Ndërlidhjet

logo-print

ENDE NUK DIHEN MOTIVET E SHPËRTHIMIT


Arton Konushevci

Hetimet e deritashme mbi shpërthimin që ka ndodhur dje, në qendër të Prishtinës, gjatë të cilit u vranë dy persona dhe u plagosën 11 të tjerë, ende nuk kanë sjellë ndonjë rezultat konkret. Zëdhënësi i Shërbimit Policor të Kosovës, Veton Elshani, thotë se edhe sot po vazhdojnë hetimet në vendin e ngjarjes. "Përveç informatave që kemi dhënë deri tani, nuk kemi ndonjë të re për të theksuar. Vendshikimi i vendit të ngjarjes vazhdon të behët edhe sot. Dje është shikuar vendi në një zonë më të gjerë, ndërsa sot, shikohet, ekzaminohet komplet vendi i ngjarjes në ndërtesa. Mirëpo, diçka të re nuk kemi. Në momentin që ne të pranojmë ndonjë informatë kredibile, do me thënë të besueshme, një dyshim të bazuar në atë se çfarë e ka shkaktuar eksplodimin, si dhe elementet e tjera të hetuesisë që do të dalin, ne do të dalim me informata", ka deklaruar Elshani. Ai tha se lidhur me këtë shpërthim, deri më tash nuk është arrestuar asnjë njeri. Por, sipas Elshanit, janë intervistuar të plagosurit dhe disa dëshmitarë të tjerë, të cilët kanë qenë në vendin e ngjarjes. "Ne kemi pranuar disa informata nga qytetarët. Në fakt, kemi intervistuar shumicën nga personat që kanë qenë aty, viktimat e lënduara, si dhe qytetarët tjerë që nuk janë lënduar. Kemi intervistuar persona të ndryshëm, banorë të ndërtesave. Kemi pranuar disa informata, por për shkak të hetimeve, nuk mund të theksojmë diçka", ka thënë Elshani. Ndryshe, sipas mjekut kujdestar në qendrën intensive në QKUK, Agron Balaj, gjendja shëndetësore e Xhelal Sinanit, njërit nga 11 të plagosurit, i cili ka marrë plagë të rënda, aktualisht është stabile. "Xhelali për momentin është hemodinamikisht stabil, është në aparat me ventilim mekanik. Para 15 minutave është thirrur neurokirurgu në konsultë, i cili e ka operuar. Në konsultë me të, është sjellë vendimi që t’i ndalet sedacioni, koma barbitorike, në të cilën ne i mbajmë pacientët me lëndime të tilla. Lëndimet kanë qenë mjaft serioze në kokë. Pasojat do të shihen pasi të zgjohet. Është ende herët të thuhet se çka do të mbetet, për shkak të lëndimeve të trurit, të kokës, që kanë qenë mjaft të mëdha dhe serioze. Sa i përket gjendjes së përgjithshme, gjendja e tij është stabile", ka bërë të ditur doktor Balaj. Sido që të jetë, institucionet e Kosovës dhe partitë politike e kanë dënuar ashpër sulmin që ka ndodhur në qendrën tregtare në Bulevardin Bill Clinton, duke kërkuar njëkohësisht nga qytetarët që të bashkëpunojnë me autoritetet e rendit në dhënien e informacioneve.

XS
SM
MD
LG