Ndërlidhjet

logo-print

RRITET NUMRI I PËRDORUESVE TË SUBSTANCAVE NARKOTIKE


Arton Konushevci

Numri i shfrytëzuesve të substancave narkotike është duke u rritur gjithnjë e më shumë, thonë udhëheqës të institucioneve të ndryshme që merren me trajtimin dhe rehabilitimin e këtyre shfrytëzuesve. Gjashtëdhjetë e tri raste të reja të narkomanisë janë paraqitur kohëve të fundit në Organizatën Joqeveritare Labyrinth, e cila kryesisht trajton parandalimin dhe rehabilitimin e viktimave të substancave narkotike. Safet Blakaj, drejtor i kësaj qendre, thotë se në krahasim me vitin e kaluar kjo shifër është shqetësuese. “Në këtë rast duhet t’i referohem statistikave të qendrës sonë, që në gjashtëmujorin e parë të këtij viti janë paraqitur 63 raste të reja, që kanë kërkuar ndihmë në qendrën tonë. Ndërsa në gjashtëmujorin e parë të vitit të kaluar kanë qenë 28 raste. Ky është një indikator që nuk mund të jetë i bazuar mirë shkenctarisht, mirëpo edhe puna në terren tregon po ashtu rritjen e numrit", bën të ditur Blakaj. Ai thotë se përdoruesit e drogës janë kryesisht njerëz të moshës së re, por Blakaj thekson se ka edhe nga ata që i takojnë një gjenerate më të vjetër. Sipas tij, një nga problemet që luftën kundër narkomanisë e bën më të zbehtë është edhe fakti se ka edhe persona të varur nga substancat narkotike, që përdorin edhe medikamente me të cilat mund të furnizohen nëpër barnatore, pa pasur fare recetën e mjekut. “Në rast të mungesës së drogës, ata fillojnë të keqpërdorin tabletat. Prandaj, edhe për ta parandaluar tabletomaninë ose keqpërdorimin e tabletave, sigurisht që duhet të jenë më rigoroze rregullat; programet terapeutike të aprovohen dhe të jenë të mbuluara me ligj", thotë Blakaj. Nga ana tjetër, Zejadin Gashi, drejtor i Agjencisë kosovare për produkte medicinale, thotë se ne Kosovë ekzistojnë barnatore të licencuara, të cilat shesin me licencë medikamente narkotike. “Së pari, barnatoret, nëse posedojnë barna narkotike, nuk i japin pa receta. Ekziston rregulla për narkotikë, se si narkotikët futën në Kosovë dhe si shfrytëzohen prej shfrytëzuesve këtu. Ekziston leja e posaçme prej importit edhe atyre që i distribuojnë ato. Barnatoret e veçanta janë vetëm ato që gjatë aplikimit marrin pyetësorin nëse duan t’i mbajnë ato barna apo jo. Do me thënë, nuk i ka çdo barnatore”, thekson Gashi. Megjithatë, farmacisti Visar Emini, i cili punon në një nga barnatoret e Prishtinës, thotë se në barnatoren ku ai punon, nuk ka medikamente narkotike, por, sipas tij, në cilëndo barnatore tjetër në Kosovë, nëse kërkon diçka të tillë, mund ta marrësh edhe pa recetë. “Ka barnatore në Kosove që barnat narkotike i shesin, i japin pa recetë. Kjo është përditshmëri, ndodh nëpër shumë barnatore”, thotë Emini. Por, zoti Gashi, nga Agjencia për produkte medicinave, pohon të kundërtën. "Jemi në hulumtim të rasteve të tilla, jo vetëm për këto barna, por edhe për shumë probleme që janë të lidhura me to. Kështu që për momentin nuk mund të them asgjë”, u shpreh Gashi. Sidoqoftë, zoti Blakaj, nga Qendra Labyrinth, thotë se ky problem dhe lufta për çrrënjosjen e tij varet jo vetëm nga strategjia që rregullon shitjen e medikamenteve nëpër barnatore, por edhe nga strategjia e përgjithshme që do të merrej vetëm me këtë problematikë. “Kosova është e vetmja në Evropë, e cila nuk e ka një program të tillë dhe nuk ka strategji të drogave. Sigurisht, deri sa nuk rregullohet kjo çështje, do të ketë gjithmonë probleme”, thotë Blakaj.


XS
SM
MD
LG