statusit të Kosovës me raste të tjera, siç është ai i Hong Kongut, i përfolur së fundi në disa media si opsion i mundshëm për ta krahasuar me rastin e Kosovës. Kosova është rast i veçantë dhe nuk mund të trajtohet sikurse modeli i Hong Kongut, tha presidenti Sejdiu. “Ne i kemi thënë deklarimet tona për këtë çështje shumë herë. Është vullneti i popullit ai që do të determinojë procesin dhe do të merret parasysh dhe e kemi përkushtim, nga i cili nuk heqim dorë të gjithë së bashku dhe e besojmë plotësisht. Ne e kemi idenë dhe angazhimin që ky proces të përfundojë me 10 dhjetor dhe e kemi shprehur që kemi bërë këtë qasje të angazhimeve tona, natyrisht për hir të interesit të Kosovës dhe për hir të bashkëpunimit reciprok me gjithë vendet që e mbështesin fuqishëm pavarësinë e Kosovës”, është shprehur Sejdiu. Presidenti i Kosovës i bëri këto komente pas takimit që zhvilloi me Hina Jiliani, përfaqësuese speciale e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut. Përfaqësuesja e Kombeve të Bashkuara u bëri thirrje institucioneve të angazhohen më tepër në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave. ”Preokupimi me procesin e statusit do të kishte qenë shumë i rëndësishëm, vetëm nëse të drejtat e njeriut janë pjesë e procesit të statusit. Qeveria ka vepruar në këtë mënyrë dhe procesi i statusit nuk ka përjashtuar të drejtat e njeriut, por i ka përfshirë ato”, tha Jiliani, duke shtuar se në Kosovë ka një kornizë të mirë ligjore për të drejtat e njeriut. Në anën tjetër, presidenti Sejdiu i premtoi asaj se me njohjen ndërkombëtare, shteti i Kosovës do t’i merrte obligimet ndërkombëtare që bien mbi këtë fushë. Ai tha se Kosova është e interesuar që të krijojë mekanizma efikas për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut. Mirëpo, në Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut vlerësohet se gjendja e të drejtave dhe lirive të njeriut në Kosovë është tejet shqetësuese. Behxhet Shala, nga ky këshill, thotë se mekanizmat që do të duhet të kujdeseshin për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, janë shkelësit më të mëdhenj, duke aluduar në autoritetet ndërkombëtare dhe ato vendore. “Ata, të cilët kanë qenë të obliguar t’i krijojnë mekanizmat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, fatkeqësisht janë edhe shkelësit më të mëdhenj të të drejtave të njeriut. Të drejtat e njeriut iu shkelen fëmijëve, femrave, të burgosurve, atyre që akuzohen para gjykatave, atyre që kanë një përcaktim tjetër seksual. Domethënë, të drejtat e njeriut iu shkelen thuajse të gjitha shtresave të qytetarëve të Kosovës”, ka pohuar Shala. Ai vlerëson po ashtu se gjendja e të drejtave të njeriut në Kosovë është në një masë e njëjtë me vendet e rajonit. Por, krahasuar me gjendjen e para tetë apo nëntë vjetëve, ai thotë se tash gjendja është më e mirë dhe se nuk mund të flitet më për ndonjë shkelje drastike të të drejtave të njeriut.

XS
SM
MD
LG