Ndërlidhjet

PRISHTINA NUK PRET NDONJË KTHESË NË NEGOCIATA NGA TAKIMI ME BEOGRADIN NË NJU JORK


Zijadin Gashi

Pala kosovare në bisedimet për statusin nuk pret ndonjë rezultat apo kthesë në negociata nga takimi i drejtpërdrejtë me Beogradin, i paralajmëruar që të mbahet më 28 shtator, në Nju Jork. Presidenti Fatmir Sejdiu si dhe anëtarët tjerë të Ekipit Negociator thanë se pozicioni i Prishtinës për të ardhmen e Kosovës është krejt ndryshe nga ai i Beogradit. Sidoqoftë, ata thanë se do të marrin pjesë në proces, për të rikonfirmuar se vullneti i popullit të Kosovës për pavarësi është zgjidhja e vetme që lidershipi i Kosovës do të mbështesë, duke përjashtuar zgjidhje tjetër alternative. Presidenti Sejdiu tha se nuk pret ndonjë rezultat nga ky apo nga takimet tjera, që do të pasojnë javët apo muajt e ardhshëm. “Ne shkojmë me një mandat dhe ai është mandati për arritjen e njohjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, pra prezantimin e vizionit tonë se pavarësia e Kosovës është e panegociueshme, e paalternativë. Do të ofrojmë edhe kësaj radhe, në këtë takim të drejtpërdrejtë, vizionin tonë për marrëdhëniet e ardhshme në mes dy shteteve. Nuk presim diçka që quhet pjesë specifike e marrëveshjes apo formë tjetër. Pavarësisht nga ky fakt, ne jemi të interesuar të nxisim procesin dhe të përfundojnë edhe këto 70 e sa ditë të mbetura”, tha presidenti Sejdiu. Ndërkaq, kryeministri Agim Çeku tha se kërkesa e tij e vazhdueshme që Prishtina të përgatitet për shpalljen e pavarësisë, ka të bëjë me fazën e pas 10 dhjetorit, kur përmbyllen negociatat. Deri atëherë, tha Çeku, ka kohë të mjaftueshme që të bëhen të gjitha përgatitjet e nevojshme. “Ne nuk shkojmë në Nju Jork që të caktojmë data apo të kërkojmë data. Ne, duhet këtu, në Prishtinë, ta caktojmë datën. Ne, besoj se jemi në proces dhe kanë mbetur edhe 70 e sa ditë. Besoj se do të kemi kohë dhe në mënyrë unanime do ta përmbyllim këtë proces”, ka theksuar Çeku. Ndërkohë, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, tha se pala kosovare do të ketë prezantim unik, duke kërkuar që procesi i pavarësisë të përshpejtohet. Ai tha se Prishtina do t’i refuzojë të gjitha zgjidhjet tjera që ofrohen si alternativa të pavarësisë së Kosovës. “Natyrisht që autoritetet e Beogradit do të prezantojnë ide, që bien ndesh me të ardhmen e Kosovës dhe perspektivës së saj euroatlantike. Por, qëndrimet tona janë të qarta, nuk ka ndarje, do të refuzohet thjesht çdo pretendim për lidhje të re me Serbinë, federatë, konfederatë, apo çdo lidhje që mund ta ketë si pretendim Serbia për të ardhmen e Kosovës. Kështu që mendoj se gjithçka është e qartë sa i përket Prishtinës dhe komunitetit ndërkombëtar për të ardhmen e Kosovës”, ka pohuar Thaçi. Në anën tjetër, kryetari i Partisë Reformiste Ora, Veton Surroi, tha se zgjidhjet që ofron Beogradi janë zgjidhje që nuk përkojnë me kohën, krahasuar me opsionin e pavarësisë - si vullnet i popullit të Kosovës. Ai tha se zgjidhjet që ofron Beogradi janë histori, kurse pala kosovare, sipas tij, ka ofruar zgjidhje që garanton të ardhmen e Kosovës dhe rregullimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Bisedimet në Nju Jork, është thënë se do të zhvillohen në tri rrethe. Së pari, palët zhvillojnë takime të ndara me Treshen. Më pas, takimi i drejtpërdrejtë Prishtinë – Beograd me ndërmjetësimin e Treshes, si dhe në fund, sërish takime të palëve me Treshen ndërmjetësuese. Pas Nju Jorkut, u tha se shumë shpejt pritet të mbahen dhe takime të tjera të ngjashme, kurse agjenda e këtyre takimeve pritet të përcaktohet nga Grupi i Kontaktit.

XS
SM
MD
LG