Ndërlidhjet

DY TË VDEKUR NGA SHPËRTHIMI NË QENDËR TË PRISHTINËS


Arton Konushevci

Dy persona kanë humbur jetën, ndërsa 11 të tjerë janë plagosur nga një shpërthim i fuqishëm, që ka ndodhur sot në orët e hershme të mëngjesit, në ‘Bulevardin Bill Klinton’, në një qendër të vogël tregtare. Personat që kanë humbur jetën nga ky shpërthim janë: Naim Murati, i lindur në vitin 1970 dhe Pleurat Sllamniku, i lindur në vitin 1979. Sipas Veton Elshanit, zëdhënës i Shërbimit Policor të Kosovës, njësitet e policisë po i vazhdojnë hetimet. "Jemi duke shikuar mundësinë që e ka shkaktuar këtë eksplodim. Njëherë për njëherë, nuk mund të konfirmojmë diçka lidhur me shpërthimin, se çka e ka shkaktuar atë eksplodim, përpos dëmeve të konsiderueshme materiale që janë bërë dhe humbja e deritanishme e dy jetëve të njerëzve", ka thënë Elshani. Ndërkohë, Basri Lenjani, drejtori i Qendrës Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, thotë se mjekët janë duke bërë përpjekje që të shpëtojnë jetën e njërit nga 11 të plagosurit, i cili aktualisht është në gjendje të rëndë. "I aksidentuari i parë që është sjellë në Qendrën Emergjente është sjellë pa shenja jete; edhe përkundër masave reanimuese, ka qenë e pamundur të rikthehet në jetë. I aksidentuari i dytë sillet në Qendrën Emergjente me lëndime shumë serioze në kokë; edhe përkundër masave të reanimimit, pas 30 minutave ndërroi jetë. I lënduari i tretë, pas ekzaminimit primar, pas masave reanimuese, intubohet, i bëhen ekzaminimet laboratorike, rengenologjike, ku detektohet gjakderdhje masive; ndërhyhet në mënyrë kirurgjike, përpunohet rasti në sallën operative në Qendrën Emergjente dhe pas operimit i aksidentuari dërgohet në kujdesin intensiv. Gjendja është shumë e rëndë dhe luftohet për jetë”, ka deklaruar doktor Lenjani. Ndryshe, shpërthimin e sotëm e kanë dënuar institucionet më të larta vendore. Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka thënë se aktet e tilla janë krejtësisht të papranueshme, cenojnë jetën e njerëzve, mbjellin pasiguri tek qytetarët dhe rrezikojnë stabilitetin e vendit. Kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, sulmin e ka cilësuar si vepër kriminale, që ndonëse nuk ka lidhje me procesin politik në Kosovë, gjithsesi dërgon një mesazh jo të mirë në këtë periudhë të rëndësishme. Zyrtarët e Shërbimit Policor të Kosovës thonë se rastet e tilla të shpërthimeve nuk janë të shpeshta dhe janë raste të izoluara. Zoti Elshani thotë se ky rast ka qenë një prej rasteve më të renda, dhe, siç thotë ai, nuk ka të bëjë me ndonjë prapavijë politike, por me atë kriminale. “Ne i konsiderojmë shpërthimet që kanë ndodhur në të kaluarën si raste të izoluara, duke marrë parasysh se disa nga to që ne i kemi zbuluar, që i kemi ndriçuar, dalin se janë për arsye të ndryshme; ose personi ka pasur ndonjë çështje prone me dikë tjetër, ose pakënaqësi, ose për të shprehur kërcënim, edhe pse e ka ditur se nuk do të bëjë dëme të mëdha, ka hedhur granatë dore në oborrin e shtëpisë së dikujt. Mirëpo, të gjitha ato janë raste të izoluara. Ne nuk kemi të bëjmë me raste politikisht të motivuara, t’i quaj kështu, duke përfshirë edhe rastin e fundit", ka theksuar Elshani. Hetimet e njësiteve të hetuesisë së policisë së Kosovës tregojnë se shpërthimet që kanë ndodhur në të kaluarën, kryesisht kanë të bëjnë me çështje të ndryshme personale dhe qërim hesapesh, tha Elshani. "Duke marrë parasysh që krimi i organizuar ekziston gjithkund në botë, ai ekziston edhe në Kosovë. Ka raste, ku për qërim hesapesh, hidhen granata dore apo bëhen sulme ndaj personave të ndryshëm dhe prapaskena e saj është prapaskenë kriminale", ka pohuar Elshani. Në vendin ku ka ndodhur shpërthimi, para disa javësh autoritetet e rendit kanë bërë disa bastisje dhe arrestime në disa nga dyqanet e kësaj qendre tregtare, në kuadër të hetimeve mbi vrasjen e pjesëtarit të Shërbimit Policor të Kosovës, Triumf Riza. Sidoqoftë, autoritetet e rendit kanë njoftuar se mjetet që janë shfrytëzuar për këtë sulm ende nuk dihen, edhe pse nga shpërthimi janë shkatërruar disa dyqane dhe janë shembur muret e disa prej tyre.


XS
SM
MD
LG