Ndërlidhjet

SCHOOK: AGJENCI TË NDRYSHME MUND TË JENË PËRFSHIRË NË AKUZAT KUNDËR MEJE


Arbana Vidishiqi

Zëvendësi i parë i shefit të administratës ndërkombëtare, diplomati amerikan, Steven Schook, u ka thënë sot gazetarëve se mund të jetë nën hetime për shkak të akuzave mbi sjelljet, siç thuhet, agresive të tij dhe lidhshmërinë me disa figura politike në Kosovë. Zoti Schook, ish-gjeneral i ushtrisë amerikane, ka thënë se ai ende nuk është kontaktuar personalisht nga Zyra për Mbikëqyrje të Brendshme në kuadër të Kombeve të Bashkuara, e cila bën hetime të këtilla, por që për këtë çështje ka mësuar nga pyetjet që i janë bërë anëtarëve të personelit që punon për të. Sipas tij, akuzat, midis tjerash, kanë të bëjnë me sjellje agresive dhe marrëdhënie të afërta dhe joprofesionale me ministrin e Energjisë, Ethem Çeku, dhe me ish-kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj. Zoti Schook ka shpjeguar edhe çështjet për të cilat ai mendon se mund të jetë fajtor. “Fillimisht, jam fajtor pse e dua punën time dhe pse jam jashtëzakonisht i pasionuar në punën që bëj dhe për ta bërë më së miri që është e mundshme, pse nuk veproj si diplomat dhe pse jam i vendosur që punët të kryhen”, ka thënë zoti Schook. Për akuzat që kanë të bëjnë me marrëdhënie të afërta dhe joprofesionale me ministrin e Energjisë, Ethem Çeku, dhe me ish- kryeministrin Ramush Haradinaj, zoti Schook ka shpjeguar pse mendon se është fajtor: “Për përkrahjen që kam për projektin e termocentralit Kosova C, të cilin e shoh si çelës kryesor të prosperitetit ekonomik në Kosovë dhe në këtë kuadër, duke përkrahur cilindo që gjendet në Komitetin Drejtues të këtij projekti, përfshirë këtu edhe ministrin Ceku”, ka thënë zoti Schook. “Për respektin e madh që kam për punën e Ramush Haradinajt derisa ishte kryeministër i Kosovës, përfshirë këtu edhe bashkëpunimin e tij shembullor me Tribunalin Ndërkombëtar pas publikimit të aktpadisë kundër tij, për përkrahjen që kam ndaj propozimit të Martti Ahtisaarit për një pavarësi të mbikëqyrur”, tha zoti Schook. Akuzat që janë përmendur, zoti Schook tha se nuk e di nëse ato vijnë nga Tribunali Ndërkombëtar i Hagës. “Nuk dua të spekuloj mbi këtë çështje, por dyshoj se agjenci të tjera janë të përfshira në këtë drejtim”, ka thënë diplomati amerikan, Steven Schook, duke i siguruar që të gjithë se nuk do të lejojë që këto akuza dhe të tjera që mund të ngritën, të kenë ndikim negativ në procesin e përcaktimit të statusit politik apo në përgjegjësitë që ka.
XS
SM
MD
LG