Ndërlidhjet

logo-print

MANAJ:”KOSOVA DO TA KETË PËRKRAHJEN NDËRKOMBËTARE PËR TA SHPALLUR PAVARËSINË”


Ramë MANAJ, Sekretar i Përgjithshëm i LDK-së

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Manaj, ka përfunduar edhe një takim ndërmjet Treshes negociuese dhe palës kosovare, ndërkohë që priten edhe takime të drejtpërdrejta me Beogradin. Andaj, fillimisht, cilat janë pritjet e juaja nga kjo fazë shtesë e bisedimeve, që po zhvillohen në kuadër të procesit të statusit të Kosovës?

RAMË MANAJ
Mos për asgjë tjetër, kjo periudhë do të dëshmojë se përpjekjet për të gjetur zgjidhje, zgjidhja është vetëm një, pala kosovare i ka pranuar dhe vazhdon të demonstrojë gatishmërinë për gjetjen e një zgjidhjeje. Zgjidhja është pavarësia e Kosovës pa alternativë. Takimi në Londër ka qenë takim, ku pala kosovare ka ofruar një koncept të traktatit të bashkëpunimit dhe të marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore në mes të dy shteteve të pavarura, natyrisht mes Kosovës së pavarur dhe Serbisë, në periudhën e ardhshme. Përkundër historisë, Kosova do të jetë e gatshme të kultivojë marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët e vet, në të gjitha fushat e bashkëpunimit të mundshëm, në radhë të parë në atë ekonomik, në komunikim të lirë të njerëzve, në zgjidhjen e disa çështjeve praktike që kanë mbetur akoma të pazgjidhura, siç është çështja e të pagjeturve, çështja e të zhvendosurve, çështja e dyshtetësisë, çështja e ndonjë marrëveshjeje të tregtisë së lirë. Kështu që kjo periudhë do të kalojë deri më 10 dhjetor dhe natyrisht Treshja do t’ia ofrojë raportin e saj Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Mbetet për t’u parë se çfarë vlerësimi dhe çka do të ndodhë në Këshillin e Sigurimit. Përndryshe, tash gjithmonë jemi dëshmitarë të faktit se Kosova nuk mund të mbetet peng i tentativave për shtyrje të vazhdueshme, deri në infinit, të zgjidhjes së çështjes së Kosovës nga pala serbe, me mbështetje të Rusisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Ndërkohë, jepen edhe ide, propozime të ndryshme, duke marrë rastin e Kosovës me modele të tjera në botë. Sa konsideroni se mund të merren modele të ndryshme për zgjidhjen e statusit të Kosovës?

RAMË MANAJ
Në fakt, është reale, e kuptueshme, e qartë dhe e pranueshme nga të gjithë, duke filluar nga Grupi i Kontaktit, nga vetë Këshilli i Sigurimit, por edhe nga qarqe të tjera ndërkombëtare, se rasti i Kosovës është rast unik, është rast ‘sui generis’, nuk mund të shërbejë si precedent për raste të tjera, kudo qoftë në Evropë ose jashtë saj. Kështu që të gjitha përpjekjet për ta shndërruar në një precedent, janë përpjekje për ta zhargitur zgjidhjen, për ta prolonguar në kohë dhe për ta lënë gjendjen e status quo-s. Nuk do të jenë të suksesshme këto përpjekje, nuk ka argumente të shndërrohet në precedent për vende të tjera, në pjesë të ndryshme të Evropës ose jashtë saj.

RADIO EVROPA E LIRË
Procesi parasheh edhe bisedime të drejtpërdrejta Prishtinë-Beograd. Çka mund të prodhojnë këto bisedime?

RAMË MANAJ
Në këto bisedime, nga Ekipi i Unitetit, i cili përndryshe po prezanton interesin e Kosovës mjaft dinjitetshëm, me argumente të plota dhe me unitet të plotë, do të shfrytëzohet koha dhe mundësia e detajimit të ofertës së palës kosovare për marrëdhënie të mira ndërfqinjësore, në periudhën e pas definimit të statusit. Nga pala kosovare, asgjë më shumë nuk mund të ndodhë. Është pikëpyetje se çfarë qasjeje do të ketë dhe nga ç’pozicion do t’i qaset këtij problemi pala serbe.

