Ndërlidhjet

CILËSIA E DISKUTUESHME E ARSIMIT TË LARTË NË KOSOVË


Nadie Ahmeti

Cilësia e arsimit të lartë, si në Universitetin Publik të Kosovës, po ashtu edhe në universitet private, nuk është në nivelin që duhet të jetë. Këtë e kanë pranuar edhe vetë udhëheqësit e sistemit arsimor në Kosovë. Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Agim Veliu, thotë se cilësia e arsimit pothuajse është e njëjtë, si në sistemin publik, ashtu edhe në atë privat, sepse kuadrot janë pothuajse të njëjta. Ministri Veliu thotë se kjo ministri po përdor mekanizma të ndryshëm, me qëllim që të ngritët cilësia e arsimit të lartë. “Nuk mund të them se kemi një dallim të madh në Universitetin Publik dhe në ato private. Pothuajse, punojnë kuadro të njëjta, me përgatitje të njëjta. Madje, disa universitete private e kanë një punë të mirë, e kanë një ngritje të cilësisë, kanë vlerësime në përputhje me standardet, mirëpo ende mbetet për t’u dëshiruar”, tha ministri Veliu. Ramadan Zejnullahu, anëtar i Bordit të Agjencisë së Akreditimit të Kosovës, e cila ka për qëllim monitorimin e gjendjes në Universitetin Publik dhe në universitetet private, pohon se në të dy sistemet, cilësia e arsimit është jo e kënaqshme. Ai, megjithatë, thotë se gjendja në Universitetin e Prishtinës është vështirësuar posaçërisht pas përfundimit të luftës, meqë, siç thotë ai, është në gjendje të politizuar. “Kjo ka bërë që në universitet, vlerat e një individi të vlerësohen mbi bazën e asaj se sa ai ka qasje në jetën politike të Kosovës, apo në jetën e biznesit të Kosovës. Dhe, në masë të vogël, njerëzit janë vlerësuar dhe ende vlerësohen mbi bazën e vlerave të mirëfillta akademike që kanë, puna profesionale, punimet shkencore, mbajtja e ligjëratave, qasja inovative në punë etj.”, theksoi zoti Zejnullahu. Ai, ndërkaq thotë se për cilësinë e arsimit më se miri flet numri i madh i atyre që kanë magjistruar dhe doktoruar në Universitetin e Prishtinës. “Ata flasin vetë mbi mungesën e cilësisë. Në qoftë se në Universitetin e Prishtinës kanë mundur të doktorojnë 240 doktorë shkence pas luftës dhe mbi 500 magjistra, vetvetiu flitet për rrënimin e këtij institucioni dhe jo për vlerat që ka, sepse një numër kaq të madh nuk mund ta përballojnë as universitetet me traditë të madhe dhe kushte ideale të punës, me të cilat shumë shpesh kishim dashur të krahasohemi”, tha zoti Zejnullahu. Ndryshe, Halim Hyseni, nga Qendra për Arsim e Kosovës, thotë se cilësia aktuale e arsimit nuk garanton një zhvillim të përshpejtuar të zhvillimit të Kosovës. Ai, ndërkaq pohon se më këtë cilësi që ofron sistemi i arsimit të lartë, publik apo privat, Kosova do ta ketë të vështirë të jetë afër vendeve të zhvilluara në këtë fushë. “Shumë larg; pa diskutim që jemi shumë larg dhe për këtë, ne duhet të bëjmë hapa shumë më të shpejtë”, theksoi zoti Hyseni. Ndryshe, Ministria e Arsimit është duke punuar vazhdimisht në ngritjen e cilësisë së arsimit, thotë ministri Veliu. “Jemi duke punuar në mënyrë që studentët të përfundojnë studimet në Universitetin e Prishtinës, të jenë konkurrentë edhe jashtë vendit. Për këtë qëllim, ne po ngremë mekanizma të ndryshëm, për ngritjen e cilësisë së arsimit”, tha zoti Veliu. Sidoqoftë, zgjidhja e problemit të cilësisë që ofrojnë institucionet publike dhe private, shihet tek Agjencia e Akreditimit, e cila deri më tash ka vetëm bordin e vet. Kjo agjenci ka për qëllim monitorimin e gjendjes, në të cilën funksionojnë universitetet në Kosovë, por deri në funksionalizmin e saj, rreth 30 institucione të licencuara të arsimit të lartë do të vazhdojnë të veprojnë pa akreditim të programeve arsimore.


XS
SM
MD
LG