Ndërlidhjet

GJYSMA E POPULLATËS NË KOSOVË NUK KA NJOHURI PËR LIGJIN KUNDËR DISKRIMINIMIT


Nadie Ahmeti

Me gjithë faktin se janë mbushur 3 vjet që kur Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin Kundër Diskriminimit, zbatimi i tij në praktikë është shumë larg realitetit, thonë përfaqësues të organizatave joqeveritare dhe qeveritare, që merren me të drejtat e njeriut në Kosovë. Hilmi Jashari, ushtrues detyre i Ombudsperson-it të Kosovës, tha se përveç moszbatimit të ligjit nga vetë institucionet që e kanë miratuar, më shumë se gjysma e popullatës nuk e është e njoftuar me ekzistencën e një ligji të këtillë. Sipas tij, diskriminimi si temë shfrytëzohet vetëm për debate politike dhe jo për zbatimin e ligjit, që ofron një instrument për garantimin e të drejtave të çdo qytetari. “Nganjëherë, vetë zyrat e pushtetit publik kanë probleme për të qenë të njoftuara dhe aq më tepër për të zbatuar në mënyrë adekuate ligjet, në këtë rast konkret, Ligjin Kundër Diskriminimit”, thotë zoti Jashari. Në Kosovë, diskriminimi shprehet në forma të ndryshme, thotë Hamide Latifi, udhëheqëse e organizatës joqeveritare ‘Gratë për Gratë’, në Prishtinë. Sipas saj, njerëzit e njohin vetëm diskriminimin gjeneral dhe nuk i njohin format tjera të diskriminimit. “Unë mendoj se është obligim i institucioneve, por edhe vetë qytetarët duhet të provojnë të marrin më tepër informacione, për arsye se këto informata u ndihmojnë atyre që të kuptojnë të drejtat e tyre. Në Kosovë ka shumë forma të diskriminimit dhe njerëzit janë mësuar të jetojnë me ato forma diskriminimi dhe u duket e natyrshme”, shprehet zonja Latifi. Në anën tjetër, Habit Hajredini, nga Zyra për qeverisje të mirë në kuadër të Kryeministrisë së Kosovës, pranon se ligji kundër diskriminimit nuk zbatohet në nivelin e duhur, por, sipas tij, përpjekjet nuk kanë munguar. “Nuk mund të themi se është bërë punë e madhe në këtë drejtim dhe ne tani duhet të krenohemi dhe të mos punojmë. Ende duhet të punojmë, edhe në aspektin vetëdijesues, edhe në aspektin e edukimit, sidomos tek gjeneratat e reja. Gjeneratat e reja duhet ta njohin këtë ligj”, thekson zoti Hajredini. Hilmi Jashari, nga Institucioni i Ombudsperson-it të Kosovës, thotë se institucionet vendore duhet të gjejnë mekanizma të tjerë, që ligji të zbatohet në mënyrë efektive. Ai thotë se publikimet zyrtare në internet janë të pamjaftueshme, meqë pjesa më e madhe e Kosovës nuk ka qasje në rrjet. “Duhet pranuar faktin se pjesa më e madhe e popullsisë në Kosovë nuk është e informuar për pjesën dërmuese të ligjeve dhe standardeve që garantojnë të drejtat e tyre. Shpesh kemi mundur të dëgjojmë se publikimi i gazetave zyrtare, ligjeve dhe rregulloreve që shfaqen nëpërmes faqes së internetit, nuk arrijnë të kenë qasje deri tek ai qytetar që mund të jetojë në pjesë të ndryshme të Kosovës, e kryesisht në viset rurale”, thotë zoti Jashari. Por, Habit Hajredini thotë se prej vitit 2004, kur edhe është miratuar ky ligj, Qeveria e Kosovës ka organizuar fushata të ndryshme në të gjitha komunitetet në Kosovë. “Është punuar me komunitete të ndryshme, në gjuhët e tyre. Në momentin kur ka hyrë në fuqi ky ligj, e kemi publikuar në gjuhët vendore; përveç në gjuhën shqipe, është publikuar edhe në gjuhën serbe, angleze, rome, turke dhe u është shpërndarë komunitetit në zona të ndryshme”, pohoi zoti Hajredini. Sidoqoftë, synimi parësor i Ligjit Kundër Diskriminimit është parandalimi dhe luftimi i diskriminimit, ngritja e shkallës së barazisë efektive dhe realizimi i parimit të trajtimit të barabartë të qytetarëve të Kosovës para ligjit.
XS
SM
MD
LG