Ndërlidhjet

logo-print

SURROI KËRKON PËRCAKTIMIN E ORAREVE DERI NË SHPALLJEN E PAVARËSISË


Zijadin Gashi

Anëtari i Ekipit Negociues, Veton Surroi, ka kërkuar sot nga institucionet vendore që të përcaktojnë një orar, i cili nënkupton përgatitjen e Kosovës për pavarësi. Ky orar, sipas Surroit, duhet të jetë i gatshëm deri në fund të vitit. Kosova ka për obligim të marrë pjesë në negociata, por institucionet vendore, shtoi Surroi, kanë për obligim që të përgatisin vendin për pavarësi, duke i përcaktuar edhe oraret e nxjerrjes së legjislacionit të domosdoshëm, miratimin e Kushtetutës dhe akteve të tjera të rëndësishme, në mënyrë që Kosova të jetë e gatshme që të funksionojë si shtet, që nga dita e parë e shpalljes së pavarësisë. “Institucionet e Kosovës duhet ta përgatisin vendin për pavarësi. Ne duhet të marrim pjesë në negociata, por institucionet e Kosovës kanë obligim ndaj qytetarëve dhe këtë obligim duhet ta kryejnë deri në fund të këtij viti. Kosova ka nevojë për një orar të qartë, institucionet e Kosovës kanë nevojë për një orar të qartë për kalimin e ligjeve, për përgatitjen dhe miratimin e Kushtetutës, miratimin e simboleve të Kosovës. Kosova duhet të jetë e gatshme deri në fund të këtij viti për pavarësi”, theksoi Surroi. Mirëpo, thirrjet e Surroit, në një formë, nga kabineti i kryeministrit Agim Çeku, nënkuptohen si thirrje për partinë e tij dhe vetë zotin Surroi. Zëdhënësi i kryeministrit, Avni Arifi, rikujton se Kushtetuta, simbolet, si dhe një pjesë e konsiderueshme e ligjeve nga pakoja e Ahtisaarit, i përkasin Grupit Politik Strategjik, i formuar nga Ekipi i Unitetit, ku bën pjesë edhe Surroi, edhe partia e tij Ora. “Meqenëse është përmendur këtu Kushtetuta, ligji për zgjedhjet, pastaj simbolet, është me rëndësi të potencohet se këto janë drejtpërdrejt të mbikëqyrura me grupe punuese, të krijuara nga Ekipi i Unitetit dhe jo nga Qeveria. Prandaj, i takon Ekipit të Unitetit të kërkojë nga grupet punuese që të shpejtojnë obligimet, që dalin për këto aspekte. Kurse, sa i përket ligjeve tjera, nga 19 ligje prioritare, prej të cilave të paktën 15 prej tyre janë obligim i drejtpërdrejtë i Qeverisë, puna në draftimin e tyre ose është përfunduar, ose është në fazën përfundimtare”, sqaroi Arifi. Në anën tjetër, Surroi vlerëson se Kosova duhet të shpallë pavarësinë para Kërshëndellave. Komentet e tij, Surroi i bëri një ditë pasi që Ekipi i Unitetit kishte konstatuar se po udhëton për në Nju Jork, i përgatitur dhe me qëndrime unike për takimin e drejtpërdrejtë me Beogradin. Lidhur me këtë takim, Surroi tha se Prishtina nuk do të kërkojë nga Beogradi pavarësinë, por do t’ia përsërisë edhe njëherë qëndrimin e vet, se Kosova dhe Serbia duhet t’i ndërtojnë marrëdhëniet fqinjësore si dy shtete sovrane.

XS
SM
MD
LG