RADIO EVROPA E LIRË
Nëse mund t’i kthehemi edhe një çështjeje tjetër – procesi i zgjedhjeve është afër, ndërkohë që ju jeni një prej kandidatëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës për deputet në Kuvendin e Kosovës. Andaj, cilat konsideroni se duhet të jenë hapat e parë të Kuvendit të Kosovës pas konstituimit dhe pas 10 dhjetorit, si fazë e fundit për përmbylljen e negociatave shtesë?

RAMË MANAJ
Shpresoj se përbërja e ardhshme e Kuvendit të Kosovës do të jetë akoma më cilësore, do të ketë deputetë që do të vazhdojnë të jenë të përgjegjshëm ose që do të ngrenë shkallën e përgjegjësisë dhe përgjegjshmërisë edhe individuale, edhe të institucionit, për të ushtruar mandatin si institucioni më i lartë i pushtetit shtetëror, edhe në fushën e bërjes së ligjeve, miratimit të ligjeve, edhe në fushën e mbikëqyrjes së Qeverisë për ekzekutim të këtyre ligjeve, por edhe në politikë-bërje të përgjithshme, në kontekst të zhvillimit ekonomik dhe shoqëror të Kosovës. Nëse këto zgjedhje do të mbahen, ne po presim dhe jemi të përgatitur që të marrim pjesë dhe t’i realizojmë këto zgjedhje, shpresoj që Parlamenti i Kosovës të ketë rastin edhe të shpalljes së pavarësisë së vendit, sepse, dosido, për t’u njohur një vend si i pavarur, doemos duhet t’i prihet me shpallje të pavarësisë, me deklarim të pavarësisë nga institucionet më të larta të pushtetit shtetëror të një vendi, në këtë rast, nga Parlamenti i Kosovës. Pra, Parlamenti do të vazhdojë të jetë në ngritje të vazhdueshme të përgjegjësisë së tij për përfaqësimin e interesave të popullit, për përcaktimin e synimeve dhe orientimeve për zhvillim më të përshpejtuar ekonomik në radhë të parë dhe për integrime në Evropë dhe tej oqeanike.

RADIO EVROPA E LIRË
Atëherë, a konsideroni se pas 10 dhjetorit do të ketë Kosova përkrahjen e nevojshme ndërkombëtare, që të marrë vendim të deklarojë pavarësinë e saj?

RAMË MANAJ
Kosova definitivisht do të ketë përkrahje ndërkombëtare. Çështja është që këto përpjekje që bëhen, bëhen për të bindur më në fund dhe përfundimisht palën serbe dhe atë ruse se zgjidhje tjetër nuk ka, se zgjidhja është në interes të të gjithë rajonit, edhe të Kosovës natyrisht, edhe të Serbisë, sepse Serbia, duke pasur barrë çështjen e Kosovës, nuk mund të orientohet drejt integrimeve evropiane dhe mungesa e orientimeve, ose pagatishmëria për t’u qasur orientimeve integruese evropiane, do të thotë ngecje në vend, do të thotë bllokadë, mbyllje në vetvete, pamundësi e zhvillimit, pamundësi e prosperitetit të përgjithshëm material dhe shoqëror të vendit dhe të popullit. Kështu që definitivisht ata do ta kuptojnë, do të duhej ta kuptojnë se zgjidhje tjetër nuk ka, se zgjidhja është e pashmangshme dhe e paevitueshme. Çështja është se kjo periudhë do të shfrytëzohet për t’u bindur edhe të tjerët, që ose janë në pozicion të hezitimit, ose eventualisht ndonjë është në mbështetje të kërkesave dhe interesave serbe. Por, gjithsesi, mbështetja ndërkombëtare për pavarësinë e Kosovës është dhe do të jetë në rritje të vazhdueshme dhe do të jetë e mjaftueshme që ajo më në fund të njihet ndërkombëtarisht.

INTERVISTOI: ZIJADIN GASHI
XS
SM
MD
LG